Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

I pavdekshmi Shahin Kolonja – nga Marin Mema

I pavdekshmi Shahin Kolonja – nga Marin Mema
September 27
19:48 2018

Mes vëllezërve Frashëri, Vaso Pashës e mjaft patriotëve të tjerë që kanë dhënë kontribut të çmuar për çështjen kombëtare, spikat fuqishëm edhe Shahin Kolonja (Ypi). Kontributi i tij është i vështirë të përmblidhet në pak rradhë, ndoshta sepse ai të gjithë jetën e lidhi me Shqipërinë.

Shahin Kolonja

Ndër të tjera Shahin Kolonja përpjekjet e shqiptarëve në luftën për liri, i pasqyroi gjatë drejtimit të gazetës “Drita” e cila ishte një më të përparuarat e kohës. Por për ta njohur me thellë, shpirtin, sakrificën dhe dimensionin e këtij njëriu na ndihmon një rrëfim vërtet prekës i Mihal Gramenos, i cili spikat në përshkrimin e ngjarjeve për natyrshmërinë dhe emocionin që përcjell.   Grameno, i cili nga mënyra se si shprehet është e qartë se ka një vlerësim të jashtëzakonshëm për Shahinin, e nis rrëfimin e tij i pikëlluar për situatën e vështirë në të cilën e gjeti një njëri që aq shumë e adhuronte për punën e tij.

“Herën e parë e pashë tek shkruante pa pushim mbi një tryezë të vjetër, pa shprehur asnjë interes për çfarë ndodhte përreth, i futur thellë në mendime. Rrobat e tij të vjetra, këpucët e grisura dhe e ndenjura në një vend të atillë më bënë të dyshoja për njeriun që kërkoja unë!”

Aq fort e trishtoi ajo që i panë sytë sa arriti derisa të mendonte: “Nuk mund të jëtë ai njeriu për të cilin kam ardhur në Sofje të Bullgarisë!”. Por pasi u prezantua me keqardhje pranoi se kishte para vetes Shahin Kolonjën. “Mjerisht ishte ai!”, – shprehet Grameno.

Mihal Grameno më tej përshkruan me entuziazëm takimin e parë më drejtorin e gazetës “Drita” të cilin e konsideron si një nga atdhetarët e pavdekshëm, për të cilin kishte pasur një dëshirë të madhe për ta takuar. Por përtej gëzimit të takimit, për Gramenon më e madhe ishte dhimbja. Ai shprehet se ju këput shpirti kur i kërkoi Shahinit të dilnin në qytet dhe ai u detyrua të merrte 5 franga hua.

Grameno rikujton: “Ndenja disa ditë dhe munda të mësoj pak nga vuajtjet e tij, nga ai atdhetar i “pavdekshëm”, më shumë i zhveshur dhe i pangrënë. Ai shihte vetëm idealin kombëtar duke zgjuar gjindjen, e cila ishte e vdekur. Vuante i gjori keq, por kurrë nuk dëshpërohej. E kishte për gëzim kur vuante për atdhe dhe asnjë përshtypje nuk i bënin premtimet dhe zotimet e qeverisë turke që të pushonte luftën kombëtare në shkëmbim të një vendi qeveritari ose të një shpërblimi prej 60 lira në muaj e të rrojë ku do të dojë!…

Rrëfimin e tij Grameno e mbyll me shpresën se Shahini ishte dhe do të mbetet sa të jetë bota për kombin shqiptar, atdhetar i “pavdekshëm”.

Por, në ditët tona, kur çdo gjë dhe shumëkush e ka një çmim, vlerat dhe idealet e këtij njeriu të rrallë sot duken të pabesueshmë dhe madje për dikë edhe qesharake./Blitz.al/

Mihal Grameno

 

 

Komento
Shperndaje