Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dje arusha, sot qeni… nesër Ti!!

Dje arusha, sot qeni… nesër Ti!!
October 05
18:10 2017

 

…dhe sërish jemi në të njëjtën situatë!

Pak ditë më parë, mjaftonte një klikim në Facebook apo Instagram apo në media të ndryshme online të shihnim fotot e një arushe që mbahej në krahët e disa burrave malësorë e po transportohej në fshat. Sigurisht, arusha ishte e pajetë sepse sapo ishte vrarë se prishte fushat me misër.

Nuk kaluan as edhe 7 ditë që niveli i makabritetit të kalonte kufinjtë e asaj që është qytetare, e ndërgjegjshme dhe mbi të gjitha, humane!

Një 14 vjeçar godiste pafund e papushim një qen të lidhur, i cili nuk bëri asgjë tjetër veçse qëndronte i lidhur. E ndërkohë një bashkëmoshatar tjetër e filmonte. Videoja përfundoi në rrjet dhe brenda 60 minutave ata të dy u kthyen në personat më të përfolur të rrjetit.

Të jem i sinqertë, atë video e kam parë vetëm 10 minuta para se të shkruaja këtë shkrim… e të jem sërish i sinqertë, i kuptova tërësisht fotot e Rozës mbrëmjen e kaluar në Top Show!

Të them që u habita? Haaaa jo! Përkundrazi!

Nuk është hera e parë që shohim një jetë qeni që merret në atë mënyre. E kur flas për qen dua të fus në këtë thes të gjithë kafshët, jeta e të cilëve merret në atë mënyrë!! Vetëm para pak muajsh pamë një tjetër të ri apo adoleshent (çfarëdo qoftë) që me pitbullin e tij masakronte të tjerë kafshë. E mirë, u ngritëm, u indinjuam e ngritëm dhe ministrin Tahiri të hartonte projektligjin që nuk mori kurrë dritën jeshile nga Kuvendi.

Raste të tilla, secili prej nesh ka plot në jetën e tij që ka parë e do të shohë përsa kohë ai ligj qëndron në sirtar! E ai ligj do të qëndrojë në sirtar edhe pse dje ishte arusha, sot qe ai qenush i gjorë dhe nesër do të jetë secili prej nesh, prindi yt, motra jote, vëllai yt, familjarët e tu, miqtë e tu më të ngushtë ose vetë ti.

Pse?

Arsyeja është mjaft e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për panele profesionistësh që të kuptohet.

Thellë-thellë të gjithë e kemi dhunën në gjak si qenie njerëzore. Dikush në gjaknxehtësi, dikush tjetër në gjakftohtësi. E priremi të dhunojmë ata që janë më inferiorë se ne. E nëse je 14 vjeç dhe niveli yt i dhunës është sa i atij në video, ku pa iu dridhur syri godet me sa mundet një qen, një arushë, një derr, një kalë apo çfarëdo qoftë, nesër ose do të kemi një tjetër vrasës serial ose një tjetër monstër si ai i Palasës. Ky i fundit, pasi prej vitesh këpuste koka qensh, një ditë të bukur të njëjtën gjë i bëri edhe fëmijës.

Pra, duhet të vdesin dhjetëra, qindra, mijëra fëmijë që ne si popull, ata si ligjvënës ta kuptojnë këtë dreq gjëje? QË KUSH VRET KAFSHËT ËSHTË I AFTË TË VRASË EDHE NJERËZIT?!

Por jo, ne kemi probleme më të mëdha se kaq.

“Këtu po vdesin njerëzit, ti merresh me qentë e macet”, – ky është komenti i parë që ti merr kur flet për këtë çështje.

Po, është e vërtetë. Njerëz po vdesin në këtë vend. Por njerëzit edhe po vrasin në këtë vend! Dhe kjo është më e tmerrshmja nga të gjitha. Nuk jemi gjë tjetër veçse disa qenie që kemi gjithmonë diçka për të thënë edhe kur nuk duhet (përveçse injorantë, hi5), por nuk iu vë faj aspak. Dikush që nuk ka provuar qoftë edhe një herë të vetme të pasurin e një kafshe pranë vetes, nuk ka kurrësesi të dijë dashurinë e pakushtëuzar, pritjet te dera kur kthehesh nga puna, shkolla etj, zgjimet në mëngjes nga tundjet e bishtit, vrapimet nga liqeni apo në breg të detit me dikë që të ndjek në çdo hap dhe mbi të gjitha besnikërinë e vërtetë. Me pak fjalë, ato për të cilat vuajmë çdo ditë.

Nuk dua të zgjatem më tek kjo pjesë sepse përpos të gjithave, kjo është shumë personale dhe intime që gjithkush e përjeton sipas mënyrës së vet.

Vetëm një kërkesë shumë miqësore për të gjithë! Le t’i lëmë për një herë të vetme debatet dhe fjalët që tani janë asgjë veçse të tepërta.

Si thoni sikur t’i trajtojmë 4 putroshët dhe jo vetëm, me më shumë dashuri?

Sikur të kërkojmë ngritjen e strehave që edhe ti që trembesh nga qentë e rrugës të mos druhesh më kur ecën nga piramida?

Po sikur atë zinxhirin që ia ktheni në bizhu mishi ta përdorni për çdo gjë përveçse për t’i lidhur 24/7?

Fundja, “karma is a….”!

Isha e do të jem pro ligjit të Sajmir Tahirit për të dënuar këdo që dhunon kafshët.. Jo vetëm qentë e macet, por të gjitha kafshët!

E nëse Ruçi i madh pranon Bashën tonë të dashur qoftë një seancë në parlament për të diskutuar e votuar këtë ligj, do t’i isha shumë mirënjohës. (Duke qenë se ka plasur sërish sherri në Kuvend dhe Ruçi na e ka përjashtuar Bashën). Apo duhet që ta pësojnë tek familjet e tyre që të zenë pak mend? Nuk është çudi në fakt, sepse jemi mësuar t’ua dimë peshën gjërave kur i kemi mbi kurriz.

Nuk dua të zgjatem më tepër, por e kam edhe 1 fjalë për atë njeriun në videon e famshme.

Më vjen shumë keq për ty! U bëre i famshëm vëlla, por çudia këtu zgjat vetëm 3 ditë (e më fal që po të ta zgjas edhe ditën e 4-rt). Më vjen keq që gjithë jetën tënde do të vuash pafund mungesën e dashurisë apo gëzimit… Sepse dikush që merr adrenalinë nga gjaku e dhuna nuk ka zemër. E dikush pa zemër nuk mund t’i ndiejë kurrë. Jetë të mbarë!

Le të kërkojmë diçka sot, që nesër të mos jemi ne në atë video. Prandaj duhet ai ligj! Ndonjëherë, ato që na duken si gjëra të vogla, mbartin ndjenja të mëdha.

Një njeri i mirë më putroshët, është i mirë edhe me njerëzit, e anasjellta jo! /Blitz.al/

 

Andi Vrapi

 

 

 

Shperndaje