Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Ferma e kafshëve” dhe “derri” i ditëve të sotme

“Ferma e kafshëve” dhe “derri” i ditëve të sotme
April 18
14:31 2017

Nga Kozeta Kurti

… Se kjo vepër mund të jetë botuar në mesin e viteve ’40 për Revolucionin Rus të 1917-s dhe kundërshtimin e epokës staliniste dhe diktaturës së vendosur prej tij, por gjyshërit, prindërit tanë, nuk kanë pasur nevojë për Stalinin se kishin një kopje qindra fish më të egër se ai, mu në zemër të Tiranës, për të kuptuar se sa lehtë propaganda totalitare kontrollonte mendimin e njerëzve të ndritur dhe i degdiste ata në rastin më të mirë atje ku hante pula gurë e në rastin më të keq, në gropa të ftohta, mbuluar me dhe të kuq.

Vetëm se problemi nuk mbaron me përmbysjen e regjimeve diktatoriale…

Si? Jemi një vend i lirë? Ne jemi njerëz të lirë?

Për cilën liri e keni fjalën? Për atë që duhet të marrim leje sa herë shkojmë në banjë? (Larg qoftë me qenë me veshka e prostatë!)

Lirinë që e ndrydhim brenda vetes sa herë na vjen të ulërijmë se dikush po na shkel në kallo, por s’e bëjmë dot, se dikush vë gishtin në buzë dhe thotë gjithë presion: Shshshhtttt, se të shpie prapa diellit?

Lirinë që na e kanë marrë me dhunë duke na detyruar të blejmë tekstet mediokre të mësimdhënësve tanë, ndryshe na e këpusin kokën?

Lirinë që na e kanë shtrënguar në morsë e na çojnë në mitingje elektorale me listë se ndryshe na fshijnë nga borderoja?

Lirinë për të mos u ndierë inferiorë midis gjoja të barabartëve? Po ku e kemi ne këtë? Në drejtësi? Aty ku, kur vjedh sallam për të mbajtur frymën gjallë bën burg me vite dhe kur vjedh fonde publike shpallesh hero? Në poste drejtuese dhe vendimmarrëse, ku të vjen të shkulësh flokët për analfabetizmin e atij që dredh zinxhirin përballë teje, ndërsa ti je kali i punës së “Fermës…” që të çojnë te kasapi se nuk u duhesh më? Vdes nga uria, por thua: Jam i nginjur, vetëm ju aman mos u grindni! Je lakuriq, por kënaqesh me “rrobat e reja të mbretit”; jeton në terr, por thua se po verbohesh nga drita?

Kafshët e “Fermës…” rebelohen ndaj pushtetit të njeriut dhe vendosin të administrojnë vetë jetën e tyre, por edhe brenda llojit shfaqet etja për pushtet dhe përfitim në emër të gjakut të të tjerëve, sepse: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa prej tyre janë edhe më shumë”, njësoj si sot midis nesh: “Të gjithë njerëzit janë të barabartë përballë ligjit, por Maliqët janë edhe më të barabartë”; “Asnjë kafshë nuk mund të vrasë një kafshë, por jo kur ka arsye”,  njësoj si sot midis nesh: “Askush nuk mund ta cënojë lirinë e tjetrit, por po t’u zgjat gjuha, ne ta presim”.

I dashur Erion! Unë të falënderoj që ti e vure këtë pjesë në skenë.

Unë nuk kam ndërmend të analizoj këtu se si Snoubolli dhe Trocki punonin në heshtje gjatë natës për të marrë revansh përballë kundërshtarit të tyre, sepse ti e di më mirë se unë. As përballjen e Boxerit me dilemat e veta nuk dua ta analizoj, sepse e di Oruelli dhe ti pse ai nuk ka dëshirë të arsyetojë mendimet e tij, por i bie shkurt duke thënë: “Napoleoni ka gjithmonë të drejtë”.

Unë po të shkruaj, Erion, jo vetë për paralelen që heq unë midis qasjes tënde për “Fermën…” dhe “derrave” të fermës sonë, që kanë një histori që na udhëheqin, jo një vit, as dy, as dhjetë, as njëzet, por një histori të tërë (ndryshojnë veç format, por jo përmbajtja), por edhe për shtypjen e këtij populli që nuk resht së lumturuari sa herë goditet e shtypet.

Unë po të shkruaj Erion, që kolegët e mi mos t’ju braktisin se jeni ata të “Portokalli”-së së Top-it, ndryshe nuk do të tregojnë asgjë tjetër, përveçse që janë Boxeri i Napoleonit të vendit ku punojnë!

Shperndaje