Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ju që vendosni rregulla për bukurinë, a e keni vënë re sa të shëmtuar jeni?

Ju që vendosni rregulla për bukurinë, a e keni vënë re sa të shëmtuar jeni?
February 28
16:58 2019

Nga Ana Limani

I dashur Alexander dhe të gjithë ju që jo vetëm e duartrokitët listën e tij të rregullave për të qenë një vajzë e bukur, por edhe e quajtët “burrë zotni”. Sipas jush që një vajzë apo grua të jetë e bukur duhet të jetë e hollë, të ketë aftësi të gatuajë, të ketë flokë të gjatë, të vendosë makijazh, të jetë femërore, të jetë e hijshme dhe sensuale, të depilohet edhe pa i thënë ai tjetri, të jetë e modës, të veshë rozë dhe ngjyra të tjera femërore, të dojë dhe dëgjojë burrat.

Atëherë le t’u kthejmë hakun. Që të jesh një burrë i bukur duhet të jesh me trup të stërvitur dhe muskuloz, duhet të kesh një biznes të suksesshëm që të më sigurosh kuzhinën e ëndrrave ku të gatuaj gjithë ditën, të kesh flokë të shkurtër dhe mjekër gjithnjë të kuruar, të jesh mashkullor dhe i fortë, të ndjekësh modën dhe të vishesh me markat me të njohura, të vishesh vetëm me të zezë që të jesh goxha burrë dhe të mos qash.

Tani sipas standarteve tuaja, sa të bukur ndiheni? Shumë të shëmtuar besoj! Epo kjo shëmti s’ka të krahasuar me atë të mendësisë suaj.

I dashur Alexander dhe të gjithë ju që jo vetëm e duartrokitët listën e tij të rregullave për të qenë një vajzë e bukur, por edhe e quajtët “burrë zotni”. E para, bukuria është subjektive, çfarë mua më duket mrekulli, ty të duket e shëmtuar. Sepse s’ka të bëjë me asgjë më shumë sesa ndjesinë që mua më jep. Meqë kërkonit kuptimin e vërtetë të fjalës,në fjalor e bukur është:

“Që ka tipare të rregullta, vija a lëvizje të harmonishme, gërshetim të këndshëm ngjyrash e tingujsh, brendi të shëndoshë e tërheqëse etj. dhe që me këto të jep kënaqësi e të bën ta admirosh; që është i përkryer në llojin e vet; që shquhet e çmohet për përmbajtjen e lartë; që vlerësohet e pëlqehet shumë për vetitë e mira morale, për ndjenjat, për karakterin etj.; i mbushur me ngjarje e veprimtari që sjellin mirëqenie, gëzim e lumturi.  I dobishëm, i vlefshëm; që ecën e zhvillohet ashtu siç duhet, i mirë, i mbarë; shumë i përshtatshëm.”

Në rregull deri këtu?

Të jesh i bukur do të thotë të ndihesh i tillë. Do të thotë të pranosh atë veçantinë e tipareve të tua, ndoshta dhe jo perfekte, sepse do të thotë që janë reale. Do të thotë të kesh lirinë e zgjedhjes të bësh çfarë të dëshiron me pamjen dhe veten tënde. E bukur do të thotë që kudo ecën përhapet një “vibe” unik që të tjerët i bën të ndihen mirë. E bukur do të thotë të buzëqeshësh, ose jo (sipas zgjedhjes tënde).

Të jesh më e bukura në botë do të thotë pikërisht të mos ndjesh nevojën ta trajtosh veten si një standard i pakapshëm, dhe mbi të gjitha të mos e krahasosh asnjëherë qenien tënde me atë të dikujt tjetër. E bukur është të mësosh të sillesh me këdo, ndonjëherë dhe t’i tregosh vendin njerëzve që projektojnë pasiguritë e tyre tek tyre. E bukur është të mos i vësh një përkufizim vetes, sepse që në krijim je i bukur.

Madje të mos mundohesh ta ndryshosh bukurinë tënde, sepse kështu do gjesh njerëzit që përputhen me “llojin” tënd.

Dhe njerëzit e bukur i dinë të gjitha këto, ndërsa ata të shëmtuarit nuk lexojnë kaq gjatë, prandaj nuk po vazhdoj më tej. Vajza dhe djem, jeni të bukur në momentin që nuk sulmoni të tjerët për t’u ngritur ju, në momentin që zgjoheni në mëngjes dhe përqafoni veten, jeni të bukur kur karakteri juaj i veçantë dhe shpirti pasqyrohen kudo, jeni të bukur dhe besojeni që jeni të tillë.

E diçka e fundit, për të gjithë ata që do e kthejnë në një sulm personal: nuk intimidohem aspak nga listat juaj. Nuk jam e hollë dhe më pëlqejnë format e mia, gatuaj pak por me dashuri, flokët i kam të gjatë por po mendoj t’i pres, vendos makijazh kur jam në humor, nuk e kuptoj çfarë përkufizimi i jepni ju femërores,ndoshta jam e ndoshta jo, vesh të zezën më shumë se çdo gjë, depilohem dhe kur nuk jam e lidhur sepse nuk e bëj për asnjë mashkull, dua dhe i dëgjoj të gjithë, por nuk pranoj asnjë mendim injorant. Dhe në fund të ditës,ah sa shumë duan. Jam e bukur po aq sa ju. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje