Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dy fjalë për rrugaçërinë e meshkujve…..

Dy fjalë për rrugaçërinë e meshkujve…..
August 15
11:09 2017

Kultura nuk dhurohet, as rrëmbehet, as falet. Kultura fitohet çdo ditë.

E kam kuptuar për ta konfirmuar çdo ditë e më tepër se shumica dërrmuese e meshkujve shqiptarë janë qenie me 2 këmbë që jo vetëm nuk kanë dëshirë të fitojnë sadopak kulturë, por edhe atë pak kulturë që mund ta ndeshin vërdallë në ekrane rastësisht nuk munden as ta kopjojnë në formën e saj më të shëmtuar.

Natyrisht që do të flas konkretisht për rreshtat e mësipërm, sepse është e lehtë të hedhësh ngacmime për çështje të përgjithshme.

A e keni vënë re si i ngacmojnë vajzat? Si duan t’i bëjnë për vete?

E keni ndeshur besoj në rrugë?

Qofsh vajzë apo djalë?

Si mund të ngacmosh me fjalë rruge e të pretendosh të fitosh zemrën e një vajze kur je një rrugaç i pashpresë që jeton mbi pluhurin e drogës që thith çdo ditë nga hundët?

Por ti s’mundesh ta kuptosh, sepse libri i fundit që ke lexuar është abetarja.

E aty nuk ka sesi të mësohet si të bësh për vete një vajzë, si ta dashurosh atë, si ta duash, si të jesh xhentil e i sjellshëm.

Ti s’mund ta kuptosh sepse e sheh vajzën si objekt seksual, si një qenie lehtësisht të arritshme.

Ti je djalë babi, je djalë mami. Sepse ti jeton mbi kurrizin e të tjerëve, jeton si parazit në rrugë.

Nuk e ke idenë ku i bie biblioteka, ku mësohet kultura, ku dhurohet dashuri, si dhurohet dashuria.

Por as për këtë s’ke faj. Ashtu të kanë mësuar.

Sepse ti ke një baba që nuk të ka dhuruar kurrë dashuri.

Ke një nënë që të ka trajtuar si objekt përfitimi, të ka mësuar ta trajtosh femrën si një objekt e jo si një person me ndjenja.

Ke një baba që ka rrahur e poshtëruar nënën tënde gjithë jetën. E ti dëshiron të ndjekësh atë shembull.

Ti mendon se me një pistoletë a thikë në brez ke të drejtën e botës të vrasësh e të presësh kë të të dalë para në rrugën tënde prej ordineri.

Ti je askush, por pretendon se je gangster se dëgjon ca këngë ordinere që të bëjnë të ndihesh i fortë shoqëruar nga disa ordinerë të tjerë, duke xhiruar gomat me makinën e blerë me para të pista.

E natyrisht ti s’ke për të ndryshuar! Çfarëdolloj gjëje të thuhet, çfarëdolloj mesazhi të përcillet në media, të të ndikojë sadopak.

Ti do vijosh të jesh një injorant i pashpresë.

Do vijosh të ngacmosh vajzat si ordiner, do pish barin tënd e do alkoolizohesh si derr.

Ti je e keqja e këtij vendi që është zhytur në një llum e baltë nga e cila as ndonjë mrekulli s’ka për ta shpëtuar.

Natyrisht, gjithçka më sipër nuk i hedh poshtë për asnjë çast ata qindra djem të tjerë të kulturuar që mbajnë ende gjallë dashurinë e vlerat në një shoqëri të degraduar nga themelet.

Nga D.E.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje