Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fustanellat e Shqipërisë

Fustanellat e Shqipërisë
August 02
21:39 2017

Nga Marin Mema

Çelo Picari apo Xhelil Mehmet Bega, siç quhej në të vërtetë, lindi në Picar të vjetër në vitin 1802. Fshati i ri sot sigurisht është zhvendosur diku më poshtë e megjithatë vendbanimi i dikurshëm nuk ka humbur. Sipas legjendave, Picari është krijuar nga banorë të ardhur nga Lekdushi diku në vitet 1600, por ka mjaft të dhëna të tjera që i çojnë rrënjët e vendbanimeve përreth që në kohët më të lashta. Edhe pse fshati i vjetër është braktisur kohë më parë, ka mjaft banorë që ruajnë e tregojnë elementë interesantë të historisë së dikurshme të tij.

Për t’iu larguar problemeve, i riu me ndihmën e disa prej bashkëfshatarëve të tij hyn në oborrin e Ali Pashës. I armatosur dhe aspak i gatshëm për t’u tërhequr ballë rojeve të pashait të Janinës, ai mori menjëherë vëmendjen e tij siç tregon edhe 84- vjeçari Halil Bilaj, që dikur ka themeluar shtëpinë e kulturës në Picar duke mbledhur në të më se 9 mijë libra, shumicën e të cilëve i ka lexuar deri pak vite më parë kur glaukoma i rrëmbeu shikimin, por jo pasionin për historinë e figurën e Çelo Picarit…

Në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, Çelo Picari nuk ushtrohej me luftëtarë të çdollojshëm, mjafton të përmendësh faktin se nga këtu kishin dalë figura si Marko Boçari, Odise Andruço e mjaft kapedanë të tjerë shqiptarë që kohë më pas, në 1821-shin i siguruan pavarësinë shtetit grek. Kjo ishte fryma me të cilën u gatua djaloshi, që ngadalë  mori rolin e një prej prijësve kryesorë të trupave të Ali Pashës. Pikërisht në 1821-shin krah kapedanit tjetër Veis Vasjari, ai mposhti trupat turke që sulmuan kalanë e Tepelenës, ç’ka përveç dokumenteve dëshmohet edhe nga këngët e ruajtura brez pas brez në këto anë.

Në 1822-n, në betejat që shënuan shembjen e pashallëkut të Janinës, Çelo Picari u plagos. Periudha pasuese për shumë prej prijësve dhe luftëtarëve që patën kundërshtuar trupat turke nuk do të ishte e lehtë. Shumë u vranë apo u internuan, të tjerët u morën për t’u angazhuar në betejat e perandorisë në frontin grek. Por pavarësisht synimit të Mehmet Reshit Pashës për të vënë shqiptarët e Shqipërisë ndaj atyre të Greqisë, plani dështoi.

Nën kryesimin e figurave si Zylyftar Poda , Ismail Vlora, Çelo Picari, Shahin Delvina, Tafil Buzi, Asllan Kuca, Veliko Jaçe etj. u organizua në Berat në 6 nëntor 1828 një ndër kuvendet më të njohura të kohës. Ai i dha jetë jo thjesht një grupi vendimesh mjaft të rëndësishme, por edhe një të tilli historik për të cilin nuk është folur kurrë mjaftueshëm…

Këtu siç pohon edhe historian Dritan Egro kemi kërkesën e parë zyrtare të krerëve shqiptarë për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Shqipëria e tyre nuk ishte e njëjtë me Shqipërinë e Ali Pashës dhe me Shqipërinë e Bushatllinjve, por ishte një bërthamë e mjaftueshme për të krijuar bazat difuzive të një shteti të ardhshëm shqiptar mbi terma kombëtarë. Por si reagoi Porta e Lartë kundrejt këtij rreziku të ri që pas Greqisë mund të çonte drejt një revolucioni çlirimtar edhe Shqipërinë, e kjo në kushtet kur në vendin fqinj betejat u prinë pikërisht nga shqiptarët? Në fakt, reagimi i tyre nisi me eliminim në pabesi të Ismail Bej Vlorës, gjyshit të Ismail Qemalit në vitin 1829. Nën kërcënimin e një lëvizje që sa vinte e zgjerohej, Mehmet Reshit Pasha harton një plan të detajuar për të goditur prijësit shqiptarë.

Për të shtypur kryengritjet në jug të vendit në 1830 autoritetet më të larta të Perandorisë Osmane ideojnë atë që njihet si masakra e Manastirit e ku u vranë në tradhti mëse 500 krerë shqiptarë. Të pamësuar me dredhitë e kohës, 500 krerë e kapedanë shqiptarë shkojnë në Manastir ku Mehmet Reshit Pasha i kishte ftuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Sipas ftesës në nder të tyre do të organizohej edhe një paradë ushtarake. Çelo Picari, Tafil Buzi, Hodo Nivica, Zenel Gjoleka e Zylyftar Poda nuk iu përgjigjën ftesës. Ata duket se ndjenë atë që do të ndodhte në Manastir.

Pavarësisht masakrës që synonte t’i priste krahët lëvizjes, kryengritjet nuk u ndalën. Në vitin 1830, Zenel Gjoleka kapedani nga Kuçi merr hak për vrasjen e gjyshit të Ismail Qemalit, duke ekzekutuar gjeneralin turk Rushit Pasha në Manastir. Të njëjtin fat kanë edhe dy të dërguar të Portës së Lartë në 1833 në Gjirokastër. Forca të shumta nisen sërish kundër kryengritësve dhe krerëve në jug të vendit. Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Çobo Golemi, Tafil Buzi, Balil Nesho, Hodo Aliu e shumë të tjerë i shkaktojnë humbjen trupave të valiut të Janinës. Beteja të shumta zhvillohen edhe në krahun e Beratit e kudo.

Pikërisht në këtë periudhë kryengritjesh që pasonin njëra-tjetrën në jug e veri të vendit, përmes një pabesie Çelo Picari e Veis Vasjari ndalohen. Ata u thirrën në Stamboll prej një nga figurave më të larta fetare për të diskutuar mbi kërkesat e kryengritësve, por në fakt arrestohen e burgosen. Çelo Picari nga burgu lirohet vetëm në 1844-n, por autoritetet osmane më kot menduan se pas 6 vitesh izolim kapedani do të ndryshonte rrugë. Përtej luftimeve të mëdha, Çelo Picari mbahet mend në fshat edhe për investimet e tij. Një ndër më të veçantit është ai i një kalldrëmi disa kilometra që lehtësonte lëvizjen e karvanëve tregtarë apo ushtarakë.

Sigurisht, baza e kapedanit ishte fshati i tij e jo më kot, ai edhe sarajet i ngriti në një tjetër vend nga ai ku kishte lindur për të pasur, mesa duket, një pozicion më strategjik përmes një pamje që binte në të gjithë luginën e Drinos e në qafën e Skërficës. I gjithë ky vend duket si i mbirë nga historia.

Nuk është e vështirë të kuptosh se përse dikur Picari i vjetër konsiderohej si ballkoni i Kurveleshit, pozicioni e bën të duket thuajse një kala. E në fakt të tillë e ktheu Çelo Picari fshatin që në atë kohë kishte më se 350 shtëpi rrënojat e të cilave dallohen qartazi, hijerënda edhe sot. Pikërisht këtu në 1846-n, në sarajet e Çelo Picarit  u mbajt një ndër kuvendet më të njohura ku krerë si Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Rapo Hekali, Dervish Ali Dukati, Ramo Hiri, kapedani i bregut Gjikë Thanasi e shumë të tjerë hodhën themelet e kryengritjeve të mëdha të mëpasshme.

Kuvende u mbajtën në Progonat, Taroninë e Mesaplik në 1847-n, ku Lidhja Kombëtare Shqiptare dhe komiteti kombëtar me në krye Zenel Gjolekën i dhanë një tjetër ritëm e frymë lëvizjes kombëtare e kjo do të kuptohej shumë shpejt.

Betejat më të organizuara ishin padyshim ato të vitit 1847. Kapedanët që shpëtuan në masakrën e Manastirit u prinë kryengritjeve të mëdha që kundërshtonin reformat e Tanzimatit. Për herë të parë të gjithë kapedanët e jugut u bashkuan në një nivel të tillë për të kundërshtuar reformat që kishin lidhje me politikat fiskale të Portës së Lartë, shërbimin e detyruar ushtarak, administratën lokale e një sërë të drejtash të tjera të munguara.

Jugu i Shqipërisë u përfshi në kryengritje, nga Labëria, në Përmet e Çamëri e me Mallakastrën e Rrapo Hekalit që i printe betejave. Humbje të mëdha iu shkaktuan nga ky i fundit trupave osmane në Greshicë e zona të tjera. Berati ra gjithashtu në duart e kryengritësve. Të njëjtat suksese marrin në krahun tjetër Zenel Gjoleka e Tahir Çapari në Gjirokastër, në afërsi të Janinës e me radhë  e kështu në shumë zona me Çelo Picarin, Hodo Nivicën etj. Pikërisht në këtë periudhë, krerët shqiptarë i dërguan edhe një letër për mbështetje mbretit gjerman Oton të Greqisë, e cila u firmos nga plot 89 kapedanë. E megjithatë ndihma nuk erdhi kurrë ose, e thënë më qartë, Greqia u përpoq të shfrytëzonte këtë kryengritje për të bërë të sajin jugun e Shqipërisë. Kryeministri i kohës në Greqi, Jani Koleti rikonfirmoi platformën e tij për Greqinë e madhe, ku përfshiheshin edhe territoret  shqiptare nga ai vetë kishte rrënjët. Kjo bëri që marrëveshja mes palëve të prishej e kapedanët u detyruan të vetëm të përballeshin me ushtritë turke.

Nga krahu tjetër, Porta e Lartë u kujdes që kryengritësit të mos merrnin ndihmë ushtarake as nga Mehmet Aliu, sundimtari shqiptar i Egjiptit. Mijëra përforcime i erdhën në ndihmë ushtrisë së perandorisë, e cila duke përfituar nga epërsia e madhe numerike, eksperienca e mungesa e një organizimi të mirëfilltë ushtarak, mundi të shtypë kryengritjen. Kapedanët në masë u arrestuan. Çelo Picari internohet në Konjë të Anadollit e po kështu edhe Hodo Nivica.  Rrapo Hekali u burgos dhe u ekzekutua vetëm pak kohë më pas, në dhjetor 1847. Të njëjtin fat patën edhe Mahmud Vlora, babai i Ismail Qemalit, Tahir Çapari, Sulo Kallapolli, Veis Vasjari e shumë krerë të tjerë. Do të kalonin 5 vjet të tjerë përpara se kapedani nga Picari të lirohej nga burgosja e dytë, nën kushtin që të mos shkelte më në Kurvelesh e në fshatin e tij. Por a do ta respektonte ai këtë vendim të Portës së Lartë?

Në vitin 1854, Çelo Picarin e gjejmë në krye të betejave për mbrojtjen e Çamërisë, beteja për të cilat brez pas brezi janë ruajtur mjaft elementë historikë. Por si mundi kapedani nga Picari të ndalonte shkatërrimin dhe masakrat që linin pas trupat greke e të cilat priheshin nga një gjeneral arvanitas?

Ajo çfarë ndodhi ishte një tentativë e shtetit grek për të përfituar nga dobësimi i Perandorisë Osmane përgjatë krizës dhe luftës së Krimesë, pra përgjatë luftës ruso – turke të asaj periudhe. Shteti grek nxiti një luftë në zonën e Thesalisë dhe të Epirit siç e quante ai, pra në zonën e Çamërisë, në zonën e Labërisë dhe në treva të tjera shqiptare të jugut me qëllim aneksimin, zgjerimin territorial të Greqisë drejt këtyre krahinave.

Çelo Picari u hodh në Çamëri, krah Mahmut Bej Vlorës, babait të Ismail Qemalit, edhe ai i liruar nga internimi, Selim Hasanit nga Velça, Hamit Çaparit e Hasan Çakos. Beteja e parë zhvillohet jo larg Trikallës, më saktësisht në Kallabak, ku trupat greke thyhen. Ka të dhëna se në këto luftime të ashpra Halit Bej Frashëri që drejtonte trupat e zonave të Përmetit, kish marrë me vete edhe djalin e tij, Abdyl Frashërin.

Në Paramithi, në Peta në zonën e Artës, në Nartë, Meçovë e me radhë , trupat greke u thyen në beteja të njëpasnjëshme nga luftëtarët shqiptarë. Në fakt, grekët sulmuan përmes një skeme që do ta përdornin edhe më pas në vitin 1914 në Shqipërinë e Jugut. Athina zyrtare nuk e quante veten të përfshirë edhe pse nëntokë sulmet ishin të financuara e të udhëhequra prej saj. Pas thyerjes së plotë, trupat greke u detyruan të tërhiqen. Sipas të dhënave që ofrohen në monografinë e shkëlqyer të autorit Mete Peçi, Çelo Picari merr pjesë në vitin 1877  krah Abdyl Frashërit në një mbledhje të madhe në Janinë, nga ku u artikulua sërish plani për shkëputjen nga Perandoria Osmane. Kjo i kushton një internim të tretë, por nga i cili shpëton sipas të dhënave pas sulmit që i bëhet trupës ushtarake në afërsi të Selanikut nga luftëtarë arvanitas.

Që nga ky moment i dënuar me vdekje nga autoritetet e larta osmane,  Çelo Picari tashmë 75 vjeç  nuk kthehet më në atdhe. Ai mori pjesë në disa beteja në zonën e Thesalisë ku u shqua së bashku me luftëtarët e tij shqiptarë në përballjen ndaj turqve. Duke u mbështetur te një grup arvanitësh, kapedani nga Picari fiton një status të veçantë dhe vendoset përfundimisht në Athinë. Ja si e përshkruan këtë moment shkëputur nga radhët e një enciklopedie greke autori Mete Peçi.

Çelo Picari me origjinë nga Picari i Kurveleshit erdhi në Athinë  mbas mbarimit të kryengritjes së Thesalisë në 1877-n. Ai mbante veshur një fustan me shumë pala, qylah të ngritur lart, e mbante pallë të përkulur dhe armatim të plotë në silah. Kishte marrë pjesë në betejat e Thesalisë dhe qe dalluar si komandant kundër turqve në betejën e Magrinicës. Gjatë ditëve të para shoqërohej nga dhjetëra trima shqiptarë të armatosur”.

Kjo është gravura që tregon Çelo Picarin teksa hyn në parlamentin grek me veshjen tradicionale shqiptare. Në foltore është kryeministri Harilla Trikupi. Nuk është e vështirë të dallohen shikimet e kthyera thuajse të të gjithë anëtarëve të parlamentit nga kapedani i moshuar. I mbështetur nga një faktor i fortë shqiptar mes arvanitasve, Çelo Picari jo vetëm do të hyjë disa herë në parlamentin grek duke shprehur vrullshëm mosdakordësinë e tij për qëndrimet e ndryshme ndaj Shqipërisë, por edhe u prin protestave të shumta në Athinë.

Në një parlament të mësuar me gjurmët origjinare shqiptare të arvanitasve, Çelo Picari u identifikua si kapedani që sfidonte realitetin që po ngrihej për të ndërtuar një komb që fshinte rrënjët shqiptare të heronjve të saj.  Pasi kishte sfiduar qeveritë e ndryshme gjatë viteve 1877 – 78, fakt për të cilin edhe ishte arrestuar disa herë, kryeministri i Greqisë Harrilla Trikupi urdhëroi jo thjesht izolimin e kapedanit, por edhe mbajtjen e tij nën kontroll të rreptë nga ushtria. Vitet e fundit Çelo Picari  i mbylli në varfëri ekstreme. E megjithatë ai zgjodhi të mos përkulej ballë ofertës së qeveritarëve të kohës për t’i dhënë një punësim të rëndomte si ndezës i fenerëve të qytetit të Athinës ku edhe vdiq…/Blitz.al/

 

Shperndaje