Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Këndvështrim) Respektoni veten dhe markën, mos blini produkte “fake”!

(Këndvështrim) Respektoni veten dhe markën, mos blini produkte “fake”!
November 02
16:51 2018

Nga Ana Limani

Të blejmë apo jo produkte “fake”? Ky debat vazhdon prej shumë kohësh dhe secili e përshtat me opinionin dhe nevojat e tij. Na u desh një Philipp Plein dhe disa shqiptarë që i shohim kudo, çdo ditë që të rikujtoheshim se ky është një problem më i madh se “fake/origjinale”. Është një çeshtje vlerash dhe mendësie. Në thelb të saj, duhet të kuptojmë pse të veshurit produkte jo origjinale është relativisht e gabuar. E di që shumë prej jush nuk mund të përballoni veshje apo çanta 1000$ apo më shumë. Pikërisht kjo nuk ka pse t’ju kompleksojë dhe t’ju shtyjë të shkoni në dyqan për të blerë “statusin tuaj me vlerë”.

Gjëja e parë që duhet menduar është që nuk po respektoni brandin. Nuk po respektoni punën, kreativitetin dhe vlerën e stilistit të veshjes. Është vërtet përbuzje për një artist, pasi shumë pak e kuptojnë sa shumë nga vetja e tyre ata investojnë në prodhimet e tyre. Veshjet apo produktet luksoze janë të tilla për një arsye: pas tyre fshihet një projekt i madh i mirëmenduar dhe një finalizim i suksesshëm i bashkëpunimit të ideve unike, me njerëz të zellshëm dhe sigurisht materiale cilësore. Dhe një “fake” nuk përmban asnjë prej këtyre elementeve dhe rrjedhimisht emri që ti pretendon të veshësh nuk përfaqëson absolutisht asgjë. Pra, edhe pse me gjysmë çmimi, janë sërish para të çuara dëm.

Kopja është gjithnjë e shëmtuar. Këtë e sheh në keqinterpretimet e logove, kompozimet e gabuara të zinxhirëve apo pjesëve të brendshme të një çante apo dhe tek aroma që nuk zgjat e një parfumi. Në këtë mënyrë, ti jo vetëm që nuk ke marrë një “Gucci” prestigjioz, por ke marrë një produkt të rëndomtë. Ndonjëherë do të jetë më mirë një kombinim i veçantë, por i lirë dhe i bukur, sesa një “e shtrenjtë në dukje”, por e paplotë.

Përkhrah të gjitha arsyeve që njerëzit blejnë këto produkte, është dhe që t’i tregojnë botës statusin. Por njerëz, eleganca dhe hijeshia nuk fitohen nga një çantë me logo. Mos bini pre e standardeve që shoqëria ka vendosur në mënyrë të gabuar. Vetëvlerësimi juaj nuk duhet të lëkundet nga detaje të tilla. E njëkohësisht është disi “e padrejtë” për personat që realisht e kanë fituar një të tillë, kur ju pretendoni se zotëroni të njëjtën gjë. Do ju shijojë më shumë kur të keni mundësi të përballoni blerjen e produktit të vërtetë dhe aty do arrini të kuptoni se ku qëndron diferenca aq e madhe. Këtë jua thotë dikush që e njeh mirë diferencën mes një parfumi “Chanel” të dyqaneve të Tiranës dhe të një të vërteti që ka një botë të tërë të fshehur brenda tij. Një produkt nuk është vetëm diçka fizike, është një filozofi e tërë që ti e bën tënden.

E vetmja herë kur mund të “justifikohet” blerja e këtyre veshjeve, është nëse ju pëlqen dizajni. Edhe në këtë lloj rasti, mund të gjeni një produkt të ngjashëm pa një logo të ekzazgjeruar në krye, pa katrorët e famshëm Louis Vuitton apo simbole identifikuese të këtyre markave.

Prandaj, herën tjetër mendojeni dy herë. Nëse me të vërtetë ju pëlqen dhe respektoni një markë luksoze, mos e ulni imazhin poshtë duke e përfaqësuar me kopje të shëmtuara. Nuk do të jeni as më të pasur, as më të famshëm, e as më të pranuar në shoqëri falë një logoje. Kujdesuni për investimin në mendjen tuaj. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje