Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Kartëvizitat e patriotëve” – nga Marin Mema

“Kartëvizitat e patriotëve” – nga Marin Mema
October 04
13:42 2017

Nga: Marin Mema

Dikur mund të mos kishte celularë apo adresa gjithmonë të njëjta e të sakta, por kartëvizitat nuk mungonin. Ato ishin tregues i pozitës  dhe nivelit të lartë shoqëror, ndaj njerëzit me pushtet mbanin gjithmonë të tilla. Mjaft patriotë shqiptarë mbanin kartëvizita ku përveç emrit e mbiemrit mund të shkruhej edhe pozicioni. Formati është thuajse i njëjtë si ai në ditët e sotme, por kjo është e përbashkëta e vetme,  sepse gjithçka tjetër ndryshon e përshtatet me kohën. Në grupin e kartëvizitave dallohet ajo e Sulejman Delvinës një prej politikanëve me më shumë influencë në shekullin e XX, kur ka mbajtur poste jo thjesht ministrore, por ka qenë edhe kryeministër i vendit. Fare e thjeshtë është kartëvizita e Faik Konicës ashtu si ajo e Ekrem Bej Libohovës, një tjetër figurë e njohur me pozicione të larta në kabinetet e kohës. Te gjitha kartëvizitat kanë veçantinë e tyre, e kjo sepse fshehin historinë individuale të gjithësecilit prej personaliteteve.

Mes tyre duket ajo e Dom Ndoc Nikajt, klerikut patriot që la pas mëse 30 vepra të ndryshme, por që jetën e mbylli burgjeve të komunizmit në vitin 1951. Nuk mungon kartëvizita e Mehdi Frashërit, intelektualit e politikanit, e një prej figurave më interesante të historisë moderne të Shqipërisë. Ka shumë të tjera që nga ato të ushtarakëve të lartë, deri tek studentët e thjeshtë siç ishte për kohën Mehmet Vokshi.

Sot ato duken thjesht copëza kartoni e mbeten të mbyllura arkivave, por dikur qëndronin në duart e këtyre burrave, personaliteteve që lanë pas historinë.

/Blitz.al/

Shperndaje