Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Karamelet që treguan mashtrimin – nga Marin Mema

Karamelet që treguan mashtrimin – nga Marin Mema
November 14
22:41 2017

Nga: Marin Mema

Një nga zonat ku fuqitë e mëdha në vitin 1913 dërguan Komisionin Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve, ishte edhe hapësira mes Ersekës e Leskovikut. Siç thekson edhe Kostë Çekrezi një ndër patriotët dhe intelektualët më të njohur të kohës, njëkohësisht edhe pjesë e shoqëruesve të komisionit, grekët ishin përgatitur mjaft mirë për të manipuluar e ngatërruar gjithçka. Gjatë udhëtimit në juglindje të Shqipërisë, komisioni u përball me greqisht-folës të cilët ishin sjellë në mënyrë të organizuar nga vendi fqinj për të treguar në këtë mënyrë se kjo pjesë nuk kishte shqiptarë.

Refugjatë e kolonë të shumtë u nxorrën nëpër rrugë, ndërkohë që popullsia vendase shqiptare u detyrua të mos dilte nga shtëpitë, në të kundërt trupat greke i masakronin apo i internonin. Fshatra të tërë u lyen me ngjyrat e flamurit grek ashtu siç u veshën edhe shumë nga banorët e rinj të tyre. Në këtë situatë të nderë, një patriot kolonjar la vulën e tij, me një zgjuarsi të hollë që hodhi poshtë shumë nga planet e sofistikuara të fqinjëve.

Përgjatë udhëtimit përmes fshatrave të Ersekës e Leskovikut, autoritetet greke kishin përgatitur shumë nga skemat e tyre deformuese. Një e tillë ishte ajo e të përdorurit të një grupi fëmijësh shqiptar që të këndonin e luanin duke bërtitur në gjuhën greke ballë godinës ku qëndronin autorietet e komisionit. Por pikërisht në këtë moment që sipas historianëve ka ndodhur në fshatin Borovë, patrioti Hasan Qinami hodhi një grusht monedhash dhe karamelesh mes fëmijëve. Kaq mjaftoi që ata të nisnin një sherrnajë me njëri tjetrin, tipike për moshë, ku padyshim përdorën gjuhën e mëmës, shqipen.

Kostë Çekrezi kujton në këtë rast se komisioni nisi të qeshë me zë të lartë, duke kuptuar deri diku atë që po ndodhte. Nga krahu tjetër një veprim i tillë i dha guxim shumë shqiptarëve të ndrydhur me dhunë që të flisnin hapur për maskaradën e ideuar nga  pala greke. E gjithë skema u bë thuajse qesharake, ç’ka irritoi ata që e inskenuan atë. Në këto kushte duke mos mundur të manipulojnë antarët e komisionit, autoritet greke ju rikthyen dhunës. Ata nxorrën në terren mjaft kriminelë ordinerë, që përveçse kërcënonin ndërkombëtarët, shprehnin hapur edhe kërcënimin për luftë.

Ky ishte vetëm një akt që mundi të shmangë një cungim të mëtejshëm të zonës mes Ersekës e Leskovikut, por që për fat të keq nuk arriti megjithatë të shpëtonte territore të tëra, që ju shkëputën padrejtësisht Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

/Blitz.al/

Shperndaje