Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Jo vetëm për Xhensilën dhe Besin! (nga Kozeta Kurti)

Jo vetëm për Xhensilën dhe Besin! (nga Kozeta Kurti)
March 17
16:51 2019

Nga Kozeta Kurti

Prej kohësh, nuk i ndjek lajmet që prodhohen as nga shkrues analfabetë instagrami dhe as nga komente anonimësh brenda tyre, por gjatë javës më tërhoqi vëmendjen një koment-këmbim i fotografuar që ma nisën në telefon. Në një postim të Xhensila Myrtezajt, dikush kishte shkruar pak a shumë, se çifti Myrtezaj-Kallaku nuk publikojnë foto të vajzës së tyre, se e kanë me “sindromë”.

Deri këtu niveli i diskutimit për mua personalisht, është në nivel mikro, sepse janë “sulmuar” dy persona, për shkak të popullaritetit të tyre në publik, gjë të cilën e kujtoj se e pësoi disa vite më parë, për të njëjtën arsye, pra popullariteti, edhe Jonida Maliqi.

Ndonjëherë kjo turmë e pangopur është e “justifikuar” për aq kohë, sa ne zgjedhim të ndajmë në rrjete sociale gjithçka që hamë, pimë, veshim, pllakat e banjës, çarçafët e shtratit, kripën e kuzhinës dhe në momentin që dikur, dikush vendos të jetë më i rezervuar, pjesa tjetër e konsideron si mungesë të dhënies së detyruar të llogarisë.

Në perceptim më makro, cili është mëkati, turpi i të qenit me sindromën down, autik, me probleme në zemër, në gjymtyrë, me shenja të dukshme në fytyrë? Çfarë të keqe ka këtu, për të kryqëzuar prindër, familje e shoqëri të tëra?

A zgjodhi dhe kërkoi vetë një fëmijë të vinte në jetë? Për më tepër me aftësi ndryshe e kërkesë të veçantë për përkushtim e vëmendje? Apo një prind zgjodhi të lindte një fëmijë të tillë, i vetëdijshëm që në këtë vend je subjekt e objekt bullizmi se je shume i shëndoshë, se je shumë i dobët, se ke hundën e madhe, se e ke operuar për ta ndrequr, se je i gjatë, se je i shkurtër, se je i zi, se je i bardhë, se je tradiconal (i vjetëruar, arkaik), se je më shumë i hapur seç duhet për një shoqëri ende me mentalitet të izoluar etj, etj.

Kushdo që konsideron ende sekret, për t’ja fshehur botës, një fëmijë me aftësi ndryshe, me siguri nuk i ka kuptuar ende problemet që vijnë si pasojë e këtij izolimi; si dikur që nënat, të cilat rrisnin fëmijë të tillë, luteshin që ata të vdisnin para vetë atyre, nga frika se nuk dinin në dorë të kujt do të përfundonin këta njerëz, të pazotë për veten, sepse pikërisht ata, prindërit e familjarët e tyre, duke ja fshehur të tjerëve, u kishin mohuar, ndonëse pa qëllim të keq, por për shkak të paditurisë, injorancës e mentalitetit, të drejtën për t’u ballafaquar me botën jashtë.

Ndaj mjaft! Nuk ka nevojë të na trokasë në derë një histori e ngjashme, për të kuptuar sa do lëndohemi nëse një të afërm tonin, e trajtojnë sikur të ketë sëmundje ngjitëse e ta izolojmë në karantinë.

Nuk më pëlqejnë egoistët, kam inat intrigantët, më bezdisin imponuesit, por mbi të gjitha, ndjej neveri dhe keqardhje njëherazi për njerëzit e këqinj.

Zoti a Natyra, a Universi, a në ç’djall besoni ju, ju vëntë në provë, jo për hakmarrje, por për të kuptuar se ajo që ju buron nga truri, jua artikulon goja e jua shkruan dora, vret shpirtërisht dhjetra njerëz, prindër, gjyshër, motra, vëllezër, që nuk ju kanë asnjë borxh! Asnjë!

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje