Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

JE SUIS ALBANAIS!

JE SUIS ALBANAIS!
June 16
19:35 2016

Fatmirësisht, ndryshe nga ç’jemi mësuar këta muajt e fundit, ky nuk është një slogan solidarizimi për ndonjë masakër terroristësh apo për ndonjë ngjarje të tillë famëkeqe!

JE SUIS ALBANAIS! Po, pak orë pas përfundimit të përballjes me Kombëtaren Franceze ndiej ta them me plot gojën këtë frazë që më mbush me kënaqësi që rrallëherë na vjen ta shijojmë.

Ndoshta është shumë herët të flasim në këtë mënyrë kur ende mbetet për t’u luajtur edhe një ndeshje, ajo vendimtarja për ecurinë. Me siguri shumëkush mund të shprehet se 0 pikë dhe 0 gola të shënuar në dy ndeshje nuk janë arsye të mjaftueshme për t’u shprehur krenarë, ama ky përfaqësim meriton më shumë se kaq.

Të diskutosh një çështje të tillë, i përfshirë nga emocionet, nuk është mënyra më e mirë, por fundja të ngresh një diskutim pa pasion është e kotë! I tillë është edhe futbolli…

Jo vetëm Kombëtarja Shqiptare e Futbollit por e gjithë Shqipëria përfaqësohet në Euro 2016, një ëndërr që u kërkua nga breza të tërë futbollistësh e drejtuesish, ëndërrimtarësh e luftëtarësh, që sot e shohin veten të zbresin në terrenin francez, edhe pse jo fizikisht.

Ama, ah sa e thjeshtë do ishte që të flisnim vetëm si specialistë futbolli!
Kjo eksperiencë është shumë më tepër. Kjo eksperiencë i vlen kujtdo shqiptari, kurdo e kudo ndodhet!
A nuk ishim ne që vetëm para pak muajsh thoshim: “Sa bukur do jetë të kualifikohemi, pastaj të ndodhë ç’të dojë!”?
A nuk ishim po ne, që duke parë nga vinim, ëndërronim thjesht të ishim pjesë e një eventi kaq madhështor?

Po, kjo është shpesh ajo që bëjmë: harrojmë nga vijmë, pa menduar aspak se për të synuar ëndrra më të mëdha duhet gjithmonë të kthesh kokën pas.

E çfarë mund t’i kërkosh më tepër një përfaqësimi të tillë, që para se të nisej dukej si ai fëmija i varfër e i pangopur që po nisej drejt “perëndimit’ për t’ia dalë mbanë e për t’u treguar të gjithëve se e nisi nga hiçi?

A mendojnë “specialistët”, analistët dhe kritikuesit e përhershëm se u nisëm për t’u ulur në një sofër ku prej vitesh uleshin Princër, Mbretër, Kontesha, Dukë e Gjeneralë, të rrahur me “fushëbetejën”?

A mendoni ndopak se ky përfaqësim i kalonte kufijtë e një fushe të blertë të mbushur me 22 lojtarë?

Nuk është e lehtë të nisesh drejt një “takimi” të përmasave ndërkombëtare, duke ardhur nga një vend i shtypur, ku shpresa dhe ëndrra zbehen me një të përplasur të qepallave se pushteti është shndërruar në monstër.
Nuk është aspak e lehtë të shkosh drejt zemrës së Europës e të mbulosh dekada të tëra vuajtjeje e sakrificash.

Është shumë e vështirë të ecësh me kokën lart në një shesh ku përballja e identiteteve, e kulturave, e karakteristikave shoqërore, atyre fetare e politike ka shumë vjet që i jep leksione gjithë kontinentit.

E pavarësisht këtyre, ia dolëm!

“Performanca” e shqiptarëve në Francë është e niveleve më të larta, duke filluar që nga parapërgatitja, menaxhimi, paraqitja fizike e futbollistëve dhe e stafit, aq e parëndësishme në dukje, për të vazhduar me një tifozeri “të çmendur” e po aq të disiplinuar në të njëjtën kohë!

“Mbi 20.000 shqiptarë në “Velodrome” dhe asnjë incident deri tani”, – shpreheshin mediat e huaja mbrëmjen e djeshme.

Të gjitha këto, të finalizuara nga një paraqitje e mirë përballë Zvicrës dhe një luftë “titanësh” kundër “gjelave”, edhe pse rezultati ishte i hidhur.

Çfarë mund të kërkojmë më shumë se kaq?

A po i  harroni sadopak problemet e streset këto ditë? A na vlen kjo? Nuk e di, po… ah sa mirë ndihemi kur ndihemi mirë! E gjithë kjo falë ëndrrës që u bë realitet. S’na mbetet gjë tjetër veçse ta shijojmë siç duhet.

Të paktën këto ditë, mund t’i themi Europës “Je suis albanais” me zë të lartë!

Komento
Etiketimet
Shperndaje