Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Frashërlliu që themeloi Galatasarain”- nga Marin Mema

“Frashërlliu që themeloi Galatasarain”- nga Marin Mema
November 05
12:30 2017

Ali Sami ”Yen” lindi ne 20 maj të vitit 1886 në Turqi, dhe është djali i Sami Frashërit. Në Stamboll ai njihet si themeluesi historik i klubit të futbollit Galatasarayt në vitin 1905. Dikur edhe stadiumi mbante emrin e tij, ndërsa sot për shkak të ndërtimit të një të riu emri ka ndryshuar. E megjithatë Ali Sami Frashëri është kudo dhe fotografitë e tij qëndrojnë krah atyre të shumë shqiptarëve të tjerë që kanë luajtur apo kanë drejtuar klubin më të njohur në Turqi. Giundus Këllic ish lojtar e më pas trajner, Xhevad Prekazi apo edhe më të vonshmit Hakan Sukur e Arif Erden të gjithë janë këtu si pjesë e pamohueshme e historisë së këtij klubi.

Edhe në muzeun e klubit që vizitohet çdo ditë nga turistë të ardhur nga të gjitha vendet e botës, Ali Sami Frashëri ka një vend parësor. Statuja e tij prej dylli dallohet në pjesën kryesore të tij. Mes stendave të shumta të trofeve , qëndrojnë edhe mjaft  dokumenta e dëshmi  të shqiptarit.

Sami Frashëri djalin e lidhi me liceun më të njohur, atë të Galatasarayt, pjesë e shkollës franceze në Stamboll. Pikërisht në këtë vend që dikur quhej shkolla e sulltanëve ai themeloi duke huazuar edhe emrin, klubin e futbollit. Në këtë lice përgatiteshin të gjithë kokat më të mëdha të Turqisë nga sulltan Bajaziti i dytë, Gyl babai, Fatih Sulltan Mehmedi e shumë të tjerë.

Ali Sami Frashëri duke qënë edhe drejtues i Komitetit Olimpik të Turiqë për disa vite ka hedhur edhe themelet e sporteve të tjera siç ishin basketbolli, volejbolli, e deri hipizmi. Megjithatë zemrën e kishte gjithmonë tek futbolli , ndaj Galatasarayn e udhëhoqi suksesshëm edhe si trajner.

Nuk duhet harruar kontributi I tij në ekipin kombëtar të Turqisë duke qenë ndër drejtuesit e parë të saj në arenën ndërkombëtare në ndeshjen e famshme ndaj Rumanisë në vitin 1923.

Ali Sami Frashëri vdiq në vitin 1951 megjithatë edhe sot konsiderohet si një legjendë e sportit në Turqi, që për fat të keq pak njihet në Shqipëri.

Shperndaje