Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gazetaria në kohërat e kolerës

Gazetaria në kohërat e kolerës
July 27
10:37 2017

Nga Kozeta Kurti

 

Ndoshta jam brezi i fundit që shfaqa dëshirën për t’u bërë gazetare, vetëm se kur vizitova për herë të parë liqenet e Lurës më dukej sikur kisha qenë  aty edhe më parë falë përshkrimit të një reportazhi dikur në faqet e gazetës “Koha Jonë”. Ndoshta jam brezi i fundit që nuk çoj pyetje intervistash me e-mail, por këmbëngul që t’i takoj personazhet e rubrikave të mia dhe të shpenzoj kohë me ta. Ndoshta jam brezi i fundit që nuk e pa kurrë këtë profesion si mundësi për t’u bërë i famshëm, por si mundësi për të qenë në kontakt me njerëzit, me problematikat e jetës së përditshme, por edhe me rastet e suksesit dhe po: për pushtetin që të jep një hapësirë në shtyp, një mikrofon në radio a një kamera në televizion, për t’u bërë zëri i më shumë njerëzve se veç i vetes tënde.

Në vitin 2002, kur isha veç njëzet vjeç, më pyesnin: Cila është ndjesia që provon ndërsa çdo ditë u flet mijëra vetëve që nuk të njohin, nuk e di ku janë, por janë me veshë te ty? Kurse sot, në 2017-n, kur jam tridhjetë e pesë vjeç, më pyesin: Cila është shuma më e çmendur që ke shpenzuar për një veshje? Dikur “vdisja” të jepja intervista, e shikoja edhe atë si një mënyrë për të qenë pranë njerëzve, kurse sot më vjen ndot që nga mënyra se si më kontaktojnë për intervistë, me mesazhe direkte në Instagram, me e-mail, me shqipe të çalë dhe kjo ndodh në rastet më të mira… se në të tjerat askush s’pyet për ty, por një gjë sado idiote apo të bukur të kesh hedhur në Facebook-un tënd personal, ta marrin e ta botojnë pa të të pyetur, a thua se ti i paguan të menaxhojnë vizibilitetin tënd në media.

Ne i ndajmë mediat në tradicionale dhe online dhe justifikojmë të gjithë çmendurinë e medias online, vetëm sepse ajo është e tillë: pra online. Nuk kam dëgjuar kurrë më parë një gjë më idiote se sa: të justifikojmë përmbajtjen e mangët të diçkaje, sepse forma është e re dhe ne jemi të pamësuar me të.

Shpesh unë jam marrë me mediat, sepse jo sa dhe si shumë të tjerë, por edhe unë kam qenë pre e tyre dhe për këtë arsye i kam vënë në lojë për çdo gjë mediokre që prodhojnë, pa asnjë interes publik, pa asnjë filtër, pas asnjë burim të verifikuar, me gazetarë mercenarë që edhe emrin e tyre kanë frikë ta thonë e ta shkruajnë dhe për plot arsye të tjera. Një nga problemet më të mëdha është vjedhja e artikujve, duke i përvetësuar, duke i shitur si kontribut tëndin, ndërkohë që është i dikujt tjetër, ku as nuk denjon kush ta përmendë. Së fundmi, unë jam përfshirë në një situatë të tillë me artikujt e mi në Blitz.al.

Që të jem e sinqertë, unë s’kam folur kurrë me tifozeri për vendet e mia të punës, përkundrazi kam pasur kurajën t’ua plas në sy gjithë çfarë kam menduar se nuk shkon aty ku kam punuar, aq më tepër që ky nuk është vendi im i punës, por hapësirë bashkëpunimi, ama ndiej detyrim moral, profesional, qytetar,  për t’ju thënë që asnjë nga kolegët nuk ka arsye të përvetësojë shkrimet e tjetërkujt e të mos citojë burimin e origjinës. Artikujt e mi për Blitz-in i kam parë të shpërndarë andej-këtej në portale të tjera.  Jo për çështje personale, se po të jetë e tillë unë ku ta gjej që të shpërndahem te çdo lexues në këtë vend, i cilitdo portal, se do të arrija në një kohë shumë më të shkurtër në shumë më tepër lexues ndoshta. Por profesionistët shohin shumë më tepër se interesi i tyre personal.

Nga ta dimë ne se si është investuar një sipërmarrës te një autor? Me para, me bashkëpunim, me network… A nuk është e pandershme të ndërhyhet në një marrëdhënie të tillë?

Dhe e fundit: ju kam  përbuzur profesionalisht gjithmonë për shkak të abuzimit me titujt dhe ju jo vetëm që e bëni me çdo mediokritet që botoni, por e bëni edhe me autorët.

Ato janë shkrimet e mia, të botuara pa asnjë kusht, ndaj mirë që i vidhni dhe nuk tregoni se nga i merrni, por guxoni edhe t’i tjetërsoni. Mos i fusni duart te shkrimet e mia! Nuk di se si kam admiruar shumë prej jush vite më parë… korifej kolerash që po prodhoni gazetari kolerash, me gazetarë dhe lajme kolerash! Jam kaq e habitur që nuk ju dhemb aspak…

@copyright /Blitz.al/

Shperndaje