Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

(Këndvështrim) Fati ynë, shpresë dhe marrëzi…

(Këndvështrim) Fati ynë, shpresë dhe marrëzi…
February 12
13:59 2019

Nga Elind Selenica

Fillimisht dua ta nis këtë shkrim duke i kërkuar ndjesë për huazimin e frazës në titull, personaliteteve që mundësuan këtë kryevepër të muzikës shqiptare, e cila me interpretimin e pashoq të Aurela Gaçes në vitin 1997, vazhdon edhe sot “të hajë bukë veç” në tregun tonë të tingujve me çmim shumice, ku mjafton vetëm një investim i vogël për të pasur koleksionin tënd gjoja artistik.

Ndjesë pasi po e hedh në këtë shkrim që kërkon sadopak të pasqyrojë mbresat personale (dhe jo vetëm), që vijnë si rrjedhojë e situatës në të cilën të gjithë sot po jetojmë, nëpër të cilën po përpiqemi të mbijetojmë shpirtërisht e profesionalisht.

Ka ardhur një kohë në këtë Shqipërinë tonë të dashur, kur zgjohemi çdo mëngjes për të shkruar një faqe të re të jetës sonë mes shpresës dhe marrëzisë kolektive!

A jemi në gjendje ta përcaktojmë vet fatin tonë, apo do të vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë frazës së prindërve tanë dhe të brezave të mëparshëm, se “kështu paska qenë e shkruar”?

Pas një eksperience thuajse 5-vjeçare në botën e showbizit, gjatë muajve të fundit kanë qenë të shumta pikëpyetjet e ngritura në kokën time rreth asaj që “dua të bëhem kur të rritem”.

A ja vlen të vazhdoj të merrem me industrinë “rozë” që më së shumti prodhon kukulla plastike dhe të fortë me Rolex në dorë? A është më e drejtë për mua në radhë të parë, e po ashtu për publikun, reklamimi i disa figurave që ndryshe janë, e ndryshe shiten? A nuk të vjen të plasësh sa herë që bëhesh pjesë e një teatri ku e vërteta jepet për sa kohë kamerat janë të pandezura, e një tjetër shfaqje vihet në skenë kur atë që thuhet do ta dëgjojnë të gjithë?

Dilema të vogla e të parëndësishme krahasuar me çka vërtetë ka rëndësi, ama nisur nga vetja do të mund të hedhim hapa të sigurt e të qëndrueshëm në rrugëtimin që na pret.

Pikërisht këto dilema më shtynë që për një periudhë të caktuar të hidhja sytë më shpesh përtej flluskës së personazheve “VIP” të muzikës e televizionit, për të gjetur ato përgjigje që ndoshta do të më bënin të ndihesha vërtetë mirë e i qetë me veten, por…

Duhet marrë frymë thellë këto kohë, sa herë që ky realitet i degraduar politik, ekonomik e moral na servir që në mëngjes një pjatë për të cilën jemi të sigurt se do të na helmojë, por që jemi të detyruar ta përtypim. Duhet marrë frymë thellë, por jo dhe aq thellë, se kemi arritur një pikë ku gjithçka na ka ardhur në majë të hundës, mendojmë largimin pasi edhe ajri është i infektuar me një lloj shthurjeje që nuk na ndan dot nga pjesa tjetër e shoqërisë.

“Na jep një engjëll të na mbrojë, o Zot”, – do të këndonte Aurela, sikur këngën t’ja kishte dedikuar vendit të saj në ditët e sotme, ama duke e ditur që edhe engjëjt do ta mendonin 2 herë para se ta hidhnin një hap të tillë.

Shumëkush do të thoshte: “Nuk është kështu! Tepër të zezë po e paraqet situatën…”

E vërtetë, nuk është plotësisht kështu, por nuk po na ofron askush një peizazh tjetër. Është e vërtetë gjithashtu se përpjekjet e atyre që duan të na hedhin hi syve janë të mëdha, të dhunshme, të cilat falë mediave kërkojnë të na bëjnë të mendojmë se gjithçka është në rregull.

Po kë të besojmë? Një qeveri së cilës prej muajsh po i plasin në dorë skandal pas skandalesh? Një qeveri, tradhtare të premtimeve të veta?

Apo ta përqëndrojmë vëmendjen tek një opozitë kllounësh që nuk frymëzon dot as organet e veta gjenitale?

Familje të braktisura në kufijtë e mbijetesës, prindër që kanë sakrifikuar gjithë jetën e tyre për t’i trashëguar fëmijëve asgjë tjetër veç përkujdesjes deri në 25 vjeç dhe disa foto të lumtura të kohës kur ishin “më mirë ekonomikisht” se sot, të rinj injorantë me diploma, të tjerë të talentuar “të pafat” e një pjesë e mirë që i ka rënë për shkurt duke u bërë ushtarë kahesh politike. Është pikërisht kjo pamja që të kall datën, me të cilën duhet të bashkëjetosh, ndërkohë që përpiqesh të ndërtosh diçka të qëndrueshme për veten tënde.

Mjaftoi vetëm kaq për t’ju rikthyer me dashuri botës sime të showbizit. Fundja, ç’të keqe ka se Aurela Hoxha thotë që është 173 cm e gjatë, kur nuk i kalon as të 160-at? Kujt i prish punë Enca që para se të publikojë këngën e re, na tregon njëherë c*cat, apo se Noizy, Ledri, Capital T e kështu me radhë mund të ndezin nga nje teke hashash para koncerteve?

Do të nis t’i kapërdij më lehtë këto gjëra, por këtë herë me një mësim të mirë për veten: Fatin tonë nuk e ka në dorë askush nga të sipërpërmendurit, atë e kemi vetëm ne! Jemi ne që duke parë me shpresë drejt së ardhmes do të mund t’i mbijetojmë e njëkohësisht ta tjetërsojmë marrëzinë që na ka kapluar. Ne, “të marrët” jemi dhe do të mbetemi protagonistë në çfarëdo përrallë që kërkohet të na vihet para syve, e prandaj duhet reaguar sa më parë. Reagim që duhet ta nisim gjithmonë dhe vetëm nga ne, për ne, pa ia zgjatur dorën atyre që nuk u intereson gjë tjetër veçse të marrin për të mos dhënë asgjë!
“Koha e internetit” na mundëson të gjithëve shanset për të parë përtej çdo vështirësie, për të ndjekur shembuj frymëzues e për të investuar tek vetja me informacione që i shërbejnë formimit tonë si fëmijë, shokë, kolegë, prindër e qytetarë të denjë. Eksplorimi, njohja e aftësive tona dhe hedhja e hapave të duhur, ne kohën e mënyrën e duhur do të çojë në krijimin e një shoqërie të fortë, të emancipuar e aspak impotente, siç duan të na përshkruajnë.

E teksa përpiqeni t’i bëni të gjitha këto, merrni frymë thellë, por jo shumë thellë… /Blitz.al/

Share