Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dy fjalë për ndërkombëtarët, e veçanërisht për Z.Knut

Dy fjalë për ndërkombëtarët, e veçanërisht për Z.Knut
February 28
20:46 2019

Nga Senad Ujkaj

Siç mund ta keni parë kohët e fundit ne jemi përballur me një mori lajmesh të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë. A i dogji opozita mandatet? Çfarë do të ndodhë? Qeveria si do të reagojë, do kërkojë një marrëveshje, do vazhdojë sikur asgjë nuk ka ndodhur? Po ndërkombëtarët? Ohh po ndërkombëtarët….

Ndërkombëtarët pas viteve 90’ kanë luajtur një rol shumë thelbësor në historinë e Shqipërisë. Ata kanë ndërhyrë në shumë raste të vështira për shtetin tonë duke stabilizuar situatën. Por pse shihen gjithnjë ata si shpresa e vetme e Shqipërisë kur tek ne ka një destabilitet politik?

Sigurisht që do të mendoni: “Po ky çfarë thotë? “ e në fakt të drejtë keni,sepse ata arrijnë të ndikojnë në qeveritë demokratike për t’i mbajtur sa më të forta dhe të konsoliduara.

Por a keni menduar ndonjëherë se atyre në fakt nuk i intereson shumë se çfarë ndodh në themel të çdo shteti?
Më vjen keq që po jua them, por është e vërtetë. Të gjithëve i mjafton që shteti të funksionojë, demokracia të ekzistojë, të mos ketë trazira dhe… Shqipëria është e mrekullueshme, Shqipëria është gati për BE.

Por jo, atyre nuk i intereson çfarë ndodh realisht nga afër, se çfarë përjeton një familje që nuk ka lekë të kalojë muajin, se çfarë do të thotë të kesh frikë të shkosh të kurohesh në spital sepse nuk e di çfarë të pret, të mbarosh universitetin dhe të gjendesh në një udhëkryq. Nuk i intereson të shohin nëse ka meritokraci në këtë vend, a ka drogë në këtë vend, a ka kriminelë në këtë vend, si vriten gratë në këtë vend?
E pra të gjitha këto janë brenda një molle që ndoshta për ndërkombëtarët nga jashtë është shumë e mirë dhe e shijshme për t’u parë, por nga brenda po kalbësohet çdo ditë e më shumë.

I dëgjova me mjaft kuriozitet deklaratat e sotme te delegacionit nga Parlamenti Europian e sidomos të personit që raporton për Shqipërinë, Knut Flackenstein. Dëgjova kur tha që protestat nuk kanë figurë të mirë, që Shqipëria është shumë mirë, që zgjedhjet nuk janë vjedhur, që çdo gjë këtu është një parajsë.

Knut, nuk mendon se ka diçka që nuk shkon te ky vend përderisa po bëhen protesta në mënyrë të vazhdueshme?
Besoj se duhet ta dini se nuk është aq qejf të mblidhesh në një turmë ku hidhet dhe shpërndahet gaz lot-sjellës, shahesh e shtyhesh me bashkatdhetarët e tu?  Nuk e di si shpreheni ju ndërkombëtarët në këto raste, po ne i themi “Ka shkuar aty ku nuk mban më”.

Pse nuk përmende protestën e studentëve, Z. Knut? Pse nuk the që ata kishin të drejtë sepse sistemi arsimor të lë shumë për të dëshiruar? Dua të të them që protesta e studentëve është gjëja që ka funksionuar më mirë në vendin tonë prej kaq shumë vitesh. 

Knut e pamë mirë se cili është qëllimi juaj, kur të shkosh në Bruksel thuaj që jemi një parajsë dhe kjo falë ambasadorëve dhe ndërkombëtarëve që kemi në Shqipëri. Mesa duket ky është qëllimi yt dhe gjashtë të tjerëve e të gjithë atyre që ndodhen ne Shqipëri, mjafton që të mos ketë trazira, dhe të gjithë të heshtin sikur çdo gjë po shkon mirë.

Por për një gjë ia dole Knut, i ekzaltove të gjithë ministrat tanë, me në krye kryeministrin, kështu që tashmë ata lë të vazhdojnë të qetë punën e tyre.
Dhe mos mendo se jam demokrat, me LSI-në, sepse me PS-në nuk e mendon dot, jam një qytetar i thjeshtë i këtij vendi dhe po ju them më mirë hidhini edhe një sy Knut sepse gjërat me të vërtetë nuk po shkojnë mirë.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje