Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Flasim për ato që nuk kanë zë!

Flasim për ato që nuk kanë zë!
June 19
17:09 2018

Sepse dhuna nuk është forcë, është dobësi. Dhe është detyra jonë të forcojmë shoqërinë në të cilën jetojmë.

Ndoshta ndonjëherë na duhet një ngjarje, një ngacmim ndërgjegje për të folur për tema të cilat duhet t’i kemi gjithmonë në fokus. Dhe kohët e fundit, këto kanë qenë të tepërta. Jo më herët se para 5 minutave pashë një intervistë të një gruaje që ishte dhunuar nga bashkëshorti, dhe kjo kishte qenë një situatë e përsëritur. Ato pamje ishin tronditëse dhe gjëja e parë që më erdhi ndërmend ishte “Pse nuk u largove që në fillim”.  Por menjëherë kuptova që bëra gabim. Nuk ishte kjo pyetja e parë që duhej bërë. Dashur pa dashur kështu ja hedhim fajin viktimës që nuk gjeti forcën të largohej.

“Ishte i pirë, unë vazhdoja të kërkoja falje por ai nuk ndalonte. Por kam fëmijët dhe më vjen turp.”

Sepse ne jemi mësuar gjithnjë t’ja hedhim fajin viktimës. Mentaliteti i ka ushqyer ato të mendojnë se ajo që duhet të bëjnë është të heshtin, të kërkojnë falje dhe kur nuk kanë bërë asnjë gabim, të ruajnë familjen, nderin dhe të mbajnë përgjegjësi për gabimet e të tjerëve.

E kemi mësuar kështu, sepse sa herë që një femër ngre zërin, askush nuk e dëgjon. Për të gjithë shihet si një femër që thjesht i ekzagjeron gjërat ose si një adoleshente që do vëmendje. Ose thjesht “zënka kanë të gjitha ciftet” është më e lehtë për tu thënë sesa të zgjidhesh realisht situatën.

E njëkohësisht i kemi mësuar meshkujt, që as burra s’mund ti quajmë, që ata jane të fortë, të plotfuqishëm, dominues dhe askush nuk mund t’i kundërshtojë. Dhe i kemi mësuar që gjëja parësore në jetë është “krenaria e burrit”.

Dhe tani në fakt nuk është koha për të hedhur fajin, dhe pse çdokush duhet të dënohet për atë që bën. Tani është koha që çdokush që ka një zë të mos heshtë, por të flas dhe për ata që nuk munden. Të flasë çdo ditë dhe jo kur lajmet renditen pafund kudo. Të flasë dhe të ndryshojë këtë mendësi që na rëndon më shumë në supë se cdo gjë tjetër.

T’i mësojme djemve që burra nuk bëhen kështu. Sepse dhuna nuk është forcë, është dobësi. Eshtë injorancë, sepse për çdo problem në botë ka një zgjidhje, por dhuna nuk është kurrë përgjigjia.

T’i mësojmë atyre që nuk janë më pak burra kur dashurojnë dhe kujdesen për një femër. Ti mësojmë atyre të mos ngatërrojnë zotërimin e një prone me të dashurit dikë. Nuk janë më pak burra kur e lejojnë atë që kanë në krah të jetë po aq e pavarur dhe e fuqishme sa ata. Kjo në fakt mund të jetë lumturia dhe qëllimi më i madh që mund të arrihet në një çift.

T’i mësojmë djemve që krenaria e sëmurë nuk quhet burrëri. T’i mësojmë të kërkojnë ndihmë kur kanë probleme sepse para se të jenë burra janë njerëz human me ndjenja dhe mendime, t’i mësojmë të pranojnë refuzimet dhe kundërshtimet, t’i mësojmë të mbajnë përgjegjësi për atë ç’ka bëjnë.

E më pas…

T’i mësojmë vajzave dhe femrave që të mos pranojnë asnjë abuzim, të largohen qëkur fija e parë e flokut t’i preket dhe kjo jo në mënyrë figurative. Asnjë fije! Të largohen dhe të flasin e dënojnë atë që ndodhi sepse ndoshta shpëtuan veten, por kanë në dorë dhe fatin e vajzave që vinë më pas. Ti dalin zot dhe atyre.

T’i mësojmë vajzave që ato vlejnë, dhe askush nuk mund t’i bëj të ndihen inferiore sepse janë po aq të forta, po aq të zgjuara, po aq të rëndësishme sa Ata.

T’i mësojmë atyre që një familje nuk prishet kur ti e thua me zë të lartë atë që ka kohë që ndodh brenda saj. Atëherë prishet vetëm imazhi, por në djall imazhi kur asgjë nuk shkon siç duhet në harmoninë tuaj.

T’i mësojmë vajzave që nuk është detyra e tyre të mbajnë përgjegjësi për veprimet e mashkullit që kanë në krah ose atij që u del përpara në rrugë. Nuk është faji i tyre për asnjë veprim të asnjë mashkulli.

E së fundmi, t’i mësojmë vetes dhe shoqërisë që duke heshtur për këto probleme, nuk i bëjmë ato të largohen. Madje i japim fuqi që të ndodhin përsëri se fundja nuk do ndëshkohen. Humbasim besimin dhe forcën e atyre femrave të cilat kanë nevojë për ne, tani.

Prandaj, të flasim dhe për ato që nuk kanë zë. Çdo ditë, derisa meshkujt që na rrethojnë të kthehen në burra./Blitz.al/

Nga Ana Limani

Komento
Shperndaje