Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Karakteri i ilirëve…

Karakteri i ilirëve…
March 05
18:55 2017

Nga Marin Mema

Cilat janë disa ndër elementet që u kanë bërë përshtypje autorëve të lashtë mbi jetën e ilirëve? Sigurisht, ka pasur të tillë që janë përpjekur, në bazë të interesave dhe lidhjeve të momentit, t’i identifikojnë me terma negative, shpesh edhe përçmuese, por ka të tjerë që dukshëm janë dashuruar me karakterin e tyre. Nikolla i Damaskut, p.sh. i cilëson autariatët si luftëtarë që nuk i linin pas të plagosurit e tyre, por i ndihmonin deri në fund duke u përpjekur gjithmonë t’i shpëtonin, pavarësisht sa e rëndë mund të ishte plaga. Të njëjtat virtyte ua njeh ilirëve në tërësi edhe Diodori qe thekson se ata ishin të gatshëm në çdo rast të jepnin jetën për tokën e tyre.

Tit Livi i jep rëndësi karakterit dhe organizimit të madh të dardanëve që, sipas tij, nuk i prishin kurrë radhët në beteja, çka bën që të mos zihen robër. Ata janë të ashpër dhe luftëtarë të zotë.

Një element për të cilin shumë autorë bien dakord është fakti se gratë ilire ishin jo vetëm të mençura, por edhe të dhëna mjaft pas familjes. Ato bënin shumë punë njëkohësisht, çka e nënvizojnë Herodoti, Aeliani, Varroni e mjaft të tjerë, që krijojnë imazhin e një gruaje që teksa kujdeset për fëmijën, mund edhe të gatuajë, të shkojë për dru apo të ruajë bagëtinë.

Por askujt nuk duhet t’i duket ky profilizim i dhënë për gruan ilire si shembull i një shoqërie të mbyllur dhe paragjykuese. Përkundrazi, ndryshe nga gratë greke, që ishin të detyruara të qëndronin në shtëpi, pa pasur të drejtën të shoqëronin bashkëshortët në gostitë e mëdha, ato ilire ishin pjesë e barabartë e tyre. Jo vetëm kaq, por siç theksojnë Eliani e Atheneu krah burrave të tyre ato shtroheshin në tryeza edhe me të huaj e ishin të lira të pinin për shëndetin e cilitdo nga të ftuarit.

Gostitë plotësoheshin me muzikën. Dardanët, p.sh. përdornin fyellin apo molosët kishin traditë, siç thekson profesor Neritan Ceka, një kërcim të thjeshtë e të ngadaltë.

Vera e birra konsumoheshin mjaft në Iliri e shpesh për këtë, autorë si Atheneu apo Theompopi, janë përpjekur t’i paragjykojnë e përçmojnë ilirët duke i cilësuar thuajse si të alkoolizuar. Ata theksojnë se burrat sa më shumë pinin, aq më shumë shtrëngonin barkun me brezat e tyre. Atheneu nga Greqia, si duket i pamësuar me këtë realitet në vendin e tij e me një dozë të theksuar negativiteti, shkruan se gratë ilire, pas përfundimit të gostive, mbanin burrat e tyre në kurriz.

Vera e mjaltit ishte pija kryesore, e cila siç ka shkruar Aristoteli ka pasur një traditë të fortë e të vjetër te taulantët. Pa harruar sabajen, siç quhej birra apo pija që përdorej në Iliri nga shtresat e varfra.

Shperndaje