Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

I vramë ne vajzat, me duart e djemve tanë! (nga Fatma Haxhialiu)

I vramë ne vajzat, me duart e djemve tanë! (nga Fatma Haxhialiu)
June 11
12:27 2018

Edhe njëherë tjetër na u përplas hidhur në fytyrë gjithçka kemi bërë keq deri më sot me djemtë tanë. Edhe njëherë tjetër ata që i lindëm djem e i kthyem në monstra, nuk bënë gjë tjetër veçse zbatuan pikë e presje të gjithë “legjislacionin e burrnisë”.

Një institucion i ngritur nga të gjithë ne, që kur shkrepet arma për të përgëzuar ardhjen në jetë të një fëmije me organ gjenital mashkullor…

Duart me gjak i kemi të lyera edhe ne, që një djali të vogël i mësuam burrninë, akoma pa e ditur ai vet çfarë është gjinia.

I mësuam të burrërohej kur i shkulëm gjirin me dhunë, duke qeshur me traumën e tij kur shikonte burimin e tij të jetës dhe lumturisë ngjyer në të zezën e kafes… apo kur u ndje i tradhëtuar nga gjiri i tij, në momentin që goja i mori flakë nga speci djegës.

I refuzuar pa shpjegim nga gruaja e parë dhe më e rëndësishme e jetës së tij, i terrorizuar nga kjo tradhëti pa shpjegim, dëgjoi vetëm tri fjalë: “u bëre burrë tani” dhe ca të zgërdhira idiote që argëtoheshin me sytë e tij të ujshëm, të cilët përmbanin lotë dëshpërimi e ndjenja faji.

E kalitëm burrninë e tij kur i hoqëm me vërtik kukullat nga duart se janë për gocat, kur i thamë “ulu ti se i mbledh motra lodrat, se është punë gocash”. E bëmë burrë kur e detyruam të qethej shkurt se ngjante si gocat, kur i thamë të mos qurravitej si gocat, e gjithashtu kur rrëzohej e i dhimbte shpirti, por nuk duhej të lëshonte pikë loti se “burrat nuk qajnë”.

Po njësoj kur e pamë vëngër teksa bënte pa vetëdije gjithçka që i takonte protokollit të gocave.

E kalitëm burrin e shtëpisë kur e vumë roje të nderit të motrës, se ai është burrë dhe është detyra e tij, kur i thamë t’i vinte shkelmin në fyt çdokujt që përpiqej t’i avitej asaj, kur i mësuam postulatin që do e ndiqte përjetë e do ja bënte më të lehtë çdo veprim, “burgu për burrat është”!

Gjithashtu kur i thamë se hallet e shtëpisë i takojnë atij tani sepse është burrë, kur i kërkuam ta bënte si burrat e të sillte një nuse në shtëpi.

Të pakënaqur nga burrnia e tij, edhe pse protokollit i ishte përmbajtur me fanatizëm, e pamë vëngër se s’kishte shkrepur si duhej dhe kishte sjellë në jetë dy vajza.

Me qesëndi kishte mes nesh disa që i thonin: “po ç’burrë je ti?!”

Rrisim burra që urrejnë gjithçka të vajzave sepse janë të vajzave dhe atyre nuk u takojnë. Rrisim burra që urrejnë vajzat e tyre sepse nuk janë tregues i burrërisë së tyre. Rrisim burra të tmerruar, të traumatizuar, të frustruar nga gjinia femërore.

Rrisim burra të pasigurt për gjininë e tyre!

Rrisim burra pa dhembshuri, pa empati, burra pa emocione, burra që e bëjnë si burrat. Burra që nuk flasin për problemet e tyre (se s’janë vajza), burra që kanë turp nga dobësitë e tyre, kanë turp nga lotët e tyre, burra që kanë turp nga dashuria, kanë turp dhe urrejnë çdo emocion që lidhet me protokolle vajzash. “Përgatisim” burra që tradhëtojnë dhe veten, vetëm e vetëm që të përmbushin pritshmëritë tona të burrnisë.

Dhe ne, pa pikë turpi ngremë gishtin kundër tyre.

Turp të na vijë neve, të gjithëve bashkë!

Në ka dështuar dikush në këtë sistem absurd burrnie, jemi ne që ngremë gishtin.

Mjaft akuzuat djemtë, mjaft bëtë fajtor djemtë, nuk kanë vrarë ata, kemi vrarë ne me duart e tyre!

Ai që mori armën dhe vrau për të mbrojtur nderin e tij apo të sajin, e bëri “si burrat”… ashtu siç e mësuam! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje