Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kioskat e Tiranës, mbeturinat urbane të rikthyera brenda partisë!

Kioskat e Tiranës, mbeturinat urbane të rikthyera brenda partisë!
November 20
19:59 2017

Sot kam vendosur të them dy fjalë për kioskat e kryeqytetit. Ndoshta për shumë nga ju, ky nuk është shqetësimi më i madh, sepse qejfi i shqiptarëve është të reagojnë për çështje më të mëdha (nga Saimir Tahiri e më sipër) dhe mjedisin e tyre virtual e përdorin më së shumti për të bërë si opinionistët e televizioneve, jo për çështje reale që na prekin çdo ditë.

I pari zoti Kryeministër, Edi Rama, kur ishte në karrigen e Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit i hoqi me rrënjë nga lumi Lanës, për t’i rikthyer disa vite më vonë pasardhësi i tij i denjë Zoti Erion Veliaj.

Mos vallë ndoshta këto kioskat e sotme janë më të bukura apo ndikon fakti që nuk po zënë lumin (lumin jo por trotuarin tonë për të cilin paguajmë taksa dhe për të cilin Lali Eri kërkon të fitojë dyfish).

Një shërbim pa kushte por me faturë, sepse ka thënë i pari i partisë që duhet fatura. Jo për interesin tonë jo, po për xhepin e shtetit, domethënë thesarin e shtetit. Të ishte për sigurinë tonë, ato produkte në diell e në pluhur, i cili nuk mungon në një qytet si Tirana, nuk do tregtoheshin fare aty.

Se këto kioskat nuk janë shitje ambulante në fakt se kanë kasë, japin fatura. Hoqën arkat, vunë kioskat.

Nuk do e kuptoj çfarë të mire sjellin që ne duhet të ecim çdo ditë duke devijuar rrugën e duke bërë ecejake për të mos ndeshur me këto kioskat, jo vetëm ato, por edhe ndonjë frigorifer apo mundësisht një banak i dytë ngjitur me të që dyfishon sipërfaqen e zënë.

Pa llogaritur pastaj shëmtirën, kaosin dhe ndotjen pamore që shkaktojnë. Një stres i vërtetë, një tjetër zënie hapësire në një qytet të dendur si Tirana. Edhe aty ku ka pak frymë në disa sheshe apo kryqëzime të rëndësishme të qytetit, kryetari që na do të mirën duhet ta zinte atë me një kioskë “të vogël” ngjyrë blu. Tani që kanë kaluar disa ditë nga vendosja e tyre, ja pa dikush të mirën? Unë që eci një pjesë të mirë të kohës në këmbë as në diell e as tani në shi, nuk i kam parë ende një benefit për veten apo për qytetin ku po jetoj.

Mos ndoshta ligjvënësit dhe ata që marrin vendime për ndërtesat në trotuar duhet njëherë të provojnë të dalin nga makina e të ecin aty si gjithë të tjerët për ta vënë re se sa pengojnë? Eh, ndoshta.

Senad Ujkaj

/Blitz.al/

 

Shperndaje