Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Histori) Argëtim, drogë, seks! Çfarë ndodh në Amsterdam, mbetet në Amsterdam…

(Histori) Argëtim, drogë, seks! Çfarë ndodh në Amsterdam, mbetet në Amsterdam…
January 29
21:00 2017

Si zakonisht, po pija kafen e mëngjesit me shoqen time të ngushtë, Tean, në lokalin e lagjes. Filluam të diskutonim për monotoninë që na kishte mbytur. Realisht ishim mbyllur brenda zyrës të rrethuara nga dokumente të pafundme gjatë gjithë javës, kështu që kishim nevojë për disa ditë “shthurje”. Gjë që nuk mund ta bënim në Tiranë, pasi profesioni ynë nuk e lejonte. Në fund të fundit, i ka avokatia këto! Papritur më lindi një ide, brilante mund të them.

“Unë dhe ti tri ditë në Amsterdam! U vendos, do të ikim!”- i thashë Teas duke qeshur. Fillimisht ajo e mori me shaka, ndërkohë që unë isha duke kërkuar për biletat e avionit në internet.

Dhe kështu u bë! Rezervuam biletat, hotelin dhe u nisëm. E dija që na priste një aventurë e paharrueshme…

Hipëm në avion të premten në drekë dhe më në fund pas 4 orësh udhëtim arritëm në Amsterdam. Po, po, në Amsterdamin “jeshil”! E ku kishte më bukur se të shikoje perëndimin e diellit aty! Gjithsesi nuk ishte dielli synimi ynë. Shkuam në hotelin ku kishim rezervuar, rregulluam bagazhet dhe sigurisht do të bëheshim gati për të vizituar qytetin.

Pas të gjitha përgatitjeve, dolëm nga hoteli dhe u drejtuam drejt një restoranti luksoz, për të ngrënë darkën e parë çift, unë dhe shoqja ime. As ky nuk ishte synimi ynë, kërkonim “të çmendeshim”. Pas darkës bëmë një shëtitje në “Red Light District”. Ç’të shikoje! Që në fillim të rrugës shihje vitrinat plot me femra seksi, por kishte edhe nga ato hallexhijet, siç mund t’i quajmë ne. Vitrinat me prostituta nuk mbaronin, “coffe shop” ku në vend të cigares pihej marijuanë, kioskat që shisnin marijuanë po ashtu, a thua se shisnin patatina, grupe të rinjsh që tymosnin ndonjë cigare e pinin alkool mbështetur në ndonjë qoshe. Ky ishte pak a shumë Amsterdami. Nënqesha dhe shkova drejt një kioske, iu drejtova djalit që qëndronte aty dhe i thashë: Can you give me a joint? (A mund të më japësh një cigare marijuanë?)

Ai buzëqeshi dhe më tregoi disa lloje të ndryshme marijuane. U shtanga sepse nuk dija cili ishte ndryshimi dhe çfarë efekti kishin, por përsëri doja t’i provoja të gjitha. Mora në fillim kek me marijuanë, sepse pas darkës duhej një ëmbëlsirë, më pas disa çamçakëz dhe në fund zgjodha të blija Cannabis Sattiva, sepse shitësi më shpjegoi se ky lloj të bënte euforike në ndryshim nga Canabiss Indica, që të jepte vetëm qetësi. Zumë edhe ne qoshen tonë, provuam kekun e më pas ndezëm cigaren e parë të marijuanës. Çfarë ndryshimi, unë nuk isha aspak unë dhe Tea nuk ishte aspak Tea! Qeshnim si të marra, tregonim histori të përsëritura dhe ndërkohë mekeshim pa asnjë arsye. Teksa ishim “high” na afrohet një grup djemsh. Të them të drejtën me njërin prej tyre “rashë në dashuri” sapo e pashë ose të paktën kështu më thoshte “weed”-i. Edhe ata ishin turistë, vinin nga Anglia.

Duke bërë muhabet dhe duke tymosur cigaren e dytë tashmë na ftuan që t’u bashkoheshim në “Club Up”, një ndër “club”-et më të mëdha të Amsterdamit. Unë, Tea dhe 4 shokët tanë të rinj ishim në “club” duke u argëtuar. Po shihja Tean, e cila kërcente sikur të kishte gjithë “club”-in në duar. Realisht unë nuk shihja asgjë, më dukej sikur në “club” ishim vetëm ne. Sigurisht që unë po kërceja me “shokun me të cilin rashë në dashuri” e tek-tuk shkëmbenim ndonjë puthje. Ishte vërtet i mirë, s’kisha faj…

Sikur të mos kishte mjaftuar konsumimi i marijuanës, nuk lëshoja gotën me alkool nga dora. E ndieja fytin të thatë dhe alkooli ishte shpëtimi im në ato momente. Pasi qëndruam disa orë në “club” vendosëm të iknim në hotel, sepse na priste një ditë e gjatë nëpër Amsterdam. U larguam drejt hotelit dhe sapo arrita në dhomë u shtriva direkt në shtrat, ndihesha e pafuqishme dhe doja të flija..

Mëngjesi erdhi shumë shpejt. Rrezet e diellit po më verbonin sytë dhe u zgjova. Kthehem nga krahu për të zgjuar Tean, por…

Pranë meje pashë një mashkull. Nuk e dija kush ishte dhe se si kisha përfunduar me të. Po qëndroja në shtrat e përhumbur në mendime dhe po mundohesha të rikujtoja çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Ndërkohë që tipi që kisha në krah u zgjua, më tha mirëmëngjesi dhe më puthi. Aty u hutova, s’po kuptoja asgjë. Kisha fjetur me një të panjohur! Po Tea ku ishte? U çova nga shtrati dhe shkova të bëja dush. Me këtë tipin nuk kisha folur aspak, pasi dola nga dushi ai më tërhoqi pas vetes dhe më pëshpëriti në vesh: “Me ty kam bërë seks të paharrueshëm”. Kisha bërë seks me një të panjohur dhe unë nuk mbaja mend asgjë. Buzëqesha dhe përsëri nuk fola. Çfarë t’i thosha, që unë nuk kujtoja asnjë moment përveç shëtitjes në “Red light District”?! Pas pak vendosa të thyeja heshtjen dhe e pyeta: Kush je? Ku jemi? Si përfunduam këtu? Ku është Tea? Ai filloi të qeshte dhe më tregoi se ishte pikërisht “djali me të cilin unë kisha rënë në dashuri”. Pasi biseduam gjatë për natën e kaluar, i kërkova të më çonte në hotel. Duhej të gjeja Tean.

Sapo shkova në hotel para më doli Tea. U lumturova! Të paktën nuk kisha humbur shoqen. U ulëm të pinim kafen e mëngjesit si gjithmonë bashkë dhe biseduam për çdo gjë që kishte ndodhur natën e mëparshme. Tani nuk isha aspak e trembur sepse kuptova që kisha bërë pikërisht atë që doja. Diçka të re. Provova marijuanën, ekstazën dhe përfundova me një të panjohur në shtrat.

Dita e dytë në Amsterdam. Tashmë nuk isha vetëm me Tean, por edhe me shokët tanë. Shokë u thënçin, domethënë! Dolëm të gjithë së bashku dhe vizituam qytetin. Dita iku shumë shpejt duke ia lënë vendin natës. Pasi të tymosnim “cigaren magjike” do të shkonim në një tjetër “club”. Madje atë natë provuam edhe një kokërr “Extasy” (një lloj droge e cila të rrit euforinë) pavarësisht se kjo nuk ishte e legalizuar. Edhe këtë kishim mangët ne… Dhe sigurisht që historia e natës së mëparshme u përsërit, por mëngjesi tjetër akoma më i tmerrshëm. Kur u zgjova pashë që në dhomën tonë të hotelit ishin edhe 2 prej djemve që unë dhe Tea kishim zgjedhur për të kaluar ato net. Kur pashë që ishim të katërt në të njëjtën dhomë mendimi i parë ishte orgjia. I zgjova e alarmuar duke i pyetur: “Kemi bërë seks të gjithë bashkë? Seriozisht?”Ata filluan të qeshnin. Gjithsesi kryesorja ishte se nuk kishim bërë seks, thjesht unë kisha qenë aq “overdose” sa përsëri nuk mbaja mend asgjë.

Ditën e tretë vendosëm ta kalonim vetëm të dyja, sepse në fund të fundit ne kështu shkuam. Kishim nevojë për pak qetësi dhe pak thashetheme. U përshëndetëm me anglezët, hëngrëm drekën të dyja dhe gjatë pasdites ndaluam në “coffe shop”, morëm pijet tona të preferuara me përmbajtje marijuane që kishim pirë çdo natë dhe kështu qëndruam deri natën vonë.

Pasi u kthyem në hotel filluam përgatitjet sepse për pak orë duhej të linim Amsterdamin për t’iu rikthyer  Tiranës sonë.

Para se të hipnim në avion bëmë një pakt mes shoqesh: Çfarë ndodhi në Amsterdam, mbeti në Amsterdam!

/Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje