Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Guri i Përmetit

Guri i Përmetit
May 01
18:39 2017

Nga Marin Mema

Guri i Përmetit është simbol i një qyteti të paqtë, i një natyre që shkrihet ëmbël me të, por edhe historisë. Rijetëzimi i tij përmes një projekti të deklaruar nga Ministria e Kulturës sjell në jetë jo thjesht një monument natyre të mrekullueshëm, por për ata që s’e dinë edhe një fortifikim që gjendet mbi të. E pra, mbi kryet e gurit të Përmetit ruhen rrënojat e një pike të lashtë me mjaft vlerë nga ana arkeologjike.

Fortifikimi, sipas arkeologëve, i përket shekujve 4 – 6 . Në rrëzë të shkëmbit ruhet edhe një trakt i periudhës antike, që nga teknika e përdorur përngjan me fortifikimet e shekullit të 3 para Krishtit e që ngrihen më tej edhe në luginën e Drinos. Sipërfaqja e shkëmbit ka dhuruar mjaft qeramikë që i përket antikitetit të vonë, por edhe mesjetës.

Sipas burimeve, ky fortifikim është përdorur si një pikë sinjalizimi për një garnizon ushtarak, i cili kishte nën kontroll luginën e Vjosës. Duke shfrytëzuar vendosjen e gurit dhe lartësinë e tij, kjo pikë ishte thelbësore për sigurinë e të gjithë zonës. Muret janë izodomike, me blloqe gëlqerori në trajtë katërkëndëshe, faqet i kanë të latuara dhe ballin e rrafshët.

Gërmime arkeologjike nuk janë kryer, edhe pse ky fortifikim nga ana historike e turistike do të përbënte një resurs të jashtëzakonshëm. Ndaj nisma më e fundit duhet përshëndetur, me shpresën se ky fortifikim do të rijetëzohet vërtet e bashkë me të një zonë e jashtëzakonshme për nga traditat e saj që në kohët më të lashta.

Është e pamundur të rendisësh monumentet që përfshin e gjithë kjo hapësirë, por edhe më tej në Këlcyrë, me kalanë e famshme ilire e në mjaft pika të tjera, historia ka lënë gjurmët e saj që ne deri më sot nuk kemi mundur ende t’i shpluhurosim. Guri i qytetit të Përmetit është një prej tyre, një vlerë e madhe që vlen të vizitohet./Blitz.al/

Shperndaje