Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Ende besoj se jam një vajzë që di të dua

Ende besoj se jam një vajzë që di të dua
April 05
13:10 2017

Nga Desantila Vatnikaj

Ndonëse jam thyer e pa fjalë kam mbetur, netëve ku zgjuar rëndoja kryet me pikëpyetje, edhe pse kam heshtur e kam urryer veten jo pak herë, prapë jam një vajzë që di të dua. Ndonëse provova shije të hidhura, në ditët kur mendoja se jam e lumtur dhe jeta më ktheu shpinën, mësova të zgjohem edhe njëherë pa pendime e t’i gëzohem pranverës.

Gostitë që na ofron tryeza e jetës janë njëmend shije për t’u provuar, as unë as ti nuk i kemi shpëtuar, jemi bërë palë me të, jemi ngopur, në të ëmbël e në të kripur, por prapë i jemi gjendur vetes ulur sërish përballë saj. Prapë kemi zgjatur duart për një tjetër pjatë në mëngjese të vona…

Dje pashë veten në pasqyrë, ngultas kërkoja të shihja edhe njëherë shpirtin që di të dojë, të shihja në sy veten e të njihja prapë një zemër që rreh, të gjeja edhe njëherë buzëqeshjen e njeriut që ngritjen e ka më të fortë se rrëzimin, atë fytyrë jetë-plot që do të thotë një ditë me gjithë zemër, po. Po, unë jam një vajzë që besoj në dashuri, jam ende një vajzë në thelb që besoj në përralla, e kam lexuar jetën time qindra herë si të ishte një roman, jam veshur në rolin e personazhit kryesor, kam qarë e jam lumturuar me histori e me jetë librash, ndonëse jam thyer e pa fjalë kam mbetur nga vetë jeta ime… ende besoj se jam një vajzë që di të dua.

Çdo gjë ndodh nga një herë, por nëse ndodh dy, me siguri do të ketë edhe njëherë të tretë.

Ndaj iu binda edhe këtë herë rrugëtimeve të diktuara. U binda dhe hodha pas krahëve gjithçka më shkundi qenien pa i përsëritur vetes fjalë dhembjeje: mund të kishte qenë ndryshe. Jo, çdo gjë ka qenë ashtu për një arsye, e tillë ka qenë dhe nuk do të bëhej më mirë, unë edhe ti thjesht do të mësoheshim me të.

Unë do të jem prapë një poezi të cilën nuk do të di kurrë ta shkruaj, do të jem një muzikë e pakënduar në pianon tënde, do të jem një pikturë në pritje mbetur në telajo, do të jem prapë një vajzë që di të dua… dhe kjo është ajo që kam dashur t’ia them vetes e ty, prej në zgjim e deri në gjumin e thellë, kam gjetur edhe njëherë brenda vetes një fytyrë jetë-plot që do të thotë me gjithë zemër, po.

Një ditë do të harrojmë lotët, dhimbjet e në heshtje do të kuptojmë se liria nuk është hakmarrja ndaj atyre që shpirtin na e thërrmuan, por t’i lëmë gjërat në kohën, rrugën e vendin e tyre.

Unë do të jem historia që do të dua të tregoj, e një vajze që di të dojë…/Blitz.al/

Share