Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kalaja e Trajanit në Devoll…

Kalaja e Trajanit në Devoll…
May 20
13:57 2017

Nga Marin Mema

Ajo mban emrin e një perandori me origjinë ilire të Romës së lashtë, edhe pse rrënjët i shkojnë që në periudhën e hekurit. Kalaja e Trajanit, jo larg fshatit Tren të Devollit, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare që, për fat të keq, pak njihet nga publiku i gjerë.

Kjo kala ishte një ndër më të mëdhatë në territorin e Ilirisë, duke u shtrirë në plot 22 hektarë, ndërsa muret e saj kanë një gjatësi të përgjithshme prej 3 kilometrash, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Gjerak Karaiskaj në veprën e tij “5 mijë vjet fortifikime”.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, ajo ka pasur pesë radhë muresh, çka tregon sigurinë e madhe që ofronte. Sigurisht, mungesa e gërmimeve të mirëfillta arkeologjike nuk shuan pikëpyetjet e mëdha që ekzistojnë ende për këtë vend, siç është edhe ajo që lidhet me emrin e saj.

Trajan Decius identifikohet si një ndër perandorët e rëndësishëm të Romës së lashtë, edhe pse koha e shkurtër e qëndrimit në pushtet nuk ia lejoi të plotësonte historinë e tij. Perandori Trajan njihet për përballjet me Gotët, ballë të cilëve edhe u vra i tradhtuar. Megjithatë, historia e konsideron si një prijës të vetësakrifikuar për të shpëtuar Romën e lashtë. Drejtimi i tij është i lidhur jo thjesht me sukseset si ushtarak, por edhe si një drejtues i aftë e investues i mjaft objekteve të Romës së atëhershme.

E pamundur të thuash diçka më shumë, sepse gjithçka tjetër do të ishte ose hamendësim ose abuzim, sa kohë faktet që vijnë nga arkeologët janë të kufizuara. Sot kalaja është në gjendje të mjerueshme, për të mos thënë në prag të zhdukjes. Çfarë fsheh nëntoka e këtij vendi? Çfarë do të jepnin gërmimet arkeologjike? Padyshim historia e kësaj kalaje lidhet jo thjesht me një sërë fortifikimesh të tjera të zonës së Devollit, por edhe me shpellën e famshme të Trenit, një ndër vendbanimet më të rralla prehistorike, ashtu si me pikturat e shkëmbit të Spilesë që gjithashtu flenë.

Fortifikime të tjera pak të njohura janë ato të Menkulasit, Shuecit, Ventrokut e me radhë. Shumë kanë humbur, të tjera mezi ruajnë gjurmët e dikurshme përmes legjendave e të dhënave që vijnë nga autorë të ndryshëm, siç është ajo e Pilurit, që ndërthur edhe një histori të debatueshme e për të cilën ka mjaft qëndrime . Fakt është se të gjitha këto pasuri jo vetëm nuk po përdoren për të ndërtuar historinë apo për të sjellë e afruar turistë, por po lejohen të zhduken sikur të mos kenë asnjë vlerë./Blitz.al/

Shperndaje