Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kalaja që pret të tregojë…

Kalaja që pret të tregojë…
March 24
20:54 2018

Nga: Marin Mema

Kalaja e Lëkursit mbi kryet e qytetit të Sarandës mendohet se është ngritur diku në shekullin e XVI . Arkeologët i qëndrojnë tezës se periudha përkon me vendimin e Sulltan Sulejmanit për të sulmuar ishullin e Korfuzit. Megjithatë nuk mund të hidhet poshtë mundësia që kjo kala, e ndodhur krah fshatit të vjetër të Lëkursit, të ketë fillesa më të hershme. Ajo gjendet mes rrugëve lidhëse të skelës së dikurshme të Onhezmit, Sarandës së sotme dhe Foinikes, por edhe qëndrave të tjera të lashta siç padyshim është Butrinti, ndaj nuk do të ishte utopi që kjo pikë të ketë një histori më të hershme. Është e vështirë të mendosh se banorët u vendosën këtu, pa patur më parë një qendër të banuar nga paraardhësit e tyre.

Pozicioni dominues mbi të gjithë zonën u shfrytëzua nga një garnizon me mbi 200 ushtarë osmanë që në këtë mënyrë mund të monitoronin lehtësisht pjesën tjetër të kontrolluar nga venecianët.  Të dhënat për kalanë janë të pakta dhe mbeten vetëm në trajtën e atyre të publikuara zyrtarisht nga organet përkatëse. Në fakt ato janë të pamjaftueshme për të rindërtuar një histori për të qenë duke i dhënë në këtë mënyrë kalasë të vërtetat e saj të pakundërshtueshme.

Dihet se ajo u pushtua në 1878 nga grekët kur u dogj dhe u braktis edhe fshati Lëkurës që ngrihej në krah të mureve të kalasë. Pikërisht këtu u zhvillua edhe një ndër betejat më të ashpra nga trupat kombëtare që kërkuan më çdo kusht të rifitonin këtë vend strategjik, por edhe të çlironin zonën nga pushtuesit. Pas betejash të ashpra në “Qafë Gjashtë” Dhivër, Lëkurës etj, trupat andarte greke u thyen dhe në mars 1878 u detyruan të lënë të gjithë zonën e Sarandës.

Sa histori mund të fshihet në këtë vend? Këtë askush nuk mund ta thotë me siguri. Fakt mbetet se Lëkursi për shumë arsye nuk ka treguar të gjithë të shkuarën e tij ajo mbetet ende jo pak enigmatike./Blitz.al/

Komento
Shperndaje