Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Emrat ilirë të Durrësit

Emrat ilirë të Durrësit
September 13
23:00 2017

Nga Marin Mema

Në Durrësin e lashtë janë zbuluar shumica e emrave ilire që ne njohim. Pjesa më e madhe e tyre kanë prekur dritën në gërmimet e kryera në vitet 1950 – 1960 e të cilat drejtoheshin nga Vangjel Toçi, arkeologu i ndjerë që është edhe zbuluesi i monumenteve më të njohura në këtë qytet. Ato erdhën në formën e mbishkrimeve të ruajtura në gurët e shumtë të varreve të lashtë të qytetit të Epidamnusit. Shumë prej këtyre emrave u përdorën e kaluan te fëmijët e kohës si dëshmi e një trashëgimie të vyer e të pashkëputur nga ilirët, tek arbrit e shqiptarët.

Disa emra të pranishëm në Epidamnus janë: Bersas, Bersantos, Gentheas, Genti, Epikad, Madena, Plator, Teuta, Temiteuta, Trauzos, Dazaios, Brugos, Aba, Andena, Zaimina,  Klebeta, Koreta, Laidan, Annika,  Annos, Eortaios, Tataia etj. Në analiza i duhet kushtuar vëmendje dhe një kujdes i veçantë emrave që përcaktojnë grupe të përziera, ku p.sh. emri është ilir, por patronimi grek ose latin apo anasjella.

Ky dokumentacion i pasur shërben për të kuptuar edhe bashkëjetesën në Epidamn e vendasve ilirë me elementë të tjerë të ardhur. Nuk duhet harruar e anashkaluar se sipas arkeologëve dhe ekspertëve të fushës, pas zbritjes në qytet të kolonëve Korkyras e Korinthas, pati mjaft vendas të cilët, për t’u përshtatur, morën emra grekë duke u hequr edhe si të tillë. Ata në këtë mënyrë kishin lehtësi në jetën politike dhe ushtarake të qytetit. Ky është një fakt që pranohet edhe në hartën arkeologjike të Shqipërisë që ka për autorë Myzafer Korkutin, Apollon Baçen e Neritan Cekën nën drejtimin e arkeologut francez Pierre Cabanes. Përgjatë gërmimeve, por edhe radhëve të lëna pas nga autorët e lashtësisë, janë gjetur emra të shumtë të cilët tregojnë pikërisht këtë ndryshim, i cili në shumë raste është identifikuar lehtësisht.

Një rast konkret është ai i përmendur nga autori romak Suetoni, i cili teksa flet në veprën e tij për komplotet e shtypura nga gjenerali August, përmend edhe “Asini Epicadin ex gente Parthina”. Ky emër, siç analizohet edhe nga arkeologët shqiptarë, është shembull i qartë i përzierjes. Banori ka shtuar emrin e parë, por të tijin me të cilin identifikohet e ka Epikados, një emër vendas siç pranohet edhe nga Suetoni. Duke filluar nga shekulli i tretë para Krishtit, megjithatë, ndryshimet minimizohen e kjo sepse edhe vendasit autoktonë ilirë arrijnë të ngjisin shkallët hierarkike, sa kohë më shumë rëndësi mori pasuria e pozita shoqërore sesa lindja apo origjina etnike. Kjo s’do të thotë se raste nuk kishte, por ato janë më të pakta në krahasim me periudhën e mëparshme. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje