Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dukagjinasit e panjohur…

Dukagjinasit e panjohur…
June 25
17:18 2017

Nga Marin Mema

Koperi apo Kapodistria, siç njihet ndryshe qyteti port sot në Slloveni, ka qenë në periudhën mesjetare një destinacion i preferuar për familjet arbërore. Ato u vendosën këtu në masë pas pushtimit osman duke marrë mbështetjen e Republikës së Venedikut. Mes shumë të tillave, siç ishin ato Bruti, Bruni, Borisi, Albanese, Karpacio e me radhë në këto zona në shekullin e 15-të, u vendosën edhe pasuesit e Lek Dukagjinit.

Në kodin diplomatik të Istrias sjellë nga historiani i njohur Pietro Kandler shkruhet për dekretin përmes të cilit dozhi i Venecias emëronte Giovani (Gjon) Dukagjinin zot të kalasë së San Servolos, jo larg Triestes. Duke parë periudhën e mbërritjes dhe marrjen e emërimit në këtë kala në vitin 1480 nuk është e vështirë të rikompozosh qëllimin e lëvizjes. Dukagjinasit kanë ardhur këtu pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 dhe në vitin e fundit të jetës së Lek Dukagjinit, figurës më të njohur e më imponuese të familjes së tyre.

Me ardhjen e trupave osmane në Arbëri, ata që kishin luftuar duke u ekspozuar në betejat e mëdha ndaj tyre u detyruan të largoheshin. Ndaj pati një linjë emigrimi pikërisht nga Shkodra drejt territoreve të Republikës së Venecias. Sistemimi sipas dokumenteve u bë në bazë të rangut social dhe prejardhjes së tyre. Shumë u përqendruan në afërsi të kishave në Venecia, Friuli dhe Istria, ndërsa dukagjinasit zgjodhën këtë kala në San Servolo, të cilët e blenë për një shumë të madhe të hollash.

Kështjellarët sigurisht kishin edhe feudet e tyre, çka do të thotë se fshatrat përreth i përkisnin dukagjinasve, jo më kot sot gjejmë edhe një të tillë me emrin Dukaini apo Dukaino. Ndryshe nga familjet e tjera Bruti, Borisi e me radhë që qëndronin në qytet, dukagjinasit rezidencën e kishin këtu. Ata gëzonin një status të veçantë mbi feudin e tyre, duke pasur 7 fshatra nën varësi, ç’ka do të thotë se mund të vendosnin edhe dënime mbi banorët e kësaj zone.

Dukagjinasit e mbajtën nën pronësinë e tyre këtë feud për një periudhë relativisht të gjatë derisa lufta mes venecianeve dhe austriakëve anoi në krahun e këtyre të fundit në 1516-n.  Pas traktatit të nënshkruar në Vorms të Gjermanisë në vitin 1521, kalaja zyrtarisht kaloi në duart e një kapiteni të emëruar nga austriakët. Pavarësisht kërkesave të shumta të Republikës së Venedikut për t’ia kthyer këtë feud, kjo nuk ndodhi. Që nga ai moment diku në 1533-shin duke humbur mundësinë për t’iu kthyer kalaja, dukagjinasit largohen. Ende nuk ka një dokument që të tregojë se cili ishte destinacioni i tyre i mëpasshëm. Fakt mbetet se shumë dokumente të tjera presin ende të zbulohen, sigurisht nëse do të ketë një vullnet nga institucionet përkatëse./Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje