Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjysma e zemrës në protestë, gjysma jashtë saj… – nga Kozeta Kurti

Gjysma e zemrës në protestë, gjysma jashtë saj… – nga Kozeta Kurti
December 12
16:52 2018

Nga Kozeta Kurti

Protesta është forma më e bukur, më demokratike, më e fisme, më qytetare për të kërkuar ndryshime, por forma nuk mjafton. Përmbajtja është po aq e rëndëishme. Pikërisht për këtë arsye, unë të mbështes në protestë ty që ke sakrifikur netët e tua pa gjumë për të mësuar dhe për të marrë rezultate pozitive dhe nuk luaj as gishtin e vogël të dorës të mbështes në protestë atë që drodhi/dredh zinxhirin çdo ditë, fryn xhepin e pedadogut me lekë dhe merr të njëjtat rezultate si ty pa ditur as ermin e lëndës që ka provim. Të lutem, mos më thuaj që nuk ke në kurs “kolegë” të tillë.

Unë të mbështes ty që tarifën e shkollimit nuk e sheh veç si shpenzim të lartë financiar, por si raport të zhdrejtë krahasuar me atë që ti (s’)merr në vitet e tua të studimit. Jam e sigurtë që shpenzimi do kishte qenë i fundit shqetësim, sakrificë patjetër, nësë në auditoret ku mëson, do shihje- së paku do shihje me sy pedadogë, le pastaj të ishin edhe frymëzues e të nxisnin tek ty dëshirën për të dëgjuar, për të mësuar, për të shkëmbyer ide; (shumë prej tyre janë njësoj si këta shokët e tu që kanë marrë dje provime me çdo lloj forme, përveçse me meritë); mbase ajo që (s’)merr në shkollë, as falas nuk ja vlen, sepse të bën të humbasësh kohën kot; nuk lëviz as gishtin të mbështes shoqet e tua që paskan parë “tavanin” në shtratin e pedagogut, për të marrë të njëjtën notë, madje më shumë, se ty që mblodhe qindarkat e prindërve, fjete pa ngrënë për ta mbaruar këtë djall shkollë. A e di pse nuk i mbështes? Nuk paragjykoj vendimin e tyre, sepse ndoshta në momente dobësie pasigurie e presioni, s’e ka menduar, ka qenë i/e dobët dhe s’ka ditur si të veprojë, por problemi nuk mbaron aty. Të njëjtit njerëz që kanë marrë provime me lekë, që kanë favorizuar mësimdhënësit e tyre me seks e ndere të tjera, po kështu kanë për të ta marrë ty nesër vendin e punës, me të njëjtën formë. Këta të diplomuar do të mësojnë nesër fëmijët e tu nëpër shkolla, do të kurojnë nëpër spitale, do të kenë në dorë të ndajnë të drejtën nga kundravajtja… A e di sa mijëra të punësuar ka nga këta që kanë lënë jashtë mijëra të tjerë që e meritojnë? Janë aty sot prej gabimeve që bëri dikush pardje, që unë bëra dje, ndaj mos e shih këtë shans historik që ke në dorë për të ndrequr disa gjëra sot për nesër. Ndoshta do sakrifikosh veten, brezin tënd, por do shpëtosh plot të tjerë nesër.

Nga kush po e pret anullimin e ligjit për arsimin e lartë, rishikimin e tij, miratimin e çdo ligji tjetër që do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë së jetës? Nga kush? Nga deputetët që janë sot në parlament? Ca janë me kobure në brez, ca janë analfabetë me “A” kapitale që: “po ta dinin se shkolla e lartë ishte kaq e thjeshtë, kishin mbaruar edhe gjimnazin”. Ata kanë mbaruar shkollën dje, njësoj si shumë prej këtyre shokëve të tu sot, me zarfe e sekserë nëpër këmbë. Ca, pak, intelektualë prej vrërteti kanë mbetur në parlament aksidentalisht…Apo nga ministrat? Në qeveritë tona në këta 28 vjet, ka ministra, që siç kanë lënë pa ngrënë shokët e tyre në mensat e Qytetit Studenti, dikur, kanë abuzuar dhe dhunuar keqazi edhe paratë tona e fondet publike gjatë karrierës së tyre në politikë. Ke shansin për të kërkuar ndryshim rrënjësor, jo se je student/e, por se je i ri, e re! Kam lexuar shpesh këto ditë se studentët janë e ardhmja; jo nuk janë studentët e ardhmja! E ardhmja janë të rinjtë dhe midis tyre ka shkencëtarë, juristë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, por ka edhe pastiçierë, bukëpjekës, hidraulikë, dru-punues, hekur-punues, bojaxhinj etj etj. Nuk jam kundër shkollimit. Çdo njeri duhet të ketë mundësinë të shkollohet, sepse askush nuk mund të paragjykojë një gjimnazist me pesa dhe gjashtë që s’do t’ ja dalë në universitet. Mund të bëhet i shkëlqyer, shumë më i mirë se çdo medalist gjimnazesh, ama nëse nuk mundet, ta hapë krahun e të mos marrë më qafë të tjerët. Do ta mbështesja sot në protestë jo si student, por si trim e të moralshëm, sepse për të mirën E JETËS, jo veç të shkollës, mund të luftojmë edhe si “ekselenta”, edhe si “ngelësa”. Nëse kjo protestë ka nevojë për numra në shesh që të bëhet më e besueshme, jam gati që ashtu si këto ditë, që veç e kam vëzhguar në terren, të marr pankarta në duar e një megafon e të bërtas më fort se ata, por unë e di që s’ka nevojë për faktorizim, as kush e nisi i pari, as ata të Ministrisë janë “të tjerë”, ata të Zogut të Zi, ca “të tjerë” dhe ata të Kryeministrisë ca të tjerë; unë dua garanci për studentë të barabartë në auditor, jo ca të nënës, ca të njerkës, ca me gjak, ca me zarf; dua bibliotekë, por dua së pari pedagogë që të më nxisin dëshirën për të shkuar në bibliotekë, dua kartë studenti, por përpara asaj dua pëmirësimin e të gjitha shërbimeve që mund t’i përfitoj me atë kartë, dua ta kem tekstin e pedagogut si alternativë, jo si presion, por dua edhe alternativa të tjera. Dhe PO, dua një diplomë dhe dije, me të cilat të humbas me dinjitet nesër në një panel intervistimi për një pozicion pune. Dua të dal nga aty me kokën lart e të them: “ishte më i miri” dhe jo: “Dreqin, kështu e mori shkollën, kështu e mori punën; kështu që më mirë po çaj ferrën e po iki në Gjermani”.

Epo unë nuk dua të iki, por as nuk dua të jetoj këtu vetëm për vete dhe nesër ta çajë ferrën për në Gjermani fëmija im!

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje