Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjurmë pak të njohura të Librazhdit… (nga Marin Mema)

Gjurmë pak të njohura të Librazhdit… (nga Marin Mema)
October 29
13:52 2018

Harta arkeologjike e vendit tonë është një sinjalizues i fortë se shumë gjurmë të jetës përgjatë epokave të lashta i kemi më afër se sa mund ta mendojmë. Të tilla gjurmë janë faktuar në një ekspeditë të vitit 1974 në Librazhd. Sikurse bën me dije në një studim të tij arkeologu Aristotel Koka, lugina e lumit Shkumbin, si një nga pjesët përbërëse të rrethit të Librazhdit ka ndikuar që zona të gëzonte kushte të favorshme banimi që shtrihet deri thellë në lashtësi.

Karakavec

Vendbanimi neolitik në fshatin Karakavec është faktuar pas gjetjes së ashklave të strallit dhe fragmenteve qeramike, por edhe të enëve me zbukurime. Ndërkohë, në atë që banorët e njihnin më emrin “Kishë”, gjurmët të çojnë se është një banesë e vjetër. Fakti se në sipërfaqen e saj janë gjetur fragmente qeramike që i takojnë kohës së vonë antike.

Kalaja e Bërzeshtës

Në një masiv shkëmbor të thepisur janë gjetur gjurmë muresh të një kalaje ilire të periudhës së parë të hekurit. Kodra ku është ngritur kalaja ka një pozitë dominuese mbi të gjithë hapësirën dhe ka pasur një gjatësi maksimale 200 m dhe gjerësi 100 m.

Kalaja e Dragostunjës

Mbi një kodër në verilindje të fshatit me të njëjtin emër, dikur ngrihej kalaja e Dragostunjës e cila gjithashtu ka zënë një pozicion strategjik, që ka kontrolluar të gjithë zonën përreth. Rrënojat e mureve të kalasë i japin asaj formën e një rrethi deri në 80-100 m dhe ndonëse të rrënuara, aty janë dalluar dy periudha ndërtimi, në njërën prej të cilave janë përdorur gurë mesjetarë.

Guri i Skënderbeut

Guri i Skënderbeut gjendet në fshatin Spathar dhe sipas gojëdhënave ka shërbyer si pikë vrojtimi dhe sinjalizimi gjatë kohës së Skënderbeut, në një kohë që kodra e vogël shkëmbore në vetvete formon një fortesë natyrore.

Por përtej çfarë është renditur mësipër mund të përmenden gjithashtu edhe “Vendbanimi i hapur i Gurëgegës” që i takon periudhës romake, “Qyteza e Orenjës” ku janë gjetur gjurmë të periudhës së parë të hekurit apo edhe “Vendbanimi i fortifikuar i Zdrajshit” po prapë i periudhës së parë të hekurit. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje