Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dyshe apo treshe? Kjo është çështja!

Dyshe apo treshe? Kjo është çështja!
August 25
14:19 2017

Nga Kozeta Kurti

 

Në të vërtetë, unë dhe shumë të tjerë si unë as që duam t’ia dimë për dyshet, treshet dhe kolektivizmat e askujt dhe për rrjedhojë as për tuajat, për aq kohë sa nuk na cënohet e drejta jonë e jetës dhe të gjitha të drejtat e tjera që burojnë prej saj.

Ju jeni një treshe si dhjetëra treshe të tjera në shoqërinë e kohës së sotme, që vetëm sa nuk flenë të tre bashkë, por në fund të ditës tre janë sërish: një burrë me dy gra, një grua me dy burra, një burrë me dy burra, një grua me dy gra dhe sa të duash kombinime mund të gjesh, të cilët bëjnë jetë të dyfishtë e trefishtë në përpjekje të mundimshme për të justifikuar veten se është një gjë që ndodh…dhe në fakt, përderisa ndodhka, s’kemi pse e vëmë në dyshim.

Ajo që mua më shqetëson është se si  është e mundur që dikush si ju, që “lufton” për të drejtat e njeriut, për të drejtën për vendimmarrje, për revolucionin seksual, e ka kaq të pamundur që po në kuadër të të drejtave të njeriut të pranojë mendime të tjera që janë të ndryshme nga tuajat dhe të fyeni me mungesë emancipimi, kulture, madje të dilni edhe në koncepte juridike krejt të gabuara.

Nëse do t’i referohemi ligjit për shembull, ju nuk keni të drejtë ta rrisni fëmijën  tuaj në një mjedis të ngjashëm me atë që keni zgjedhur të jetoni ju të tre (bebja ardhtë i bardhë e i mbarë!) e megjithatë promovimi i rastit tuaj nuk ju bën juve qenie më superiore se dy persona të komunitetit LGBT, që ashtu sikurse ju, duan të bëjnë disa gjëra në kuadër të të drejtave të njeriut, por që ligji nuk ua lejon. A është i drejtë ligji? A ka vend për ndryshim? A është selektiv ligji? Këto janë pyetje që s’më takon mua t’u jap përgjigje, për aq kohë sa nuk ka ende një përgjigje konkrete për ndryshimin e kuadrit ligjor. Dhe më besoni, kjo nuk ka të bëjë me qasjen time personale, por gjithkush që e mendon ndryshe ka të drejtë ta bëjë. Kodet, ligjet janë rregullatorë për të unifikuar bashkëjetesën në një komunitet, por secili prej nesh, nën çatinë e tij e brenda mureve të shtëpisë së tij, ka rregullat e normat e veta.

Nëse do t’i referohemi zgjedhjes personale, unë dhe shumë të tjerë si unë kemi të drejtë ta konsiderojmë edhe anormale këtë qasjen e familjes suaj, po aq sa ju konsideroni anormal faktin që nuk e kuptojmë stilin tuaj të jetesës, sepse jemi arkaikë, të pakulturuar, të paemancipuar etj. Është zgjedhje! Ju po bëni me të tjerët atë që s’doni që të tjerët të bëjnë me ju. Po gjykoni, paragjykoni dhe fyeni ata që kanë një mendim ndryshe me tuajin. Ne nuk vijmë t’ju themi çfarë mrekullie është ta bësh dyshe, ndaj ju lutem na i kurseni ato minutat në televizion, duke thënë: Ju s’keni provuar çfarë është treshja…

Ju nuk jeni më të mirë se të tjerët. Ju gjykoni të tjerët po aq sa të tjerët mendoni se e bëjnë me ju.  Ju doni të bëni plazh topless në një plazh jo të dedikuar, por lexova se ju bën përshtypje pse dikush lahet me burka e ferexhe, duke cënuar të drejtën e saj të lahet në det si të dojë, edhe me peliçe po deshi. Laik është shteti, jo individi! E di që do kërcasin opinione e mendime që ato nuk janë veshur me vullnetin e tyre të lirë, por kanë qenë të detyruara, por unë e kam ndarë mendjen që s’do fus fjalët e mendimet e mia në gojën e kokën e tjetrit.

Ju keni të drejtë të çmoni Simone De Beauvoir, po aq sa dikush ka të drejtë të çmojë Lord Byronin apo Walt Whitman etj. Dhe ju lutem, mos bëni pyetje naive se ku lidhen këta të tre që unë e pashë me vend t’i rreshtoj kështu. Lidhen, po aq sa ne lidhemi!

Nëse s’kam dëgjuar për preferencat tuaja, kjo nuk më bën më të keqe se ju, as më të paaftë, as më të pazonjën; as edhe nëse kam dëgjuar, por nuk pajtohem, thjesht qenie të ndryshme nga njëra-tjetra na bën.  Sikur të udhëhiqeshim  të gjithë nga pak nga parimi i altruizmit, s’do kishim nevojë të luftonim për t’u shfaqur superiorë, kompleks që në të vërtetë buron nga inferioriteti dhe nga mungesa e theksuar e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit.

Dyshe apo treshe? Kjo është çështja!

Treshja nuk e di çfarë është, por di të them se s’ka gjë më të bukur, kur ajo, marrëdhënia, procesi, intimiteti… le të mos jenë të përsosura,  por ti i konsideron të tilla,  të jenë vetëm të tuat… ose së paku, kështu beson ti!

“M’i hëngri dhia librat”… edhe shkollën, edhe përvojën, edhe network-un…vetëm e vetëm sepse më duken absurde treshet.

@copyright /Blitz.al/

Komento
Shperndaje