Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ergi, na le… pa frymë!

Ergi, na le… pa frymë!
November 22
13:23 2016

Nga Suada Daci

Na ndodh shpesh edhe ne gazetarëve të afeksionohemi dhe të krijojmë marrëdhënie të afërta me personazhet publike. Me Ergin ishte ndryshe, ishte një shkodran i ftohtë, i distancuar, por me mua, donte s’donte (të më jepte intervista apo të vinte i ftuar në program) vinte, sepse ishte djalë i lagjes ku unë banoj.

E kujtoj si sot ditën kur prezantoi për herë të parë këngën “Pa frymë”. Erdhi në Tv Klan i shoqëruar nga shokët dhe sa u trishtua kur kolegët e tij (ata që sot bëjnë statuse të pikëlluar për humbjen e tij në rrjetet sociale) nuk i dhanë mundësinë të shijonte magjinë e netëve finale!

Një gjë është e sigurt, ai do ta qante atë këngë, sepse këtë na e kishte vërtetuar një vit më parë kur fitoi “X Factor 3” dhe ku u vu re se “yllin” e kishte gjithnjë me vete. The Weeknd shqiptar (kështu e kanë cilësuar komentuesit e rrjeteve sociale pasi lançoi projektin “Pa frymë”) solli të tjera këngë, si “Asnji Gram”, “Morphine” dhe së shpejti priste të publikonte edhe dy këngë të reja që… u lanë në mes…

Më vjen shumë keq që po i shkruaj këto rreshta për një djalë të talentuar 22-vjeçar në kohën e shkuar, kur ndoshta do të më duhej të shkruaja për të në të ardhmen. Të ardhmen e një ylli që, edhe pse me shumë vështirësi, do t’ia dilte një ditë, sepse Ergi Dini e kishte vërtetuar që dinte t’i bënte ëndrrat realitet.

Aty ku ke shkuar do të jesh i lumtur dhe në paqe, por nënës, motrave dhe babait që të kishin dritën e syve u ke lënë një boshllëk shumë të madh. Të njëjtën gjë ndiejnë edhe shokët (ata të vërtetët), Nesti, Rudolfi, Esjoni, Sidi etj., të cilëve do t’u mungosh pa fund…

Për ta do të mbetesh artist në skenë dhe në shoqëri./Blitz.al

Komento
Etiketimet
Shperndaje