Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

I nderuar mik i jashtëm, ta mora, ta lashë… reformën në drejtësi!

I nderuar mik i jashtëm, ta mora, ta lashë… reformën në drejtësi!
July 20
22:53 2016

Diskutimi më i rëndësishëm i muajve të fundit, që ka përfshirë çdo strukturë të shoqërisë shqiptare, është padyshim ai mbi reformën në drejtësi. Në fakt, për opinionin publik kjo reformë u bë e njohur fillimisht kur kryeministri Rama fitoi garën elektorale dhe mori pushtetin. Mund të risillni në vëmendje sesa shpesh ky togfjalësh u përsërit se do të ishte një nga triumfet e qeverisë dhe rrjedhimisht një fitore e madhe për Shqipërinë, e cila, duhet thënë, ka një ngërç të tejskajshëm për sa i përket drejtësisë. Mirëpo, dalëngadalë, kjo u bë fjala kyçe e të gjithëve, duke nisur që nga zyrtarët më të lartë deri te shitësi i fruta- perimeve.

Në fakt, shqiptarët kanë pasur probleme me konceptin e “drejtësisë” qysh në fillim të herës. Historia, kultura politike, pushtimet, diktatura, kanë qenë të gjitha fenomene të cilat kanë prekur thellësisht kuptimin e konceptit të drejtësisë te shqiptarët. Jo rrallë herë na ndodh që drejtësinë ta lidhim me korrupsionin, krimin, konfliktin e çdo veprim tjetër negativ. Kjo  ndodh sepse tanimë ne jemi rrahur me padrejtësinë që bën drejtësi në vendin tonë dhe e kemi mjaft të vështirë ta konceptojmë ndryshe. Jo më kot reforma në drejtësi është në fakt një dritë në fund të tunelit dhe sërish qeveritarët shqiptarë, ata që janë të ngarkuar nga vota jonë për të na përfaqësuar, nuk arrijnë ta rregullojnë padrejtësinë e sistemit të drejtësisë duke e votuar menjëherë reformën. Por pse ndodh kjo? Pse gjithë kjo vonesë për të miratuar një reformë? Mos vallë nuk dinë të miratojnë? (Apo nuk duan ta rregullojnë padrejtësinë?!).

Nesër pritet që në Shqipëri të ndodhë një seancë historike parlamentare pasi reforma në drejtësi ka gjasa të votohet, pas shumë e shumë diskutimesh e përpjekjesh të njëpasnjëshme për ta shtyrë këtë vendim nga vetë liderët politikë. Por teksa të gjithë e vëmë re se ka një dëshirë të brendshme (jo të shfaqur në televizione dhe dalje publike, sepse në to ne kemi parë vetëm buzëqeshje të shtirura të disa politikanëve që, në fakt, brenda vetes po dridhen…) të politikanëve shqiptarë, sidomos të krerëve kryesorë, për ta tejzgjatur procesin përpara se reforma të vendoset, shpesh pyesim veten: Mos ndoshta ata kanë frikë? Dhe nëse është vërtet kështu: Pse kanë frikë? Këto pyetje mund të marrin përgjigje vetëm në momentin që kuptojmë siç duhet, ashtu siç rrallë herë bëjmë ne, populli shqiptar, se çfarë do të ndodhë me këta politikanë nëse paketa për reformën në drejtësi, më në fund, miratohet.

Për ta përmbledhur, reforma në drejtësi ka një element kyç shumë të rëndësishëm e shumë të nevojshëm për sistemin e vënies së drejtësisë në Shqipëri dhe kjo është Byroja e Hetimit Kombëtar, e cila është aprovuar tanimë nga krerët e shtetit. Kjo byro nuk është gjë tjetër veçse një zyrë e cila do të menaxhohet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe do të hetojë për çdo çështje apo dosje të pahapur deri tani dhe për të tjera që priten të ndodhin në të ardhmen. Këto çështje janë pikërisht ato për të cilat ne si popull flasim shumë, sepse, siç kemi edhe shprehjen tonë, “ku ka zë nuk është pa gjë”. Zë dhe fjalë kemi me shumicë, por asnjëherë gjyqtarët nuk kanë pasur guximin të besojnë te këta zëra e të hapin e studiojnë me drejtësi këto çështje, kjo si pasojë e një “diktature” që krerët e shtetit kanë pasur gjithnjë ndaj tyre në çdo sistem politik. Byroja e Hetimit do të studiojë në mënyrë të detajuar gjithçka bëjnë politikanët, gjyqtarët dhe kushdo që është në poste drejtuese për t’i shërbyer popullit dhe jo për ta vjedhur dhe mashtruar atë. Përveç byrosë, çdo instancë e drejtësisë do të ketë një këshill mbikëqyrjeje, me vende të rezervuara, të cilat do të zihen nga përfaqësues që nuk do të mund të zgjidhen prej presidencës, qeverisë apo parlamentit. Këto struktura të drejtuara nga persona “të painfektuar” nga politika, nën mbikëqyrjen e SHBA-ve dhe BE-së, do të kenë për detyrë të vëzhgojnë në imtësi këto tri çështje: verifikimin e pasurisë, verifikimin e lidhjeve me krimin dhe aftësitë profesionale.

Thënë këtë, mund të kuptojmë lehtësisht se pse liderët politikë e kanë shtyrë për kaq shumë kohë miratimin e reformës deri në momentin që përfaqësuesit e SHBA-ve vendosën një afat. Nuk ka ndodhur shumë herë që një ambasador i SHBA-ve të protestojë përpara parlamentit dhe të theksojë se në rast se reforma nuk do të miratohet, liderët politikë do të kenë ndëshkime, përveç ndëshkimit të përbashkët, që është bllokimi i integrimit në BE. Kjo vendosmëri e SHBA-ve (gati-gati urdhër) ka bërë një pjesë të mirë të opinionit publik, por edhe disa nga politikanët që kanë dëshirë të luajnë me zarin patriotik, të mendojnë se ky gjest i SHBA-ve bie ndesh me faktin se Shqipëria është një vend i pavarur dhe mund të zgjedhë vetë për çështje kombëtare, pa pasur nevojën e një diktati të një shteti tjetër. Por a mund të jemi vërtet kaq të verbër?

Nëse duam të heqim edhe një herë vëmendjen nga reforma në drejtësi (për t’u lënë edhe pak kohë politikanëve dhe gjyqtarëve të korruptuar t’i mbyllin në fshehtësi dosjet e të vërtetave), atëherë le të mblidhemi të gjithë kundër SHBA-ve, të dalim në shesh dhe të protestojmë me flamurin kuqezi në krahë për të treguar se ne jemi të fortë dhe mund të arrijmë të mbahemi në këmbë vetë, pa pasur nevojë as për ndihmë e as për tutelë. Por a do ta bënte kjo Shqipërinë një vend ku e drejta flet drejt?

Për aq sa mund të kujtojmë edhe nga historia, ndikimi i SHBA-ve në vendin tonë ka qenë veçse pozitiv dhe inkurajues drejt integrimit dhe demokratizimit të vendit. SHBA-të nuk kanë ndërhyrë në çështjet jetësore të vendit edhe pas rënies së komunizmit, sepse kanë dashur të qëndrojnë në pozicionin e këshilluesit. Por në momentin që ky vend partner për ne pa se politikanët tanë nuk mund të bien dakord për reformën në drejtësi, sepse kështu u thonë interesat personale dhe jo e mira e vendit, vendosën afate përfundimtare, madje edhe pasoja të drejtpërdrejta, në rast se nuk bëhet ajo çka ata arsyetojnë se është e duhur.

A e bëjnë SHBA-të këtë për “bamirësi”? Sigurisht që jo. Kjo është një marrëdhënie kapitaliste, “të jap, të më japësh”. Nëse SHBA-të  mbikëqyrin këtu një reformë, e cila do të jetë në të mirën e përbashkët të popullit shqiptar, sigurisht që në këmbim dëshirojnë të marrin një vend prestigjioz e pikë strategjike të mirë mu në zemër të Ballkanit. Në fund të fundit, kjo është të bësh drejtësi…

Ne kemi nevojë për një monitorim ndërkombëtar, sepse vendi ndodhet në një qorrsokak social e politik. Është madje për t’u përmendur me krenari fakti që grupet lobuese shqiptare kanë bërë që SHBA-të jo vetëm ta konsiderojnë Shqipërinë, por edhe të përpiqen të japin nga eksperienca e vet. Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur, sepse tanimë i ka humbur të gjitha. Ka humbur sfidën me demokracinë dhe tregun e lirë; ka humbur me trashëgiminë e kulturën, ka humbur me zgjedhësit në politikë dhe më e keqja ka humbur besimin e shpresën. Jemi rrahur e dërrmuar aq shumë nga drejtësia që bën padrejtësi, saqë kur na ofrohet një dorë për të na ngritur nga gropa thithëse ku jemi future, ne, në paditurinë tonë, veshur me një patriotizëm të shtirur, preferojmë më shumë të mbytemi, sepse kemi frikë të dalim në sipërfaqe, i druhemi realitetit.

Që reforma në drejtësi të mos kthehet në një zar argëtues në grushtet e atyre që nuk duan ta votojnë dhe të ngërdheshur shtiren se me kënaqësi do ta votojnë reformën, sepse kjo është në  të mirën e përbashkët të vendit, mirë është që të paktën ne si popull të mos aktrojmë më me lojëra fëmijërore patriotike duke iu ruajtur “armikut të jashtëm” si në kohën e komunizmit. T’i japim dorën mikut të jashtëm e ta lejojmë të na ndihmojë të vëmë drejtësi, sa pa na e zhvatur ende edhe këtë gjymtyrë armiqtë e brendshëm, që çdo gjë tjetër duan, veç drejtësisë!

Sara Mila

Shperndaje