Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Këndvështrim) Kjo është për Kejdën, vajzën e Majlinda Bregut dhe për të gjithë modestët e tjerë me 23.6 mijë ndjekës në Instagram

(Këndvështrim) Kjo është për Kejdën, vajzën e Majlinda Bregut dhe për të gjithë modestët e tjerë me 23.6 mijë ndjekës në Instagram
June 26
13:28 2018

Ndoshta ju, me të drejtë menduat se nëse do të ishte një shkrim që duhet të lexonit sot, duhet të ishte për gjendjen e tmerrshme në të cilën ndodhet aktualisht Biblioteka Kombëtare, ku mijëra libra të lagur e të dëmtuar nga shiu, janë hedhur shkujdesur, “në pikë të hallit” sikur të kërkojnë shpëtim, por, duke qenë se librat e Bibliotekës Kombëtare nuk kanë 23.6 mijë ndjekës në Instagram, ndërsa Kejda, vajza e Majlinda Bregut i ka aq, vendosa që në këtë shkrim t’i drejtohem asaj.

Nëse keni një profil në Instagram, në pjesën e kërkimit, mjafton të shtypni “Kejda” e menjëherë do ju shfaqet ajo. Një vajzë e re, e bukur, energjike, me pamje dhe foto mjaft të kuruara, nga ato vajza që në fakt ia vlen t’i kesh në Instagram sepse ta zbukurojnë kryefaqen. Por edhe në rast se nuk doni ta ndiqni, profili i saj është publik ndaj dhe mund ta vizitoni sa herë të dëshironi.

Njësoj kështu kanë vepruar edhe disa faqe Instagrami e gazetarë portalesh, që me të hyrë në profilin e Kejdës, kanë marrë nga aty ç’kanë gjetur dhe me subjektivitetin e tyre tërësisht të lirë e të lejuar për t’u shprehur, kanë vendosur të komentojnë buzët e Kejdës, duke treguar se bukuroshja e Majlinda Bregut i është drejtuar ndërhyrjeve estetike për t’i ndryshuar këto të fundit. E në fakt, lajme të tilla s’janë më çudi. Më tregoni, sa herë në ditë ju rastis të lexoni lajme të tilla për njerëz publikë: shumë të famshëm apo pak të famshëm nuk ka rëndësi xhanëm.

Kejdën, që shfaqet e lirshme, duke shijuar pa kokëçarje jetën e saj prej të reje, me plot ngjyra e udhëtime, për çudinë time, e kishin bezdisur shumë këto lajme rozë lidhur me figurën e saj, e në nerva e sipër (le të shpresojmë që s’ka qenë i mirëmenduar si reagim), ajo ka rrëfyer disa rreshta në Instastory ku shkruan:

“Nuk e kuptoj përse duhet të shoh emrin tim në tituj portalesh për të tilla lajme që nuk i hyjnë në xhep askujt, por në një farë mënyre e kuptoj injorancën dhe dëshirën e ca shqiptarëve palaço për të komentuar e nxjerrë mllef për këdo, pavarësisht se mendoj që pikërisht ky popull ka halle më të mëdha se të zgjidhin a i kam fryrë unë buzët apo a e kam zvogëluar hundën. Faqes “Vipat e Bllokut” dhe portaleve që merren me të tilla lajme i them se unë nuk e konsideroj veten VIP dhe s’kam bërë asgjë për të qenë e tillë. Nuk merrem me muzikë, televizion dhe s’jam në konkurs për t’i zënë vendin asnjërës, as për pamje as për punë. Më vjen mirë që asnjëherë s’pranova të jem pjesë e sipërfaqësores ku jetoni. Tung” – ka përfunduar ajo.

Por le të ndalemi fjalë më fjalë tek reagimi i Kejdës për ta kuptuar më mirë.

“Nuk e kuptoj përse duhet të shoh emrin tim në tituj portalesh për të tilla lajme që nuk i hyjnë në xhep askujt…”

Më lër të të shpjegoj përse je në lajme Kejda, nëse vërtet nuk e kupton. Sot jetojmë në dekadën e rrjeteve sociale. Personazhet që janë shumë të ndjekur në rrjete sociale, janë automatikisht furnizues lajmesh për portalet dhe faqet e ngjashme. Shtuar faktit që ti vetë ke zgjedhur të kesh një imazh publik në Instagram ku ndiqesh nga plot 23 mijë e 600 njerëz, ti je vajza e Majlinda Bregut, një zonje e cila më shumë se gjysmën e saj të jetës e ka kaluar si personazh publik me shumë influencë në politikën shqiptare. Duke qenë se neve si shqiptarë, na hyn shumë në xhep se çfarë bën Majlinda Bregu (si një politikane e cila më shumë se gjysmën e karrierës është paguar nga taksat e shqiptarve dhe mirë kemi bërë sepse është me të vërtetë një profesioniste dhe këtë nuk e mohon njeri), automatikisht na hyn shumë në xhep se çfarë bën ti. Nëse për një çast i referohemi edhe faktit se ti në Instagram nuk shfaq një jetë shumë të thjeshtë, modeste dhe private, sigurisht, kurioziteti dhe furnizimi për lajme rozë bëhet më i kollajtë. Por kjo ka qenë gjithsesi zgjedhja jote.

“…por në njëfarë mënyre e kuptoj injorancën dhe dëshirën e ca shqiptarëve palaço për të komentuar e nxjerrë mllef për këdo, pavarësisht se mendoj që pikërisht ky popull ka halle më të mëdha se të zgjidhin a i kam fryrë unë buzët apo a e kam zvogëluar hundën.”

Unë realisht Kejda, mendoj se edhe amerikanët kanë halle shumë më të mëdha se sa të dinë se përse Khloe Kardashian ka vendosur të vazhdojë të jetojë me Triastian Thompson pasi ky i fundit e tradhëtoi. Gjithashtu unë mendoj se fëmijët në Afrikë kanë më shumë nevojë për para se sa FIFA që është duke mbledhur miliona me Kampionatin aktual të Botërorit në Rusi. Po, edhe ne kemi shumë halle më të mëdha se buzët e tua, por kjo nuk e përjashton mundësinë që një gazetar showbizi që me lajme “lemonadë” duhet të merret, të shkruajë edhe për ty, ashtu si për këdo fëmijë tjetër politikanësh, apo të rinj të tjerë që vendosin të mbajnë një publik të hapur dhe kanë plot 23.6 mijë ndjekës në Instagram.

“Faqes “Vipat e Bllokut” dhe portaleve që merren me të tilla lajme i them se unë nuk e konsideroj veten VIP dhe s’kam bërë asgjë për të qenë e tillë”

Dakord, e kuptojmë që nuk e quan veten VIP, por jam e bindur që ti e di shumë mirë se sot VIP-at nuk kanë brirë, thjesht kanë ndjekës në rrjete sociale. Kështu që VIP në kuptimin e parë të fjalës dhe mund të mos jedh apo mund të mos e ndjesh se je, ama, personazh sigurisht që je. Dhe jo pa “faj”, e riktheksoj, ti ke zgjedhur një jetë publike viruale, vetë, pa të imponuar askush.

“Nuk merrem me muzikë televizion dhe s’jam në konkurs për t’i zënë vendin asnjërës, as për pamje as për punë”

Me një kërkim të thjeshtë në Instagram, ti Kejda ndiqesh më shumë në Instagram se aktori Amos Zaharia, instrumentisti Patris Berisha, këngëtarja Anjeza Shahini, politikania Erisa Xhixho, moderatorja Vilma Masha, modelja Arselajda Buraku apo sportistja Klodiana Shala. Pra, nuk ka rëndësi të merresh me muzikë, televizion apo diçka tjetër që të kthehesh në personazh të rrjeteve sociale. Ti pa bërë asgjë, veçse duke reklamuar jetën tënde ke arritur të kesh 23.6 mijë ndjekës. Nëse dëshiron t’i zësh vendin ndonjërit prej personave të mësipërm, mundësinë e ke. Kështu funksionojnë gjërat sot.

“Më vjen mirë që asnjëherë s’panova të jem pjesë e sipërfaqësores ku jetoni. Tung”

Ndërsa mua më vjen shumë keq, që sidomos si vajza e një politikaneje që gjithmonë është munduar t’i sjellë Europën më pranë Shqipërisë, ti na çon shumë larg, duke distancuar veten tënde nga “sipërfaqësorja jonë”, e cila, sigurisht ekzsiton dhe ti as nuk gënjen dhe as nuk ke faj për këtë. Por mos ndoshta, ti duke qenë më pranë mami Majlindës dhe miqve të saj, ke më shumë influencë të thuash se në këto 20 e kusur vite post-komunizëm ne jemi sërish në vendnumëro, apo ç’të duhet ty, ti s’ke pranuar ndonjëherë të jesh pjesë e jona?

Tung,

Sidrita Minxhozi (që të ndjek në Instagram, sepse me të vërtetë më pëlqen shumë profili yt, veshjet dhe udhëtimet që bën)

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje