Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Kjo është për ty, të riun shqiptar pa punë e pa shkollë…

Kjo është për ty, të riun shqiptar pa punë e pa shkollë…
July 09
18:07 2019

Nga Ana Limani

Ditën e sotme, lexova një studim të publikuar ku theksohej gjendja alarmante në Shqipëri e të rinjve që nuk shkonin as në punë, as në shkollë: pra nuk bënin asgjë. Si një e re, që jeton mes këtyre të rinjve çdo ditë, e ndjeva vërtetë trishtimin dhe shqetësimin. Kur u them që bëj dhe punën dhe shkollën dhe super qejfin, dhe që jam e lumtur, nuk më kuptojnë.

Më quani si të doni, po mendoj se të rinjtë e sotëm po ja bëjnë vetë të keqen vetes. Jam dakord që në Shqipëri ka aq shumë pengesa dhe dyer që të përplasen, sa nuk është aq e lehtë të gjesh një punë a një shkollë. Por ka disa dyer tek të cilat, ne të rinjtë as tentojmë të trokasim dhe strukemi nën justifikimin “Shqipëria nuk bëhet”. Teknikisht Shqipëria është thjesht një territor që tashmë është bërë dhe e ka përfunduar procesin e saj. Jemi ne që duhet “të bëhemi” e rrjedhimisht kjo shprehja është idiote.

Kemi dy grupe të rinjsh pasivë që nuk bëjnë asgjë: ata që e kanë gjetur dhe presin ta gjejnë çdo gjë gati nga prindërit dhe pasuria e tyre, dhe ata që mendojnë se përballë kësaj klase janë “jo të privilegjuar” dhe po s’pate mikun e lekun nuk arrin gjë, prandaj le të qëndrojmë në kafe. Dhe më vjen keq t’i them të dyja kategorive: “Seriozisht, çfarë dreqin po bëni me jetën tuaj?”

Investimi te vetja si shprehje nuk është shaka, është diçka që të ndryshon jetën. Dhe pasojat e këtij 28.6% të të rinjve janë projektuar që në vitet e tyre të para të adoleshencës. Kur i kanë renditur vetes gjërat që duhet të bëjnë “gjimnazi që duhet- universiteti që duhet- për punën që merr shumë lekë”. Kur nuk kanë parë asnjëherë përtej kësaj kornize,kur nuk lexuan kurrë diçka përtej asaj që i jepej, kur nuk morën asnjëherë pjesë në asnjë aktivitet apo trajnim ekstra, ku nuk tentuan të zbulojnë e të eksplorojnë talentet e aftësitë te vetja. Dhe nëse në bisedë e sipër, i pyet se çfarë duan apo kanë dëshirë të bëjnë, as këtë nuk e dinë.

Pastaj e gjejnë veten jashtë dyerve të universitetit, me një diplomë masteri (ah po, të gjithë mendojnë se duhet bërë masteri) dhe akoma me të njëjtën përgjigje. Dhe fajin më pas e kanë punëdhënësit që kërkojnë eksperiencë… Epo, të drejtë shumë kanë. Shkolla është e nevojshme(ose jo), po s’është fare e mjaftueshme. Ngulitjani vetes këtë në kokë dhe nëse besoni se jeni i aftë thjesht nga shkolla, po gënjeni veten. Gjithashtu punët jo në profesion nuk i pranojnë se është turp të punosh shitëse/kamarier kur ke diplomë. Ja pra, ky është udhëkryqi i të rinjve shqiptarë me komplekse që nuk ditën kurrë të dëgjojnë veten e të punojnë për të.

Ata që duan, gjejnë. Ata që duan, kanë “punuar” me veten që kur ishin 14 vjeç duke lexuar libra për juridikun, duke marrë pjesë në trajnimet e debatit, duke kërcyer, duke shkuar në seminaret e mjekësisë, duke bërë projekte të vogla vetë në shtëpi nëpërmjet internetit. Ata që duan, kanë provuar gjithçka derisa zbuluan se çfarë donin dhe e bënë atë çfarë donin. Ndoshta me hapa më të ngadaltë sesa meritojnë, sepse sistemi vërtetë ka pak punë për t’u ndrequr. Por ata që duan, po e bëjnë atë që duan. E ti që sërish po ankohesh, cila ishte gjëja e fundit që bëre për veten?

/Blitz.al/

Share