Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Këndvështrim) Nuk e them dot se çfarë je, por…“sono un pirata, sono un signore”, jam i sigurt që nuk je!

(Këndvështrim) Nuk e them dot se çfarë je, por…“sono un pirata, sono un signore”, jam i sigurt që nuk je!
November 19
20:14 2018

Duke qenë se i kam ca vite mbi supe, m’u kujtua një këngë e viteve të shkuara, kënduar shumë ëmbël e ndjerë nga Julio Iglesias, por për dreq shkoi e m’u kujtua në fund të ndeshjes së përfaqësueses sonë me atë të Skocisë, ku siç e dimë të gjithë tashmë u rrahëm (ky është termi i duhur) 4 me 0, duke na shtuar edhe disa milimetra të tjerë në lëkurën tonë të bërë shollë.

Erdhe i ngrysur në fytyrë, duke na bërë të besonim se nuk ishe si të tjerët, se ishe ndryshe. Po na krijoje imazhin e një trajneri tip “maço” a tip “pirati”, quaje si të duash, i cili e dinte vet se çfarë duhet të bënte, se nuk kishte nevojë për këshillat apo sugjerimet e të tjerëve, se nuk do të bënte si thonë të tjerët… E si fillim të ndoqi fati; shkoi e hyri një gol “rrakapjekthi” në mes të tallavisë së shiut, me baltën deri në gju dhe na dhe përshtypjen se je ti, po, po, kishte ardhur vet shpëtimtari.

Por, rrodhën ngjarjet, ndeshjet e humbura, minutat plot ankth, golat e pësuar pa shënuar dhe nuk e di, a e kupton se ku na ke katandisur? Tepër i mërzitur me humbjen ndaj përfaqësueses së Kosovës, shpresoja që këtij “pirati”, dikush që e njeh mirë futbollin tonë t’i shpjegonte se sa e rëndë ishte humbja ndaj tyre. E rëndë jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë. Vëllezërit e vegjël treguan me atë fitore aspak të rastësishme se e kishin kaluar vëllanë e madh në të gjitha aspektet e një përfaqësueseje futbolli. Pra, futboll shumë më cilësor, më agresiv, me dëshirë shumë më të madhe për të fituar, me lojtarë të shumtë kualitativë në fushë, por edhe në pankinë, duke pasur kështu një bazë të mirë për të rifreskuar ekipin e zbritur në fushë, e ndeshja të vijojë po njësoj.

Por, jo, sikur s’kishte ndodhur asgjë! Ne vijonim të humbnim e të humbnim, pa na bërë syri “tërc” e madje duke thënë nga radha në radhë se “u mundëm por e patë sa mirë luajtëm”! Ore “piratër”, por edhe më parë kemi luajtur shumë mirë dhe jemi rrahur ne, kjo nuk është ndonjë arritje e juaja.

T’ua them tani se ku na katandisët! Po! Na keni katandisur në atë farë feje, që nuk na bën më përshtypje fare se po luan futboll përfaqësuesja jonë, se e dime shumë mirë se do të rrihemi “si gomari në duhan” dhe jo vetëm kaq, por ditën dhe orën e ndeshjes, që të mos pezmatohemi më shumë kontrollojmë kanalet televizive se mos shohim ndonjë ndeshje tjetër më shumë të kënaqshme për ne. Po kjo nuk është gjë e re për ne, se të njëjtën gjë ka arritur te tifozët e tij të zjarrtë edhe Refik Halili me “Tironën”.

Pra, duke ju referuar edhe këngës “Sono un pirate, sono un signore”, “PIRAT” nuk qenke!

Ke ndeshje që humb dhe merr përsipër të gjitha përgjëgjësitë e humbjes, po këtë bëre edhe ndeshjen e radhës me Skocinë. Mirë, po nuk mjafton! Jo vetëm kaq, por na dalin edhe ca lojtarë e na thonë se fajin nuk e ka vetëm trajneri, por e kemi edhe ne. Edhe për ju nuk mjafton! Nuk kalohet kështu lumi, se ka kohë që ju ka ngordhur kali.

Duhet t’ju kishin pushuar nga puna si trajner, por kjo është temë për një shkrim tjetër.

Duhet të kishit dhënë dorëheqjen i nderuar Panucci, duke shpëtuar kështu pak yndyrë nderi nga lëkura juaj njerëzore e profesionale. Ajo që ndodhi në shkallët e stadiumit të Shkodrës me sportdashësit shqiptarë, duke sharë në korr vërtet ishte shumë e rëndë (ose ju nuk e keni marrë për të tillë ndoshta, nuk e di këtë, ju kërkoj edhe të falur), por duhet ta dini se sa kam vite që shkoj në stadium e shoh futboll, ajo gjë NUK KA NDODHUR NDONJËHERË NË STADIUMET SHQIPTARE.

Atëherë, nuk e kuptoj çfarë po pret që të shohësh ti (se ne jo më), se si do të dalë edhe ndeshja me Wellsin? E kujt i hyn në punë? Çfarë pret ti, që të fitosh me Wellsin dhe të vijosh punën? Jo, kjo nuk vete kështu.

E pra, me shumë turp njerëzor po ju them, (referuar gjithnjë këngës), që edhe “SIGNORE” nuk qenkeni.

Atëherë bëjeni, jepeni dorëheqjen, që jo vetëm të tregoni se “ju ka mbetur ende një fije zotnillëk”, por të na detyroni edhe ne t’ju kërkojmë të falur. Por bëjeni tani sa nuk është vonë. Pa na prishur punë ne, duke na lejuar që të kërkojmë e të gjejmë një trajner më cilësor, i cili të ketë kohën e duhur të ngrejë e organizojë një ekip më të denjë për ne.

Të falenderoj për mirëkuptimin dhe uroj që të gjindet dikush të ta përkthejë siç duhet këtë letër, e jo vetëm të ta përkëthejë, por edhe të ta shpjegojë ashtu siç duhet problematikën në shqip. /Blitz.al/

Nga Artan Selenica

Komento
Shperndaje