Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ishulli i panjohur…

Ishulli i panjohur…
July 26
21:21 2017

Nga Marin Mema

 

Ishulli i Shurdhahut apo Sardës, siç njihet ndryshe, është një ndër ato perla pak të shpluhurosura nga publiku i gjerë. Ai ndodhet rreth 15 kilometra nga qyteti i Shkodrës, në liqenin e Vaut të Dejës.  Dikur ai ka qenë një gadishull që rrihej tri anëve të tij nga lumi Drin. Në vitin 1971, me ndërtimin e hidrocentralit, lidhja me tokën u ndërpre dhe gjithçka përreth u rrethua nga ujërat e liqenit. Që të shkosh sot në këtë ishull me mjete të ndryshme lundruese të banorëve të zonës ka dy mundësi: duke u nisur nga Vau i Dejës ose nga fshati Rragam. Por ky nuk do të ishte thjesht një udhëtim për të shijuar natyrën e mrekullueshme, por edhe qytetin e Sardës, një sit arkeologjik që ndodhet në ishull.

Hëna Spahiu dhe Damjan Komata ishin dy arkeologët e parë që mundën të rrëmonin në këtë vend në vitet 1967 – 1970, duke nxjerrë në dritë elemente mjaft të vlefshme për identifikimin e tij. Edhe pse gjatë kërkimeve janë gjetur qeramika që datojnë që prej shekullit të katërt, një pjesë e murit të parë rrethues dhe varreza me kishën pranë saj përcaktojnë nisjen e jetës së mirëfilltë në qytet sipas dy arkeologëve në shekullin e gjashtë. Nuk mund të udhëtosh drejt Sardës e të mos kujtosh shumë prej kujtimeve të lëna pas nga studiues, hulumtues apo edhe diplomatë të huaj, të cilët e kanë vizituar këtë vend. George Von Hann, albanolog i njohur, i lidhi rrënojat e shumta me vendqëndrimin e peshkopatës së vjetër të Sardës. Konsulli francez në Shkodër, Degrand, bënte një përshkrim romantik, ndoshta i ndikuar nga natyra e rrallë ndërthurur egër për kohën me elementet arkeologjike.

Ai austro-hungarez, Teodor Ipen, vë në dukje muret dhe kullat imponuese. Antropologu gjerman Treger e quan mjaft të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve në vend e po ashtu historiani dhe politikani Milan Shuflai që e cilësoi një kështjellë të vjetër ilire. Qyteti kishte dy rrethime. Brenda të parit qëndronte popullsia e thjeshtë, ndërsa pas të dytit sundimtarët dhe klasa e fuqishme feudale. Perimetri i fortifikimit përbëhej nga kulla të shumta që shërbenin për një siguri më të madhe të tij. Sarda brenda këtyre mureve ishte mjaft e zhvilluar, gjë që faktohet nga rezultatet e gërmimeve arkeologjike. Edhe pse për syrin jo ekspert është e vështirë të rikompozojë pamjen e këtij vendi, arkeologët japin një panoramë më të qartë, sidomos të asaj që Sarda ofronte pas portës së rrethimit të parë, ku jetonte masa dërrmuese e qytetarëve. Në qytetin e Sardës ngriheshin dikur sipas gojëdhënave më se 365 altarë që u kushtoheshin shenjtorëve të ndryshëm. E nëse dikujt kjo shifër mund t’i duket e tepruar, faktet që ky qytet ishte një qendër e rëndësishme fetare janë të shumta.

Dokumentet më të plota gjenden të mbledhura në librin e Dom Gaspër Gurakuqit me titull “Dioqeza e Sapës”, botuar në vitin 1943. Duke iu referuar dokumenteve më të hershme të Vatikanit ai vë në dukje se si në vitin 431, peshkopi i atëhershëm i Sardës ka marrë pjesë në koncilin e Efesit. Kjo konfirmohet edhe përmes një letre që Papa Celestini i parë ua dërgonte ipeshkvive të Ilirisë në të njëjtin vit, 431. Edhe pse si peshkopatë është krijuar në vitin 1190, të paktën nëse u referohesh të dhënave zyrtare të kohës dukshëm provat tregojnë se zanafilla e kësaj ipeshkvie është shumë më e hershme, edhe pse një
datë e saktë nuk mund të thuhet. Radha e ipeshkëve të Sardës në 1190 nis me një ipeshkv anonim, i ndjekur nga Teodori e kështu me radhë. Nuk dihet përse në vitin 1291, zinxhiri shkëputet për rreth 80 vjet, por Ipeshkvët e Sardës do të rikthehen në 1370-n me mbështetjen e fortë të Papa Urbanit të pestë, siç shkruan dom Gaspër Gurakuqi. Emërimet u bënë përmes një dokumenti të shkruar edhe për disa ipeshkëv të tjerë, siç ishin ai i Pultit, Vlorës dhe Lezhës. Ndikim të fortë në mbështetje të Ipeshkvisë së Sardës pati edhe Papa Bonifaci IX. Në 1410-n, ipeshkëvi Andrea pati nën drejtim edhe dioqezën e Danjës. Të dhëna mjaft interesante jep edhe Frang Bardhi, i cili ishte në një periudhë më të vonë ipeshkëv i Sapës. Ai njihet edhe si një studiues, shkrimtar, etnograf, folklorist e kështu me radhë, ndaj përmes pohimeve të tij mund të kuptohet numri i madh i objekteve të kultit në Sardë e rrethina. Në relacionet që ai i dërgon selisë së shenjtë te Propaganda e Fidës shkruan mbi gjendjen në tërësi të dioqezës së Sapës, duke përfshirë edhe të dhënat e Sardës. Dhe pikërisht në atë vit Frang Bardhi shkruan se në Sardë dhe hapësirën përreth ekzistojnë 80 kisha. Sot në ishull dallohen rrënojat e disa prej tyre, ku më imponuesja është padyshim katedralja e dikurshme e qytetit. Për një kohë të gjatë sipas historianëve qyteti i Sardës ka qenë nën juridiksionin e familjes feudale të Dukagjinasve. Pinjolli më i njohur i kësaj familjeje, Lek Dukagjini, thuhet se e ktheu për një periudhë Sardën në kryeqendrën e tij. Sot mes rrënojave janë edhe të tillat e një rezidence të madhe e të fuqishme, që mendohet se është përdorur edhe nga Leka. Për të kuptuar rëndësinë e qytetit të Sardës mjafton të lexosh Marin Barletin që thekson se në besëlidhjen e Lezhës në 1444 morën pjesë edhe përfaqësues të Sardonëve. Qyteti do të humbte shpejt pas vdekjes së Lek Dukagjinit derisa të binte në 1491-shin ballë rrethimit të osmanëve që do ta shkatërronin plotësisht. Bashkë me qytetin, edhe Ipeshkvia e Sardës, ajo e Dejës e ajo e Sapës u shkrinë, duke ruajtur emrin e kësaj të fundit. Ky moment shënon fundin e qytetit të Sardës. Asgjë nuk do të sjellë me fakte për mbijetesën e tij veç gërmadhave që sot ngrenë krye të vetmuara në ishull./Blitz.al/

Komento
Shperndaje