Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Femra nuk do të jetë kurrë mëkat, edhe nëse këtë e thotë një Imam me pozitë!

Femra nuk do të jetë kurrë mëkat, edhe nëse këtë e thotë një Imam me pozitë!
September 12
15:52 2018

Nga Ana Limani

Besoj se shumë prej jush e kanë rastisur dhe dëgjuar videon e Imamit Elvis Naçi, i cili duke folur për veprat që të japin liri të vërtetë, shprehet dhe se femra është pikënisja e çdo të keqeje që pason. E këtë nuk mund ta lija pa një përgjigje.Në fakt ky shkrim erdhi pas disa ditësh, sepse më duhej pak kohë që të arrija ta procesoja si mendim. Jam munduar shumë ta kuptoja në fakt, por në çfarëdo këndvështrimi ta shihja, nuk mund ta pranoja kurrsesi. Jo sepse jam femër, por sepse një njeri me mendime të shëndosha e sheh qartë se sa i gabuar ishte ai lloj logjikimi.

Si fillim, dua të sqaroj diçka. Nuk kam asgjë kundër fesë islame e asnjë feje tjetër. Çdokush ka të drejtën e lirisë së besimit dhe ushtrimit të tij.

Por sinqerisht një person si Imami Elvis Naçi, me aq influencë dhe me njerëz që e ndjekin verbërisht si përfaqësuesin e tyre dhe besojnë çdo gjë që ai thotë… është shqetësuese fryma paragjykuese dhe keqdashëse që ai përhap ndaj femrës.

Një femër nuk të çon drejt shejtanit, e një femër nuk të çon drejt vjedhjes. Çdo njeri është i aftë të bëjë zgjedhjet e veta dhe të mbajë përgjegjësi për to. Nuk mund të fajësosh dikë për veprimet e tua.

Ti që je i dhënë për femrat dije se kanë kosto. Kur ajo hyn për shoping dije që ti duhet të vjedhësh se nuk ia del dot. Femra që shesin veten për pasion duhet të bësh 1 mijë e 1 zullume që të blesh ato që do ajo.” – thotë Imami në videon që bëri xhiron e rrjetit.

Jo, femrat nuk kanë kosto. Kur i përkushtohesh një personi, qoftë mashkull apo femër, investon për lidhjen me të. Dhe me investim nënkuptoj kohë, dashuri, RESPEKT dhe të mira të përbashkëta. Dhe nëse dikush ndërton një marrëdhënie që çon në vjedhje e “një mijë e një zullume” për të plotësuar dëshirat e njëri tjetrit, përgjegjësia është e të dyve. Ju vetë i zgjidhni njerezit me te cilët rrethoheni dhe prej te cilëve ndikoheni.

Prandaj o njerëz të mirë mos bini pre e shejtanit se e filloni me femrën, e mbaroni me vjedhjen e mbaroni me drogën. “ – vazhdon Imami…

Në fakt pre e shejtanit ndoshta bini kur filloni krijoni një mentalitet të këtillë dhe nuk respektoni as mamatë tuaja, as gratë tuaja, as vajzat dhe asnjë femër me të cilën rrethoheni. Nuk është detyra e femrës të mbajë ty apo çdo mashkull tjetër në rrugën ë duhur.

Nuk ndërtoni dot kurrë familje të shëndoshë, nuk gëzon dot fëmijët.

Më fal po si i keni krijuar familjet tuaja ju të mentalitetit “femra të çon te shejtani”? Pa femra? I dashur, pa femrën nuk ndërton as familje dhe nuk do kesh kurrë as fëmijë. Egoja juaj mashkullore të paktën duhet të dinte vlerën e femrës për t’ju dhuruar familjen që gëzon të ardhmen tuaj.

I shpjegova fjali pas fjalie, në mënyrë që të kuptoni sado pak. Dhe ajo që më tremb në fakt ishte vetëbesimi me të cilin ky njeri transmeton ato mendime të sëmura. Dhe akoma më tepër më lëndon fakti që njerëzit me sy dhe mendje mbyllur, duartrokasin në emër të një feje që nuk ka fare të bëjë me këto ide paragjykuese, nënvlerësuese për njëri tjetrin.

Madje nëse ende nuk jeni bindur për pavlefshmërinë e mendimeve tuaja, lërmëni t’ju citoj disa parime të fesë që ju përfaqësoni dhe pretendoni se e njihni mirë!

“Myslimani më i përkryer në çështjen e besimit është ai që ka sjellje të shkëlqyeshme; dhe më të mirët ndër ju janë ata që sillen mirë me gratë e tyre”.

[Tirmidhiu, nr. 278]

ashtu sikundër burrat gëzojnë disa të drejta ndaj grave, po ashtu edhe gratë kanë të drejtat e tyre ndaj burrave…  Lidhja midis burrave dhe grave duhet të jetë njësoj siç është midis dy miqve të sinqertë dhe besnikë”. (Melfuzat, vëll. V, f. 417)

Më e qartë tani besoj…

Dhe nuk është hera e parë që ky person, duke përfituar nga statusi që ka kryelartëson figurën e meshkujve, duke ulur atë të femrës. Dhe fakti që vazhdon ta bëjë, do të thotë që të gjithë ne, nuk duhet t’i anashkalojmë mesazhe të tilla të dëmshme, për shoqërinë e sidomos gruan, por duhet të flasim më tepër, më bindshëm, për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë.

Dhe dy fjalë të fundit:

Femra nuk do jetë kurrë objekt kënaqësie për të përmbushur nevojat e mashkulli. Dhe nëse fakti që kundërshtojmë të përulemi para meshkujve, na bën të shkojmë drejt shejtanit, kënaqësi që u njohëm. Do vazhdojmë ta bëjmë, dhe gjithashtu do vazhdojmë të punojmë sepse lekët për shopping i sigurojmë vetë. Mbetet për t’u parë kë do fajësoni për gabimet tuaja pastaj. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje