Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Këndvështrim) Të paguajmë për Shaqirinin dhe Xhakën?! Zoti Kryeministër, kjo nuk është normale…

(Këndvështrim) Të paguajmë për Shaqirinin dhe Xhakën?! Zoti Kryeministër, kjo nuk është normale…
June 26
15:43 2018

Nga Senad Ujkaj

Ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës në Kampionatin Botëror në Rusi ishte mjaft emocionuese për të gjithë ne. Krahas fitores dhe shënimit të golave nga dy futbollistë me origjinë shqiptare, arsyeja kryesore sigurisht ishte festimi me shenjën e shqiponjës i Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, pas golave që shënuan. Të gjitha rrjetet sociale u mbushën me fotot e tyre dhe me shqiponjën me anë të së cilës ata “përshëndetën” të gjithë serbët e pranishëm në stadium. Në fakt, edhe unë isha një ndër ata që në Instastoryn tim e postova foton e djemve sepse të thëm të drejtën, ishte një nga ato momente që më bëri krenar, e besoj edhe ju.

Ashtu siç mund të keni lexuar këto ditë, simboli i shqiponjës u dënua nga FIFA me një gjobë, secili nga 10 mijë franga. Në fakt, ky ishte një akt absurd, duke marrë në konsideratë faktin që ai është një simbol që i përket shqiptarëve si pjesë e pandashme e historisë dhe nuk ka asnjë prapavijë diskriminuese, raciste apo që intimidon (të paktën “zyrtarisht”) një kategori të caktuar njerëzish.

Por ajo që më vrau syrin dhe veshët këto ditë ishte nisma për të paguar në mënyrë simbolike, mbështetjeje gjobën ndaj Shaqirit dhe Xhakës nga xhepat tanë. Ishte deri diku e pranueshme kur u hodh si ide nga disa njerëz të thjeshtë, që ndoshta ndjenjën e patroitizmit e kanë shumë të madhe, por që kjo gjë të shndërrohet edhe në një thirrje publike pikërisht nga Kryeministri i Shqipërisë, duket krejtësisht absurde.

Nuk kam asgjë kundër futbollistëve shqiptarë, sepse edhe unë si të gjithë ju i mbështes dhe më bëjnë të ndihem shumë krenar. Por do të ishte mirë sikur Kryeministri Rama të mendonte mirë para se ta bënte atë  postim, dhe t’i kursente kartat e nacionalizmit e marketingut. Më mirë do të ishte sikur në profilin e tij të shihnim një numër llogarie për shumë fëmijë të sëmurë që janë duke luftuar me vdekjen, apo për ato familje që mezi kalojnë muajin me atë ndihmë sociale që ndoshta edhe nuk e kanë më. Një numër llogarie për spitalet, për shkollat, për infrastrukturën e për shumë probleme të tjera që duhet të ishe TI kontribuesi kryesor dhe mjaft me populizma të tilla. Xhaka e Shaqiri, me gjithë dashurinë që i kanë dhënë shqiptarët anembanë botës këto ditë, ato 10 mijë franga do t’i paguanin “me qejf”, kjo falë edhe pagave të tyre disamilionëshe, të cilat i kanë fituar me mund.

Ama, nga ana tjetër, Kryeministri bën mirë që thirrjet për para t’i bëjë për gjëra shumë më me rëndësi se kaq, të cila zgjasin më shumë se 30-ditëshi i Botërorit të Rusisë.

Ndoshta ka nga ata skeptikët që mund të mendojnë se ne nuk jemi aq patriotë sa duhet kur bëhet fjalë për para, por në fakt jemi shumë në shpirt dhe më besoni që po të ishim në Zvicër do të ishim edhe në buxhet.

Ata që do të hedhin para tek kjo llogari shpresoj shumë dhe uroj që nesër apo një ditë tjetër, kur njoftimi i radhës të jetë për një familje të varfër apo të sëmurë të kontribuojnë dyfish. Kujtojeni edhe Kryeministrin që ta postojë në profilin e tij. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje