Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fshati që doli nga dheu…

Fshati që doli nga dheu…
November 15
11:42 2016

Ndodh që historia të fshehë vetveten e më pas të ridalë në sipërfaqe për të treguar gjurmët e saj.

Fshati mesjetar i Kamenicës, që ngrihet në rrethin e Delvinës, duket sikur ka mbirë nga legjendat, ndoshta për shkak të madhështisë që transmetojnë ndërtesat shekullore.

Janë më se 112 të tilla, secila nga dy deri në katër kate, që datojnë në shekullin XII. Disa ruhen aq mirë sa duket sikur prej tyre do të ndjesh sërish bisedat e banorëve apo hapat e tyre të dikurshme.

Fshati është zbuluar që në vitet 1970, kur për të shkroi edhe profesor Aleksandër Meksi. Asgjë me rëndësi nuk është bërë për ruajtjen e tij. Ndërhyrja e mirëfilltë u përket vetëm pak viteve më parë, kur arkeologu Skënder Muçaj u përpoq ta rigjallëronte këtë vend të rrallë.

Sipas regjistrave osmanë, në fundin e jetës së saj Kamenica ka pasur plot 606 familje, një numër i konsiderueshëm nëse e vendos në periudhën mesjetare. Mendohet se fshati kishte 5 lagje, me ndërtesa shërbimesh të ndryshme, por edhe 12 kisha.

Në Kamenicë bien në sy rezidencat e mëdha që, mesa duket, u kanë shërbyer pronarëve apo prijësve të fshatit. Jeta mendohet se ka vijuar mes shekujve XII – XVII. Në fillimshekullin XVIII, kjo qendër është braktisur e ngadalë vendin e njerëzve e ka zënë bimësia e çrregullt dhe pyjet e dendura që kanë mbuluar gjithçka.

Për të kuptuar se sa e rëndësishme dhe e organizuar ka qenë Kamenica, mjafton të përmendësh faktin se ndërtesat janë po aq të ngjeshura sa ato që ofron lagjja “Mangalem” në Berat. Urbanistika është thjeshtësisht e dallueshme për shkak të rregullsisë së saj. Është periudha kur qendrat e banimit janë diçka në mes fshatrave dhe qyteteve të vogla. Këtij grupi i përket edhe Kamenica, dikur një qendër e zhvilluar ekonomike, gjë që dallohet nga punishtet dhe dyqanet e shumta.

E nëse Shqipërisë nga njëri krah i shtohet një tjetër vend i rrallë, nga krahu tjetër ai dergjet sepse mbështetja për të vijuar punimet mungon.

Çfarë do të ndodhte nëse një destinacion i tillë do të ndodhej tjetërkund në Europë? Sigurisht, turistët do të dyndeshin, ndryshe nga sot kur në këtë vend mbizotëron vetëm heshtja. Të ecësh në Kamenicë është si të ndjesh përkëdheljen e shekujve, çdo gur tregon, çdo prerje e skalitur të shtyn të dish më shumë, të dergj në historinë e këtij vendi…

Kamenica doli nga dheu, por nëse askush nuk ndërmerr projekte serioze ajo sërish do të rikthehet në krahët e tij, atje tej, e përpirë mes pyllit e baltës…

/Blitz.al/

m2 m3 m4

Komento
Shperndaje