Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Është tjetër jetë në fletë!

Është tjetër jetë në fletë!
October 04
12:05 2017
Nga Desantila Vatnikaj
Shumë shpesh, me ose pa vetëdije ne i lejojmë opinionet e njerëzve që të kenë impakt të fortë në ndjenjën tonë të vetëvlerësimit. Vecanërisht të rinjtë, adoleshentët, të cilët po bashkëjetojnë në një botë ku më shpejt zhvlerësohesh sesa motivohesh! Kam patur edhe unë ditë të tilla, si kushdo, e për dreq asnjëherë nuk e (mirë)kuptoja shprehjen “çfarë të vret të bën më të fortë”.
Me kohën, u mësova se unë nuk jam ajo cfarë thua ti! Unë jam e gjitha ajo që shoh në pasqyrë. Madje i bindem fort idesë se ajo çfarë unë jam formësuar sot i dedikohet totalisht përzgjedhjes personale të librave që kam lexuar, të njohurive që kam përthitur, të filmave që kam parë, të gjithë përjetimeve shkollore universitare e në fund edhe të selektimit të një rrethi shoqëror prej të cilit kam patur terrenin për të shprehur atë që unë jam duke u pranuar prej të tjerëve e për të pranuar të tjerët ashtu sic ata janë. Ti je ajo cfarë beson në vetvete se je, ty nuk të bën tjetri më pak të mënçur nëse përpiqet të nxjerrë nga ti dobësitë e tua! Ka diçka që bën thellësisht diferencën, quhet kulturë! Është ajo veti që nëse i mungon individit rrjedh në defiçenca të tilla të cilat të dëmtojnë edhe ty. Të ushqesh mëndjen, të edukohesh, të duash, të lexosh, të përcjellësh pozitivitet tek njerëzit që të rrethojnë, është kulturë. Nëse mundesh, kujdesu për të gjitha nga pak, nëse të bën të ndihesh mirë, është e sigurtë që do të bëhet “ngjitëse” tek të tjerët.
Piramida e Maslow është një teori që jep një model pesë shtresor të nevojave njerëzore. Kur një kërkesë bazike arrin të plotësohet, shoqëria vetvetiu kërkon të bëjë progres duke hedhur hapa të tjerë në fazë tjetër. Plotësimi sjell motivim.

Nisem të shkruaj më shumë e të tregohem vetvetiu optimiste në atë që dua të përcjell e po ashtu të marr, por që në momentin që jemi ende shoqëri e paplotësuar në “nivelin bazik”, them se sa vlerë të madhe do të kishte nëse arrijmë të kapërcejmë nga njëri “kat në tjetrin” dhe se sa ndikim do të kishte plotësimi vetjak edhe tek shëndeti social në përgjithësi. Nuk ka vetëm një fajtor, janë të gjitha zinxhir që pengojnë si individin ashtu edhe shoqërinë, në realizimin e objektivave.

Të gjithë duam një jetë më të mirë por jo të gjithë e kemi sepse jo të gjithë përpiqemi. Mendo për një moment se si do ishte jeta jote po të ishe në të njëjtën kompani me një nga biznesmenët më të mëdhenj në botë, si do të ishte po të punoje në të njëjtin kabinet me një drejtues të suksesshem, se sa i shëndetshëm do të ishe po të shoqëroheshe cdo ditë nga njerëz optimist, njerëz që të motivojnë, njerëz që janë aty dhe kanë fuqinë të japin njëndryshim në jetën tënde. Të kesh një mentor është gjithmonë diçka e fortë e me ndikim sepse nëse dikush si ata mundet, edhe ti mundesh!
Mbaj mënd se diku kam lexuar një shprehje: nëse hyn në një shtëpi dhe nuk ka libra, ik prej aty! Në fakt unë kur jam përballur me situatë të tillë, nuk kam ikur, përkundrazi, jam ulur dhe kam biseduar gjatë, ndoshta edhe gjëra të cilat në dukje mund të duken të parëndësishme, por në thelb do të më bënim të kuptoja se realisht poshtë asaj çatie, ka njerëz të varfër! Të gjithë duam një jetë më të mirë, por jo të gjithë përpiqemi për këtë. Kam njohur njerëz që drejtojnë sindikata të mëdha, njerëz të niveleve të larta drejtuese, të pasur, të suksesshëm, të thjeshtë, të thjeshtë deri në palcë dhe të lumtur. Rrezatonin një lumturi të paqtë! Sepse një jetë më e mirë vjen kur ti përpiqesh për veten tënde. Të gjithë personazhet e njohur kanë mentor që si rregull duhet të jenë dhjetëfish më të përgatitur se ta, njerëz si Bill Gates, Sam Walton, Oprah Winfrey. Ata janë si unë e si ti por nuk lindën të tillë. Punuan fort, dështuan, u rrëzuan, u refuzuan, por ja ku janë sot. Madje Oprah Winfrey në një prej rrëfimeve të jetës së saj e përlotur ka treguar se nata më e lumtur e jetës së saj kanë qënë Krishtlindjet kur ka qënë fëmijë i vogël, me shpjegimin se nëna e tyre sapo u kishte dhënë lajmin se ata nuk do të festojnë atë natë si gjithë të tjerët pasi në tryezë nuk kishin për të ngrënë e as në dysheme nuk kishte dhurata, ishin njëfamilje me një varfëri të skajshme, derisa dikush atë natë trokiti në derën e tyre duke i dhuruar pako plot me ushqime e lodra fëmijësh. Ajo pohonte se kishte qënë nata më e lumtur e jetës së saj dhe tregonte se ju rikthye besimi dhe forca në vetvete që një ditë edhe unë do t’ja dal të bëhem dikush e të ndihmoj njerëz. Nuk u pasurua atë natë, as nga pakoja e ushqimeve as nga lodrat, ajo u vesh me besimin se po të duash e të punosh fort për dicka, ti mundesh!
Përtej mentorit të gjallë në botëkuptimin tim janë edhe ata që quhen thesarë të fshehur, librat! Nuk jam një prej njerëzve që pretendoj se lexoj 30 libra në muaj, por nuk kalon një ditë që të mos lexoj dicka. Nuk jam personi më i mirë për të dhënë këshilla por do t’i lejoja vetes të të kërkoja që të bësh cdo ditë nga një gjë të vogël. Më thuaj pak kur ka qënë hera e fundit që ke konsumuar dicka pa sheqer, kur ke ngrënë në mënyrën më korrekte, kur ke zgjedhur shkallët në vend të ashensorit ose kur ke lejuar ajrin e pastër në vend të kondicionerit?
Është e vështirë por vështirësia e bën të madhe cdo gjë! Edhe nëse je i uritur ti prap mund të jesh i lumtur në rrethin e miqve duke qeshur me shpirt. Vitaminat shpirtërore janë ushqim i përditshëm. Cdo ditë lexo dicka, sado e vogël të jetë. Statistikat tregojnë se motivimi për të lexuar rritet me moshën, sa më shumë rritemi, aq më tepër ndjejmë nevojën për të lexuar e mësuar më shumë. Por një ndikim të fortë në këtë proçes ka shtëpia, familja! Çdo gjë nis prej aty. Nëse një fëmijë ushqehet dhe motivohet për të lexuar, këto janë çelësi i zhvillimit mendor të tij. Mbaj mënd se libri i parë që kam lexuar ka qënë “Shtëpia prej cokollate”, që prej atij momenti, në çdo faqe e gjeja veten pre e fantazisë që më vishte çdo tregim i librit, madje kam arritur deri aty sa mendoja se kishte vërtet shtëpi të tilla prej cokollate të cilat ishin lehtësisht të ngrënshme.
Tani që jam rritur, dua të mbetem vetë peng e një libri të mirë. Ka ditë ku realisht dua të vesh rolin e personazhit kryesor e të jetoj nën lëkurën e saj, duke ndjekur me fanatizëm e etje të madhe çdo ngjarje. Është pikërisht në ato ditë gri, në ato ditë plot diell, në ditë të mira e në më pak të mira ku adezivi më i mirë është libri, për të plotësuar mëndjen me histori të cilat nesër do të të bëjnë të diskutosh në atë tavolinën e vogël ku do të konsumosh një kafe, do të ngjallë tek ty një ndjesi tjetër, do të nxisë diskutime e rrjedhimisht do të të bëjë të kuptosh mënyrën se si gjithësecili prej nesh e përjeton një ngjarje të caktuar. Është një ushtrim tepër i mirë i imagjinatës njerëzorë dedikimi i të lexuarit si kënaqësi dhe jo si presion i fjalës “duhet”.
E di se shpesh herë madje kam marrë krahët e kam imagjinuar me vete se autorja e atij libri jam unë, sepse shkruhej ekzaktësisht cdo gjë sic e bluan mëndja ime. Këto kanë qënë herët kur unë personalisht jam ngacmuar që të nis të shkruaj. Kam shkruar keq, jam kritikuar, jam lënduar, për hir të vërtetës edhe kam qarë kur kam lexuar komente negative që më kanë prekur atë ndjesi të cilën unë e lidh me shpirtëroren e njeriut, sepse përherë kam menduar se personaliteti i njeriut duhet t’i shërbejë shpirtit.
Fjalët janë të fuqishme, kanë një lloj peshe me të cilën mundet të na ngrenë shpirtin peshë e me të njëjtën forcë të na thyejnë copash përtokë. Kanë fuqinë të na bëjnë të kuptojmë se si funksionojnë shumë gjëra midis nesh e përtej nesh. Fjalët janë një jetë! Ka shumë jetë edhe në një fletë. Kam lexuar histori të trishta e kam qarë me dënesë, më janë shkundur deri në palcë kockat e dhimbjes e kam falenderuar me kryet lart jetën që kam! Jam lumturuar me shpirt për triumfe zemrash, për grimca ekstazash e për gëzime që nuk i vihen dot emra. Këtë ylber ndjesish më ka dhënë një libër! Të lexosh do të thotë të jetosh 1000 herë para se të vdesësh, sepse në një fletë e njëqind të tilla, është tjetër jetë, janë dritaret e botës! Librat janë një biletë për liri të pakushtëzuar. Zgjidh çdo ditë të ushqesh veten me njohuri të cilat më beso, një ditë do të të duhen fort. Jeta nuk përbëhet vetëm prej arritjeve, të gjithë e dimë se rruga që bëjmë deri tek qëllimet e vendosura në kokë, janë sakrifica që gjithmonë kujtojmë. Mbajeni mëndjen hapur për dije! Bën diell jashtë asaj dritares, ka një botë tjetër jashtë atij kufiri!/Blitz.al/
Shperndaje