Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Djemtë e jetës sime, kam një mesazh për ju!

July 17
14:34 2019

Gjatë viteve të fundit kam njohur djem të ndryshëm; nga ata që më donin shoqe, ata që donin të krijonin diçka, ata që donin të kalonin një natë, ata që u njohëm ashtu kot…

Të gjithë këta kishin një gjë të përbashkët: përdornin të njëjtën frazë.  E dini cila ishte?

“Kam nevojë të flas me ty, sepse ndihem mirë!”

E nën këtë frazë dëgjova me mijëra halle; dikush ishte ndarë nga e dashura, dikush kishte probleme familjare, dikush probleme profesionale, dikush thjesht kishte qejf të bisedonte për tema të ndryshme, dikush kërkonte një mendim, dikush dikush dikush… Po unë ku isha këtu?

E kuptoj që tek një djalë e rëndësishme është që një vajzë të jetë e dashur, shoqe, shok e vëlla, por unë isha kthyer vetëm në një vëlla dhe kjo gjë s’po më pëlqente aspak.

I dëgjoja dhe gjendesha pranë, deri kur kuptova që për mua askush nuk ishte aty, kur unë kisha nevojë.

Askënd nuk e merrte malli për mua por vetëm për bisedat që zhvillonim bashkë sepse e dini kur kujtoheshin? Kur ju ziente koka se ashtu kishin një hall, ose kur ju duhesha unë: ajo “goca gjigande” që mbante tavolinën me gajret (humor).

Ju do të thoni se besimi që kishin tek unë dhe komunikimi ishin pika kyçe, këtë mendoja dhe unë dikur por tani nuk e shoh më si të tillë sepse u lodha duke dëgjuar hallet e botës!

Kështu që kuptova se duhet të merresha me veten time: të kujdesesha për të sepse askush më mirë se vetja jote nuk mund ta bëjë këtë (edhe pse këtë gjë jam përpjekur ta bëj zakonisht)! Askush nuk ka nevojë për njerëz toksikë në jetën e saj. Askush nuk ka pse qan hallet e dynjasë kur mund të jetojë e lumtur me gëzimet dhe problemet e saj. Me apo pa një djalë jetën tuaj mund ta ndërtoni siç keni dëshirë ju… Vajza, ne jemi kaq të forta sa mund t’ja dalim edhe vetëm, madje më mirë se me njerëzit e gabuar!

Ah, para se ta mbyll kam edhe një mesazh për ju djemtë e jetës sime:

Nuk jam shenjtore, as psikologe, nuk mund t’ju dëgjoj, nuk mund t’ju jap këshilla, nuk mund të bëj më asgjë për ju. Tani ka ardhur koha të më ktheni nderin! Nuk do t’ju duhet të më dëgjoni sepse hallet e mia s’do ua qaja kurrë ju, por kam një kërkesë: Dilni nga jeta ime, ju dhe hallet tuaja!

Nga Kilda Hysenbegasi

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje