Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Flitini me dashuri fëmijëve, ata meritojnë ta ruajnë shpirtin të pastër!

Flitini me dashuri fëmijëve, ata meritojnë ta ruajnë shpirtin të pastër!
October 19
17:01 2018

Nga Ana Limani

Flitini me dashuri fëmijëve tuaj!

Ju jeni horizonti i tyre tek i cili shohin gjithnjë, ti je heroi tek i cili ata besojnë. Bëhu ti shembull me jetën tënde që një fëmijë të rritet i shëndetshëm. Është kaq e rëndësishme jo vetëm sepse është fëmija yt, por edhe sepse është e ardhmja e shoqërisë. Por mbi të gjitha, është një shpirt i pandrydhur që meriton të qëndrojë i tillë.

Unë nuk kam pasur të bëjë me fëmijët, derisa 2 vite më parë erdhi në jetë mbesa ime. Ishte e frikshme ta mbaje në krahë për herë të parë, e ishte akoma më e vështirë të tejkaloje lodhjen kur ajo të kërkonte për të njëqindtën herë një nga dëshirat e saj. Por tashmë, kam arritur të kuptoj se sa e rëndësishme është që fëmija të rritet me frymën e dashurisë. Nuk ka nevojë për shumë mend e njohuri,sepse tani e kuptoj përgjigjen e pyetjes që i bëja vetes “pse më do aq shumë kur unë nuk di të kujdesem aq mirë për të”. Sepse fëmijët kuptojnë gjithçka, madje më shumë se ne.

Prandaj, prindër apo kushdo qofshi, fëmijëvë që ju rrethon mos i flisni sikur të jenë të parëndësishëm. Nuk janë naivë, thjesht janë të freskët në këtë botë dhe mbushen me çdo fjalë tuajën, çdo veprim tuajin. Sigurohuni që të jenë fjalët dhe mendimet që doni të lulëzojnë në jetën e tyre.

Kur i injoroni dhe nuk i përgjigjeni pyetjeve të tyre të çuditshme, i mësoni se nuk duhet të jenë kurioz dhe duhet të mjaftohen me aq sa i ofrohet. Kini pak më shumë durim, mësojini të pyesin për çdo gjë. Dëshira për dije është ndoshta një ndër gjërat që njeriu nuk duhet ta humbasë teksa rritet.

Pyetini përpara çdo zgjedhje që bëni për ta, angazhohini në veshjet që zgjedhin, ushqimet që dëshirojnë të hanë, apo aktivitetet që dëshirojnë të bëjnë. Në fillime nuk do të ketë një përgjigje të qartë, por nga ajo që ju i ushqeni në përditshmëri do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur. Kështu, e bëni të ndihet i rëndësishëm dhe të mendojë se mendimet dhe dëshirat e tij kanë rëndësi. Është shumë thelbësore të kuptojë se vlen.

Ju lutem, mësojini të mos kenë urrejte ndaj fëmijëve të tjerë. Kur i bëni krahasime, se si dikush është më pak i bukur, më pak i mirë se ai, kjo mendësi i ngulitet dhe për vitet në vazhdim. Dhe do të jetë pikërisht kjo që do i shkaktojë probleme me egoizmin dhe vetëvlerësimin. Përkundrazi, mësojini se çdokush është unik, dhe ne mund të vlerësojmë vetëm se çfarë përshtatet me ne dhe na pëlqen, por vlerat e dikujt tjetër nuk diktohen nga fjalët tona.

Dhe mbi të gjitha, mos e lini pas veten tuaj për fëmijën. Ai mund të jetë i vogël, dhe mendja e tij nuk stërmendon. Por ai e sheh në fytyrën e mamasë dhe babait të tij se sa të pakënaqur janë me jetën e tyre. Dhe sa më shumë të rritet, do fillojë të ndihet sikur është ai fajtor për këtë, ndërkohë që nuk është aspak. Kujdesuni për veten, shijoni kohën me partnerin, tregojini se fokusi tek një aspekt i jetës nuk do të thotë të lini pas dore të tjerat.

Qortojeni kur bën gabime, por në mënyrën e duhur. Mos e ngrini zërin, sepse i mësoni që gabimet janë dështime dhe ëndrrat e tyre më pas kthehen në memece. Flisni me ta, i dëgjoni, shpjegojani. Trajtojini si miq.

Janë vitet themelore të jetës së tyre, dhe tani mund të kontribuoni më shumë se kurdo në jetën e tyre. Mendoni për çdo përqafim dhe “të dua” të pafajshme të thënë nga ta, dhe kujdesuni për ta. Dhe kurrë mos harroni:

Mënyra se si ju i flisni fëmijëve bëhet zëri i tyre i brendshëm.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje