Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Epoka e Vjetër e Gurit në territoret e Shqipërisë” – nga Marin Mema

“Epoka e Vjetër e Gurit në territoret e Shqipërisë” – nga Marin Mema
November 20
21:25 2017

Nga: Marin Mema

Për shumëkënd, pavarësisht dijeve modeste që mund të ketë mbi tezat shkencore që lidhen më zhvillimin e historisë njerëzore, padiskutikm që termi “paleolit” nuk është i panjohur.

Me pak fjalë, arkeologjia e klasifikon paleolitin si periudhën më të hershme të zhvillimit të shoqërisë primitive, të ndarë në tre faza, paleoliti i ulët, i mesëm dhe i lartë.

Deri më sot në vendin tonë, gjurmët më të hershme të qenies njerëzore, faktohen përmes gjetjes së veglave që i përkasin fazës së mesme dhe të ulët të paleolitit, e përmes të cilave mesaduket njeriu primitiv në territoret tona, rreth 100 mijë deri në 30 mijë vjet para erës sonë, plotësonte proceset e punës së përditshme që i garantonin jetësën.

Sikurse bëhet me dije në botimin prestigjoz të Akademisë së Shkencave, “Harta Arkeologjike e Shqipërisë”, zbulimet e para të siteve me gjetje të veglave paleolitike janë bërë në Rrëzë të Malit të Dajtit (Tiranë) dhe në Xarrë e Shën Marinë (Sarandë), gjatë viteve 30 të shek. të XX.

Më tej, të tjera kërkime në territorin e Shqipërisë së ulët bregdetare krijuan një tabllo krejtësisht të re mbi kulturën paleolitike.

Përsa më sipër, paleoliti i mesëm dhe ai i lartë në vendin tonë përfaqësohet përmes Xarës (Xara I) në Jug të Shqipërisë, Kryegjata (Kryegjata B), Peshtani, Krapësi e Rusinja në Shqipërinë e ulët bregdetare dhe Gajtani (Gajtan 1) në Shqipërinë e veriut. Ndërsa gjurmët e paleolitit të lartë janë prezente në sitet e Xara II, Konispoli I, Kryegjata B, Rrëza e Dajtit dhe Gajtani II.

Në Xarrë për shkak të punimeve të vazhdueshme bujqësore është mundësuar mbledhja e një koleksioni të pasur veglash stralli (gur shumë i fortë), dëshmi e jetëgjatësisë së banimit paleolitik të mesëm e të lartë. (Mustili 1942).

Ndërkohë veglat e strallit të zbuluara në Kryegjatë, janë të punuara nga stralli i zonës përreth, me cilësi të mirë, kryesisht i marrë nga tarracat e lumit të Gjanicës dhe me rëndësi është që këto vegla janë të ruajtura mirë, pa gërvishtje apo thyerje.

Përtej veglave të lartpërmendura, gjetja e disa të tjerave të tipit “Chopping tool” në Peshtan (të njohura si një nga llojet më të hershme të veglave të gurit, rreth 2 milion vite të vjetra), të shtyn të mendosh për ekzistencën e siteve të fazës fundore të paleolitit të ulët, porse pritet që kjo hipotezë të qartësohet me kërkime të ardhshme. /Blitz.al/

Shperndaje