Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjimnazistët nuk janë as dele, as kukulla të LGBT-së apo prindërve!

Gjimnazistët nuk janë as dele, as kukulla të LGBT-së apo prindërve!
March 29
21:33 2018

Ashtu siç edhe mund të jetë kuptuar nga edicionet informative, statuset në rrjete sociale, mediat online a të shkruara, debatet publike apo të mbyllura nëpër klasa, qendra o takime, së fundmi është ngritur shqetësimi nga takimet apo diskutimet që anëtarë/përfaqësues të komunitetit LGBT kanë kryer në disa prej gjimnazeve të Tiranës.

Fillimisht ish-deputetë, ish-ministra, personazhe publikë, figura të njohura, prindër që për një arsye apo tjetrën kanë një post që u jep pak ndikim në publik janë hedhur në një sulm të fuqishëm kundër këtyre diskutimeve.

Në studio të ndryshme televizive, si “Tonight” me Ilva Taren apo “Top Show Magazine” me Alban Dudushin, është diskutuar kjo çështje nga përfaqësues të këtij komuniteti, kryesisht nga Xheni Karaj, e nga figura të ndryshme publike.

Dikush është kundër sepse e quan homoseksulitetin sëmundje, dikush lëvizje politike, dikush e quan ideologji, që në fund të ditës nuk kanë asgjë kundër, por çuditërisht nuk duan që këto diskutime të kryhen në ambientet shkollore.

Gjendemi përpara një fakti: disa qytetarë duan të “luftojnë” bullizmin, kryesisht ndaj këtij komuniteti me anë të këtyre diskutimeve, të tjerët nuk duan që këto qytetarë të shkelin në shkolla… sepse shkolla është vend i shenjtë. (Me thënë të drejtën, nuk di që profania të jetë edhe e shenjtë!)

Pyetja ime e parë është shumë e thjeshtë: E dinë të gjithë këta që na kakarisin nëpër studio televizive çfarë është bullizmi? Me siguri jo!

Mund të jenë përballur vetë me bullizmin, por nuk e kanë ditur çfarë është. Ose nuk e konsiderojnë aspak një problem, ashtu siç nuk konsiderojnë as depresionin, as vetminë, as ankthin, as bipolaritetit, as skizofreninë, paçka se rastet më të mëdha të vetvrasjeve sot në botë ndodhin për shkak të një prej këtyre problemeve që sapo përmenda.

Një studim i fundit amerikan ka treguar që plot 8 milion njerëz vdesin në vit nga këto probleme. Dhe studimi është kryer vetëm në 29 shtete. (Imagjino nëse do kryhej në 129 vende)

Pra, probabiliteti që një i ri të vrasë veten për shkak të bullizmit (për pamjen fizike, mënyrën e të menduarit, ecjen, sjelljen, prejardhjen, ngjyrën e lëkurës apo orientinim seksual) është mjaft i madh, që mund të shkojë deri në 2 në 5 persona që variojnë nga 10 në 14 vjeç.

E nëse do të ndjekim logjikën e konservatorëve, klasikëve dhe tradicionalëve që të mos diskutohen këto çështje në shkolla atëherë po i çojmë fëmijët (që nuk janë fëmijë!) drejt humnerës me duart tona. Sepse duam apo nuk duam ne, shkaqet e bullizmit ato janë! Në të kundërt, bëhuni aq të aftë, aq liberalë sa të edukoni fëmijët tuaj me dashuri për tjetrin pavarësisht ndasisë apo ndryshimeve që ata kanë. Nëse bëni këtë, atëherë as Xheni me shokët e shoqet e veta nuk ka pse shkon në shkollë për të ndërgjegjësuar gjimnazistët që rrahin, tallin, shajnë, ofendojnë, diskriminojnë, paragjykojnë dhe vrasin të tjerët që janë të ndryshëm nga ta.

Së dyti, unë kam mbaruar gjimnazin para 2 viteve, që do të thotë se ndryshe nga Matilda, Dritani, Ergysi e të tjerë, e kam më të freskët idenë se si është të jesh gjimnazist dhe në çfarë ambjenti bashkëveprojnë.

Sot, me zhvillimin e teknologjisë, mënyrës së informimit, zhvillimit të shqisave, perceptimit, nuk të duhet të jesh sociolog, pedagog, politikan apo “i madh” për të kuptuar çfarë do ti dhe çfarë nuk do.

Nëse ata, që këta të tjerët po i quajnë fëmijë, do ta kishin aq problem ose dikush do t’i merrte me dhunë në diskutime apo do t’i impononin diçka për të cilën ata nuk janë dakord, do të ishin të parët që do të nxirrnin me shkelma jo vetëm antarët e LGBT-së, por edhe atë që predikon komunizmin, fashizmin, fenë… ashtu siç godasin me letra, me grushta, tallin apo kundërshtojnë (njësoj si në Parlament) mësuesit! Dhe më besoni që ky brez gjimnazistësh mund dhe i bën këto gjëra!

Nga ana tjetër, homoseksualizmi nuk është ideologji, nuk është fe, nuk është kah politik, të cilët mund të bëjnë lavazh truri lehtësisht. Sepse homoseksualizmi nuk është ZGJEDHJE! Askush nga ne, qofshim heteroseksualë, homoseksualë apo transgjinorë nuk e zgjodhi gjininë e tij në lindje. Dhe nëse lind i këtillë, si mund të ndryshosh rrugës?!
Kam dy javë që shoh natë për natë “How To Get Away With Murder” dhe kam rënë “në dashuri” me aktoren kryesore, Viola Davis, e cila është me ngjyrë dhe në çdo episod apo në çdo dalje publike flet për problemet e personave me ngjyrë. Pra, unë nesër apo pasnesër do të kthehem me një hocus-pocus në një afro-amerikan apo person me ngjyrë?!

Dikush mund të thotë, po ç’lidhje ka të qenurit homoseksual me të qenurit me ngjyrë?

E thjeshtë, as ngjyra, as raca, as prejardhja, as seksi (arsyet kryesore pse njerëzit bullizohen dhe stigmatizohen) nuk janë mundësi zgjedhjeje dhe si rrjedhojë, nuk mund të ndryshosh asnjërën prej tyre. Nëse yt bir apo jot bijë nuk janë homoseksualë, nuk mund t’i kthejë askush në një të tillë! Askush!

Ama, nëse dikush mendon se vajza apo djali i vet është hetero dhe pas pak vitesh mëson që është homoseksual, atëherë nuk është faji i aktivistëve! Problemi qëndron te prindi që nuk ka arritur dot të njohë fëmijën e tij apo t’i japë mundësi ta tregojë veten më parë.

Ideja që po jap është shumë e thjeshtë dhe nuk ka pse t’i japim as nuancë horrori, as apokalipsi, e as konspiracioni.

Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë nga këta gjimnazistë të thotë se e kanë marrë me zor apo i ka propaganduar apo i kanë imponuar me dhunë të kthehet në homoseksual apo transgjinor, por vetëm prindërit apo persona publikë.

Zonja të nderuara dhe zotërinj të nderuar, pikëpamjet tuaja, ju lutem, mbajini për vete! Të marrësh mikrofonin para kameras është përgjegjësi mjaft e madhe. Sepse je në media dhe nga media të dëgjojnë miliona shikues që e marrin për të mirëqenë atë çfarë “prrallis” dhe si rrjedhojë, kemi kaq problem sa kemi sot.

Mund të jeni kundër gay-ve, lesbikeve, transgjinorëve, biseksualëve, është çështje personale, por të paktën mos pengoni brezat e rinj të jenë ndryshe nga ju, ta duan njëri-tjetrin ashtu siç janë, ta duan njëri-tjetrin ashtu të ndryshëm, të jenë më të dashur, të jenë më socialë, të jenë më dashamirës, të jenë qytetarë të mirë, të jenë NJERËZ MË TË MIRË.

Dhe, të dashur prindër, mund t’i lëmë pak fëmijët të jenë të lirë ashtu siç janë, meqë historikisht, prindërit shqiptarë janë guidë për fëmijët edhe kur janë 30 vjeç?

Lërini të bëjnë atë që ju dështuat dhe mos vazhdoni të na e shisni paditurinë tuaj, injorancën tuaj, egoizmin tuaj, egocentrizmin tuaj, si shembulli më i mirë për t’u ndjekur sepse nuk është.

Jua siguroj, që Ellen DeGeneres, Tim Cook, Lorka, Robin Roberts, Boy George, Elton John, Megan Fox, Salvador Dali, Angeline Jolie e të tjerë mund të jenë shembuj më të mirë – edhe pse sërish, ju do t’i quani homoseksualë, rrezik për shoqërinë dhe qytetarë që nuk sjellin asnjë dobi!

Dhe ju lutem, mos më dënoni me vdekje sepse nuk mendoni si unë! /Blitz.al/

Shperndaje