Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjuha vrasëse dhe vrasja e gjuhës

Gjuha vrasëse dhe vrasja e gjuhës
June 07
13:23 2017

Nga Kozeta Kurti

Me çfarë të drejte më vendosni përballë një tufë me analfabetë? Me çfarë të drejte më zhvlerësoni investimin në dije për gati tridhjetë vjet? Kush jeni ju që më fyeni inteligjencën deri në kockë dhe kërkoni vëmendjen time për të votuar disa copa mishi me dy sy që nuk kanë respekt për një nga simbolet e një shteti, gjuhën? Është si të thuash: ju kam dh*erë mu në flamur, po shkoni paraqisni forcën në ato qendra votimi, mbani me vete ato tesera në xhep, po deshët ta mbushni barkun me bukë! Si munden ata të menaxhojnë jetën time, duke hartuar e miratuar ligje për të mirën time? Me ç’gjuhë do flasin e do shkruajnë? Me atë të xhirimit të gomave nëpër Bllok, me shënimet që gjenden te kartëmonedhat lejla, me testamentin e trashëgimisë politike të prindërve të tyre, me statuset gjysmake të fytyrëlibrit? (Disa prej tyre veç aq kanë shkruar e lexuar dhe nuk kanë edhe shumë faj se aq vjeç janë). Me ç’të drejtë më çoni mua drejt vetëvrasjes sime shpirtërore, intelektuale, duke më shpënë nesër në dyert e këtyre njerëzve dhe shokëve të tyre,  të cilët në postet që kanë do luajnë pingpong me mua e do merren me vlerësimin e cilësisë së ideve të mia? Ata? Po unë vetëm faqen e prezantimit mbi arsimin e kam sa kanë ata të gjatë gjithë CV-në e tyre.

Unë asnjëherë s’jam marrë me ju, sepse jam e diagnostikuar me përçmim kronik ndaj mënyrës se si ju e keni trajtuar këtë vend dhe këtë popull, se si jeni tallur me të dhe poshtërsia më e madhe është se e keni përfshirë në grupin e të drejtave të gjithë këtë shfaqje të shpifur. Sot nuk mundem më… Ju të gjithë jeni të mbytur në borxh përballë meje! Oqean që ju lan s’ka! Reformat eksperimentale në arsim që bëtë ju në gjithë këto vjet prodhuan mësues të klasës së parë që thonë e shkruajnë “çeni” në vend të “qeni”,  përkthyes që titrojnë “thuaj djathë” në vend të “say cheese”; prodhuan mjekë stomatologë që të dhemb dhëmballa tetë dhe të shkulin gjashtë të tjerë përnjëherë; dhe sikur të  mos mjaftojë kjo, u dashka t’u  lë në dorë jetën time? Të vendosin ata si do shkollohem unë? Si do kurohem unë? Si do shpërblehem unë për kontributet e mia? Si do përballem unë me drejtësinë? Si do ushqehem unë me art, kulturë e sport? Seriozisht e keni, apo jeni të mbingarkuar nga pesha e madhe që ju ka rënë mbi supe në këtë më shumë se çerek shekulli dhe doni gallatë? Apo doni ushtarë të bindur që t’ju përkulen deri në tokë sa herë t’ju shkrepet juve? Se me intelektualët nuk mund ta bëni këtë gjë; me ekspertët e fushave as në ëndrrat tuaja s’do e kishit çuar nëpër mend, sepse ata s’mund të jenë skllevër e buratinë në duart tuaja.  Ju nuk do ta kishit pranuar kurrë të ngjani si kokrrizat e rërës së imët, përballë atyre burrave e grave të lirë, të cilëve nuk u mjafton një dimër i tërë për të treguar sa dinë dhe ç’raport kanë me dijen e tyre… Kostumi juaj dymijë e shtatëqind euro, ruleta e kazinosë ku gdhiheni dhe ngryseni çdo ditë, shishja juaj e verës pesëqind euro dhe dhjami që ju ka zënë sytë se i bini qylit te sipërmarrësit e oborrit tuaj, të gjitha avullojnë përballë syve të dhjetëra studentëve që ndjekin buzët e një pedagogu (nga atë të rrallët fare), që sa ç’ka ai rrogën mujore, ju keni kollaren.

U lumturova kur ju morët masa të largoni një pjesë të figurave të konsumuara pranë oborreve tuaja, por ju s’e bëtë se ata e kishin shndërruar politikën në profesion dhe po vegjetonin, por e bëtë ku ju dogjën të prapmet pse ata ju dolën kundër. Dhe me kë i zëvendësuat? Kontribute në parti që ta justifikojmë me qokë, hiç; kontribute në shoqëri që të tërheqim vëmendjen e këtij mileti të përdhunuar në psiqikën e vet sistematikisht, hiç e hiç! Atëherë përse pra? Sepse jeni një tufë me frikacakë, të dobët sa më s’ka, ndaj dhe doni mediokër më të mëdhenj se ju, si e vetmja formë që të rrisni vetëvlerësimin.

Epo, mbajini në oborrin tuaj, argëtohuni me ata sa herë të keni nevojë për t’u ndierë qenie superiore; mos m’i nxirrni në shteg mua, sepse ata janë një nga arsyet që ky vend ma shpif e më ka bërë të humbas besimin. Por unë nuk iki nga ky vend se nuk e ka fajin ai. Uji del i pastër nga burimi; nuk është faji i tij pse gjatë rrugës kalon nëpër gojën e ndonjë kafshe të dekompozuar e vjen deri në rubinetin e shtëpisë sime.

Unë nuk do t’ju lë të vendosni për mua, por do të shkoj atje dhe në ato tridhjetë sekonda do t’ju vë në lojë, siç ju pa pikën e turpit bëni me mua prej kohësh. Unë nuk ju lejoj, sepse unë nuk jam shpura juaj. Unë jam më shumë se gjysma e papërfaqësuar e njerëzve në këtë vend që janë dorëzuar dhe kjo është më e keqja… Janë dorëzuar!

“Epo, gëzuar miqët e mij! Zjellje të mbara e një proqes të mbrekullueshëm!”

Komento
Shperndaje