Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

E KAM ME JU, djem që nuk dini të propozoni dhe vajza që thoni “po” duke numëruar zerot!

E KAM ME JU, djem që nuk dini të propozoni dhe vajza që thoni “po” duke numëruar zerot!
June 10
15:24 2017

E keni menduar ndonjëherë se si do të jetë momenti kur i dashuri juaj t’ju propozojë për martesë?

Hajde pra vajza, mos guxoni të thoni jo pasi është e sigurt që do gënjenit. Dikush ka menduar me ditë të tëra teksa mbështeste kokën në jastëk në mbrëmje se kur do të vinte dita që i dashuri i saj do t’i shtronte pyetjen: “Shpirt, dëshiron të martohesh me mua”? Apo mos tingëllon më mirë: “Dëshiron të jesh gruaja ime përgjithmonë?”; “Do të pranosh të jetosh me mua derisa vdekja të na ndajë?”

E cila vajzë nuk i ka menduar fjalë të tilla! Më ndodhi të isha, edhe pse jo drejtpërdrejt, pjesë e një propozimi. Dy të rinj, ai 28 vjeç, ajo 23. Shumë të dashuruar në dukje. Ai kishte menduar gjithçka deri në detaje. Ditën e saj të lindjes, përpara se të shkonin në festë, do ta çonte në vendin ku ishin njohur dhe do t’i propozonte martesë. Ups, mos thashë që e kishte menduar deri në detaje? Epo, jo! Kishte harruar që e dashura e tij ndoshta nuk do ta pëlqente edhe aq shumë idenë e të shkuarit në shkollën e gjimnazit sesa po ta kishte çuar në Paris, në majën e Eiffel-it të filmave. Në mos në Paris, në  një vend super të shtrenjtë, akoma edhe më mirë me shuuuuumë të pranishëm dhe hiper-mega më mirë, nëse unaza do të kushtonte me shumë zero mbrapa, se në Instagram ka njerëz që arrijnë t’i dallojnë shifrat edhe nga vetëm një foto.

Si përfundim nuk ndodhi kështu. Sigurisht që ai i propozoi, sigurisht që ajo refuzoi dhe sigurisht që ky djali i propozoi prapë, në një restorant të shtrenjtë, me shumë të pranishëm dhe me një unazë goxha të kushtueshme. Nga e gjithë kjo unë nuk kuptoj vetëm diçka? Çfarë duan këto vajza?

Nga ana tjetër, pa dashur t’i anashkaloj, ka edhe djem që nuk e kanë minimumin e idesë apo të romantizmit. Ai i dhuron një unazë, një makinë, një qen, një shtëpi dhe në fund i thotë: “Shpirt, a martohemi ne”? Ka një problem, nuk thuhet: “A martohemi  NE”. Po duhet të ketë një përemër tjetër kjo fjali, ndoshta është “me mua”?

E pse mos t’i rrotullosh sytë, t’i thuash jo, të hapësh derën e shtëpisë dhe t’ia mbathësh përgjithmonë nga ky njeriu? Çfarë dreqin kanë këta djem?

Nuk e di për shumë nga ju, por për mua është shumë i rëndësishëm propozimi. Nëse ka një moment në jetë që një vajzë e mban mend gjatë gjithë jetës është pikërisht ky, PRO-PO-ZI-MI. Ndoshta disa prej jush nuk e kanë aspak problem këtë pjesë, u mjafton lumturia në çift, megjithatë brenda vetes për çdo vajzë është e rëndësishme.

Pyetje: Domosdoshmërisht i veçantë? Po, por jo domosdoshmërisht i kushtueshëm dhe këtu duhet të bëhet një diferencë midis nevojës dhe dëshirës. Një vajzë nuk e ka të nevojshëm një propozim, por e dëshiron, dhe e dëshiron shumë brenda vetes. Mjafton që partneri i saj të jetë aq kreativ, ta njohë aq mirë sa ta dijë se cili në të vërtetë do të ishte momenti më i lumtur për një vajzë. Nëse asaj i pëlqen errësira, përse mos t’i propozosh nën yje? Nëse ajo ka një grup të preferuar atëherë lidhi tekstet e tij dhe thuaja të gjitha përmes muzikës. Nëse ajo pëlqen një libër, atëherë dhuroja një dhe në faqen 163 (apo nuk e di se çfarë) lëri një shënim të bukur. Nëse ajo pëlqen detin propozoji nën ujë. Ka kaq shumë gjëra që mund t’i shfrytëzosh sa po t’i mendosh gjatë e gjerë do t’ju bënin të dyve të lumtur (dhe portofolin tuaj). Nëse ajo do unazë vut karatshe blija, por nëse xhepi yt dhe e dashura arrijnë t’i përballojnë. Nëse për ty dhe atë janë të domosdoshme Maldivet apo Parisi atëherë rrugë të mbarë!

Epo, vajza dhe çuna, zgjidheni të dashurin/ën ashtu siç e doni për veten tuaj.  Ndoshta ju është dukur qesharake shprehja, por është shumë e rëndësishme që “tenxherja të gjejë kapakun e duhur”.  E kam me ju vajza që thoni “jo”, me ju çuna që zbrazni kuletat dhe që vështirë se dini të flisni. E kam me ju djem që nuk dini të propozoni. E kam edhe me ju vajza që thoni “po” duke numëruar zerot. /Blitz.al/

I.M

Shperndaje