Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ju lutem, më thoni që janë shaka 1 prilli!

Ju lutem, më thoni që janë shaka 1 prilli!
April 01
17:15 2016

U bënë disa ditë që dëgjoj lajme kaq të trishta sa nuk mbaj dot lotët ose jam unë që jam zbutur aq shumë sa kam flakur edhe atë koracë që e përdorja si armë vetëmbrojtjeje në këtë vend të çmendur. Këtu ku nuk ka më asnjë lloj çudie, ku asgjë nuk më habit, ku emocione më shkaktojnë vetëm ato lajme të mira që rrallë i marr… ndoshta ndaj edhe emocionohem.

E si mundet koraca ime e gjorë e ngritur me mund prej kaq shumë kohësh të mos thyhej nga e qara e një fëmije të vetmuar që më bëri të besoj te engjëjt?

Një fëmijë një vjeç e kyçur në një kasolle që jetonte me frymën e shenjtë. Një dritë e vogël që ndriçonte me ulërimën e lotët e saj atë kasolle tmerri, ku flinte e zgjohej  e sëmurë, e uritur, e mallkuar, e braktisur…E lënë në majë të një mali ku britmat nuk ia dëgjonte askush ose kujt ia zinte veshi  i injoronte dhe shikonte tutje duke shpresuar të mbaronte sa më shpejt e gjitha kjo, për të vazhduar jetën në mizerien e vet.

Kur të duhet të mbijetosh nuk ke kohë të bësh heroin…

E si të mos plaste koraca ime e ngurtë e ndërtuar me shumë durim kur ajo që e solli në jetë e besoi krijesën e saj te ca duar të hekurta që nuk i dhimbseshin faqet e njoma të kthyera mavi nga goditjet e ashpra të fatit! Si të mos thyhesha përballë ca syve të tretur që nuk dinë a të kërkojnë ndihmë se ndoshta këto shkelma e grushte fati i quan dashuri…

E si të mos thyhesh kur akoma dëgjon Kristin e vogël kur përgjërohej me lot në sy t’i shpëtonin jetën dhe i thanë të rrinte i qetë se nuk ishte një rast urgjent.

Ai ua plotësoi dëshirën…tani është shumë i qetë.

E si të ndihesh i mbrojtur kur para të vënë zemrën e një qenieje të gjallë, kushdo qoftë ajo, që pulson e shkulur jashtë trupit!

E si të mos thyhesh kur askush nuk ka më shpresë, kur zëri yt është aq i dobët sa humb pa dalë nga fyti! Si të mos thyhesh kur  ti nuk je dot ndryshimi, siç të kanë gënjyer në filma e libra me heronj!

E si të mos thyhesh kur kërkon me dëshpërim mes turmës së zymtë e të humbur ndonjë fije shprese, një cekje buzëqeshjeje, a një shikim të ngrohtë!

Sot është 1 prill! Sa për të qeshur, në një vend të kthyer në një shaka natyre, nuk mund të ketë kështu ditësh për të festuar!

Sot më shumë se kurrë e zhveshur dhe në dorë të Zotit, e pafuqishme për të ndryshuar, e mallkuar me fatalitet, iu hakërreva ndonjë perëndie që ndoshta na vëzhgon, meqë  Zoti im më ka braktisur: Pse gjithë këto nuk janë një shaka 1 prilli?

Pse nuk dilni e të na qeshni në fytyrë dhe të na thoni se kjo ishte një shaka e hidhur, bajate, pa kripë, se do mbarojë gjithçka dhe nesër do jetë ndryshe…

Ju lutem bëjeni…ju premtojmë , nuk do ju mbajmë mëri!

Shperndaje