Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

(Këndvështrim) Të pretenduarit se je gjithnjë ndryshe nga turma, nuk të bën “cool”

(Këndvështrim) Të pretenduarit se je gjithnjë ndryshe nga turma, nuk të bën “cool”
December 12
15:28 2018

Nga Ana Limani

Je cool në gjimnaz kur dëgjon atë muzikën ndryshe nga të tjerët. Je cool në gjimnaz kur shkon disa herë në vit në teatër. Je cool kur fillon të flasësh më fjalë të mëdha të artit apo kulturës për të cilat jo shumë kanë njohuri.

Por ajo që shumë persona duhet të kuptojnë është se me kalimin e moshës së gjimnazit, të qenit cool nuk nënkupton aspak të njëjtat gjëra. Të pretenduarit se je gjithnjë ndryshe nga turma, nuk të bën “cool”. Të bërit gjëra vetëm për hir të të qenit “i veçantë” nuk të bën fare, po fare “cool”.

Madje e vetmja gjë që arrin, është të shndërrohesh në antipatik.

Kudo në të gjitha mjediset që na rrethojnë, dhe masivisht në televizion shihet një mani e paparë për të treguar në çdo rast se ecën i vetëm dhe je unik në atë që bën. Për këtë në fakt mjafton të veprosh dhe të bësh atë që di më mirë dhe të tjerët e kuptojnë. Por kur e shoqëron gjithçka me një thënie që kërkon aprovim se, po je cool, gjithçka e humb vlerën. Pra fjali të tipit:
“Nuk më kuptojnë shumica se kam një mendësi ndryshe. Më kuptojnë shumë pak sepse ata janë të përzgjedhurit vizionarë. Unë jam i mençur dhe nuk ndikohem nga masa. “
bëjnë që pikërisht të tjerët të kuptojnë se sa i dëshpëruar je për aprovimin e masës në mënyrë që të ndihesh sikur ke vlerë në atë që bën.

Por i/e dashur, kur dikush ka një mendim ndryshe nga ty, nuk do të thotë që është injorant dhe e ka gabim. Kur shumë veta e shohin botën njësoj, nuk do të thotë që janë frikacakë që s’kanë një mendim personal.Nëse unë mendoj se “X gjë është pozitive”, dhe 2 milionë veta të tjerë mendojnë njësoj, kjo nuk do më ndalojë mua të vazhdoj të mendoj se ajo është pozitive. I vetmi i ndikuar nga faktorët e jashtëm je ti, që në momentin që shumica ka këtë mendim, ti menjëherë ndryshon parimet e tua vetëm që të cilësohesh ndryshe.

Të qenit gjithnjë negativ dhe gati për të nxjerrë vrer nuk do të thotë që je realist. Të gjithë kritikat do ishte mirë t’i ktheje shpesh nga vetja për të bërë atë që quhet “reality check”.

Nuk je cool, je vetëm antipatik. Dhe nëse arrin të mashtrosh mijëra njerëz që të ndjekin se ti bën diferencën, bravo të qoftë. Por një shprehje nga një shkrimtar që një intelektual si ty doemos do e ketë dëgjuar thotë:

“Mbi të gjitha, mos gënje veten. Njeriu që gënjen veten dhe dëgjon gënjeshtrat e tij arrin në një pikë që nuk e dallon dot të vërtetën brenda tij, ose rreth tij, prandaj humb të gjithë respektin për veten dhe të tjerët.”

Të tingëlloi shumë si vetja?

/Blitz.al/

Share