Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

(Këndvështrim) Mos bëni sikur çuditeni! Ka “1 milion arsye” se përse 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër vitin e kaluar…

(Këndvështrim) Mos bëni sikur çuditeni! Ka “1 milion arsye” se përse 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër vitin e kaluar…
August 25
10:19 2018

Nga Kejvin Kalo

Sipas të dhenave të fundit të Instat, rreth 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk paskan lexuar asnjë libër vitin e kaluar, dhe mesa duket ky fakt ka surprizuar të gjithë opinion publik shqiptar, duke qenë se në fakt në vendin tonë numri i bibliotekave dhe i librarive është 5 herë më i lartë se numri i kazinove apo llotove!
Me thënë të drejtën, mua më duket pak e tepruar si shifër kjo e 1 milion vetave që nuk lexojnë, jo se nuk është e mundur, por ngaqë s’e di a kanë mbetur 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç në vendin tonë që dinë shkrim e këndim. Instati në fakt bën mirë që i nxjerr këto shifra, se duhet të dimë në çfarë drejtimi është kultura jonë e librave, po përpara kësaj duhet të kishte nxjerrë ndonjë studim pse ka 1 milion të papunë në Shqipëri, pse gjysmë milioni njerëz aplikojnë çdo vit për llotarinë amerikane apo pse 1 mijë studentët e mjekësisë duan të gjithë të shkojnë në Gjermani. Jemi që jemi këtu, të dalë dhe me ndonjë shifër që konfirmon faktin se qeveria shqiptare është duke ulur shpenzimet e llogaritura për arsimin në vitet e ardhshme, nga 3.1-3.3% në 3%, duke e lënë të fundit në Ballkan, e jo më në Europë. Nuk mendoni dhe ju si unë që më shumë rrezik për shoqërinë tonë e për të ardhmen e vendit ka fakti që fëmijëve dhe të rinjve nuk po i jepet mundësia të arsimohen si duhet, që kur të dalin në jetë nesër-pasnesër të dinë çfarë është e mirë dhe ëfarë është e keqe, të dinë pse të protestojnë, të dinë sa vlerë ka dija dhe mbi të gjitha të ndihen të lirë në mendime?

Nëse nuk jua mbushin mendjen këto problemet e vogla që ngrita pak më sipër, po të doni diskutojmë pse 1 milion njerëz shmangin librin. Po sikur t’ju them se nuk kanë çfarë të lexojnë? Jo se mungon letërsia, po nuk ka kush ua sjell letërsinë e mirë, plus shumë të pakët janë ata që sugjerojnë art të shkruar (ata që sugjerojnë vërtetë domethënë, jo ata që nxjerrin foto me librat me kokë poshtë në plazh). Unë pashë njërin në një rrjet social që kishte shprehur tronditjen e tij për këtë studimin e Instat-it, po që vetë ky nga ana tjetër shpërndan foto të librave të Danielle Steel, Nicholas Sparks, madje libri fundit që sugjeronte për ndjekësit e tij ishte “50 Shades of Gray”. Çfarë faji kanë ndjekësit që preferojnë më shumë të lexojnë gazetat sportive se sa të ndjekin këshillat e tij? Unë personalisht vitin e fundit nuk di në i kam lexuar gjithë e gjithë 5 libra. Mendoj se ka të bëjë fakti që unë, ndoshta dhe disa nga moshatarët e mi, gjithë klasikët botërorë duke filluar nga Kamy-ja dhe deri te gjigandët shqiptarë si Fishta i kemi lexuar gjatë periudhës së gjimnazit, dhe letërsia e re që na ofrohet tani, epo s’dua ta them që lë shumë për të dëshiruar, por aty afër. Çfarëdo që të thoni unë mund t’jua kthej me faktin se në shtëpi kam një biblotekë personale që i kalon 500 librat, pra mendoj se di çfarë është një autor që shkruan mirë. Jo se dua të hap ndonjë debat, po s’e di sa e keni pasur mundësinë t’i lexoni librat e viteve të fundit të Kadaresë; nëse i keni shfletuar do e kuptoni për çfarë po flas. Nuk e di si letërsia botërore kaloi nga Pamuku në më të mirën e tij dhe “100 vjet vetmi” e Marquezit, tek librat e “Hunger Games” apo si devijoi letërsia shqiptare nga Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosja, te “Vrima” e famshme dhe shprehjet e Elhaid Cufit në Instagram.

Mos flasim për përfaqsueset e shtëpive botuese që dalin gjithandej para “Panairit të librit” për të promovuar libra të cilët historinë e kanë si traileri i ndonjë seriali të dobët të Netflix ose për vetë organizuesit e panairit që e organizojnë në atë mënyrë që të duket sikur po shkon në ndonjë “tako dhe përshëndet” me Blendi Fevziun. Ja pra pse nuk lexojnë shqiptarët libra, jo të gjithë këta 1 milionët që përmenden, po të paktën ata si unë që kanë lexuar, tani mendohen dy herë para se të marrin ndonjë botim në dorë. Pastaj pjesa tjetër, që në perëndim do ishin ata që e kanë braktisur librin për teknologjinë, këtu tek ne përfshijnë ata që punojnë gati 10 orë në ditë për pagën minimale dhe duhet të organizojnë ditën në mënyrë që të takojnë nja 2 orë ata të shtëpisë para se të bjerë nata. Guxim kanë pasur ata që i kanë pyetur këto të lartpërmendurit: “Më falni, sa libra keni lexuar vjet?”, ndërkohë që kanë qenë në pushimin nga puna puna në Call center.

Në fund dua t’ju sqaroj që nuk mendoj se është ndonjë lajm i mirë ky, përkundrazi, por nuk është as ndonjë shifër që të na “hedhë gojën në tokë”, mendoj se ka qenë para nesh gjatë gjithë kohës. Në ka ardhur për shkak se nuk ka më letërsi të mirë, se nuk kanë kohë (realisht) njerëzit të lexojnë  apo se thjesht e kanë të vështirë të gjejnë një model i cili t’i këshillojë çfarë të lexojnë (po të doni më pyesni se jua tregoj unë kë të ndiqni) kjo nuk ka shumë rëndësi. Nëse doni të ndryshoni diçka, ju që e shpallët për 3 muaj rresht zjarrin në biblotekën kombëtare “tragjedi kombëtare”, filloni fushatën dhe nxitini njerëzit të lexojnë, tregojuani çfarë të lexojnë. Kur të mbaroni me këtë, filloni shihni pak këto hallet e tjera, pse ne që kemi lexuar Remarkun dhe Balzakun dhe që e dimë çfarë rëndësia ka liria, nuk kemi fuqi të ngremë zërin për hallet tona, çfarë problemi kemi si shoqëri që jemi të ndrydhur dhe pse po lejojmë ligjvënësit tanë të shkelin arsimin, një nga të drejtat themelore të njeriut. Thënë kjo, lexoni sa më shumë, lexoni librat e shkollës, librat artistikë, librat e makinës që ngisni dhe librat e Harry Potter, këto të fundit po i fus se i kam qejf vetë. /Blitz.al/

Share