Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“GuguGazetarë”

“GuguGazetarë”
March 23
11:39 2016

Duke iu refereruar Fjalorit të Gjuhës se Sotme Shqipe, gjejmë këtë shpjegim për fjalën gazetar: “punonjës i një gazete a i një reviste (dhe jo vetëm), që shkruan e redakton artikuj të ndryshëm për shtypin”. Po Gugu? Ah, Gugu vështirë të figurojë në ndonjë fjalor ekzistues.
Jo më kot zbërthimin e nisa nga bërthama e fjalës Gugugazetarë! Vala globale “pushtuese” e botës virtuale ka ndikuar jo vetëm në rritjen e numrit të portaleve online, të numrit të gazetarëve të përfshirë në këto media, por edhe të shumëllojshmërisë së njerëzve të cilët kanë liri shfaqjeje dhe shprehjeje në internet! Kjo e fundit sigurisht që përkthehet në material të bollshëm – cilësor ose jo – që i serviret një publiku të gjerë, të skllavëruar nga rrjetet sociale! Deri këtu gjithcka duket në rregull, ama kur mendon që një pjesë e madhe e ‘lajmeve’ që publikohen në të vërtetë janë shumë larg misionit të lajmit, dhe që ajo cka i transmeton lexuesit anon më shumë nga antivlera se sa nga vlera, atëherë problemi është jo i vogël!
E bëj këtë hyrje për t’i hapur rrugën një problematike lehtësisht të dukshme të ditëve të sotme; mbipopullimi i jetës politike, sociale, kulturore e më konkretisht i të ashtuquajturës botës së “Shoëbizit” nga njerëz të cilët nuk shfaqin kurrfarë talenti, risie apo nuk zbulojnë asgjë të re, vec formave të tyre trupore! Duke marrë shkas nga fenomeni “Gu Gu”, këngëtares që javët e fundit ka marrë jo pak vend në portalet online, dhe komentit të saj në Facebook ku shkruan e revoltuar ndaj gazetarëve që e telefonojnë për t’i kërkuar informacion, dua të tregoj se problemin në binomin GuGu-gazetarë nuk e kanë vetëm GuGu-të. GuGu-të janë në rregull me rrugëtimin e tyre për sa kohë nuk kanë thyer ndonjë rregull moral apo për aq kohë sa nuk shkelin ligjet. Në thelb problemi i vërtetë në këtë mes qëndron tek gazetarët; Të ndikuar nga vala e sipërpërmendur pushtuese kërkojnë gjithnjë e më shumë të ‘paketojnë’ lajme dhe t’i shfaqin bukur pavarësisht asaj cka ndodhet brenda, përballë një lexuesi të mësuar tashmë me kulturën “Fast Food”.
Sot mjaftojnë 4 rreshta, një foto gjysmë nudo dhe lajmi u bë. Një lajm që lexohet kudo, nga kompjuteri apo celulari, në rrugë, në kafene, në punë, në tualet… Pas tij vjen tjetri, tjetri, ndërkohë që në fund të ditës, në informacionin e marrë vështirë të gjesh dicka të vlefshme! Dhe për sa kohë do të vazhdojë një gjë e tillë? Për sa kohë do të insistohet të merret informacion nga pseudoartistë, ndërkohë që artistët e vërtetë i lëmë në hije? A do të vijë koha që portalet në vend që të pushtohen nga GuGu, Xhesika Ndoj dhe format e tyre trupore krejtësisht prej silikoni, të zëvendësohen me artistë të rinj të talentuar, apo më të tjerë si Aurela Gace (pas 4 vitesh në hijë, dha nje interviste te mirëfilltë në emisionin Oktapod) etj.?
Sigurisht që në një rast si ky është e lehtë të thuash që fajin e ka publiku, i cili është i kënaqur me ato që i ofron media. Por këtu hapet një diskutim tjetër; pra është publiku që dikton tregun apo tregu që ‘ndërton’ kulturën e një publiku të gjerë. Duke e lënë mënjanë këtë, e njëkohësisht duke iu referuar, dua të them se është detyra e gazetarëve t’i ofrojnë publikut të gjerë atë cka në të vërtetë krijon një kulturë vlerash të vërteta e jo antivlerash, një kulturë arti e jo jashtëqitjesh, një kulturë terapeutike për sytë e për veshët, e jo vetëm ndotje akustike! Është pjesë e detyrës sonë edhe të edukojmë një lexues, që përballet me jo pak vështirësi të realitetit shqiptar. Krahas dhënies së lajmit apo formës së tij, rëndësia më e madhe duhet t’i kushtohet thelbit dhe atë cka në të vërtetë transmeton. Kjo gjë ndikon jo vetëm tek publiku, por njëkohësisht edhe te vet gazetarët. Le të përpiqemi atëherë të ruajmë misionin, të edukojmë dhe të shfaqemi më shumë si gazetarë të vërtetë… jo Gugugazetarë!

Shperndaje