Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Debati IM për Teatrin

Debati IM për Teatrin
February 15
16:44 2018

Nga Kozeta Kurti

 

Unë ju mbështes juve, mbi të gjitha se ju admiroj në atë që bëni.

Shumë prej jush e dinë mirë që unë nuk humbas asnjë shfaqje teatri. Kam parë nga më mediokret shfaqje e deri tek ato më tronditëset, apo më argëtueset, sepse sido që të jetë, kam menduar: “më mirë brenda se jashtë”.

Ashtu si ju, edhe unë nuk e dua një teatër që mund t’i zihet fryma nga gjigandë betoni a mermeri qofshin….nuk dua ta gjej Teatrin me GPS, mes dhjetëra dyqanesh çantash e këpucësh, ashtu sikundër nuk doja ta gjeja Teatrin zhytur në tymnajë qoftesh e pulash të pjekura. Ama, as një Teatër ku preh thumba e shkon me batanije me vete nuk e dua; as një Teatër ku në skenë me aktorët “interpreton” miu sa një mace, nuk e dua.  Jam spektatore, dhe ashtu si ju aktorët, edhe spektatori ka dinjitetin e tij…në fund të fundit, pa ata, ju e dini mirë, jeni asgjë….dhe as nuk dua ta mbështes optikën time në thashethemet e Pedonales së Tiranës, sepse diskutimi për kulla është ende thashethem. Askush s’ka parë asgjë! Mund të jetë më zi se ç’mund ta imagjinojmë, por askush s’ka parë ende asgjë. Kjo s’do të thotë se më lehtësojnë apo më garantojnë e më japin siguri zërat e politikës që thonë: rrini të qetë se nuk do të ndërtohet. Njëzet e tetë vitet e fundit e kanë treguar më së miri se në këtë vend “nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë”

I kam shkruar Ministres një mesazh dikur, ku unë spektatorja, i ankohesha për çmimin e biletës si linja Kombinat-Kinostudio, sepse gjithmonë më kanë dhembur artistët…Ata na ndikojnë, na orientojnë në përmirësimin e shijes estetike, na e bëjnë më të bukur jetën sociale në kryeqytet e jo vetëm, dhe për këtë arsye meritojnë më shumë…

Jam me ju, por u mërzita shumë që në gjithë debatin e këtyre ditëve të fundit, vetëm për debat artistik nuk dëgjova apo dëgjova pak. Sa pak a aspak dëgjova për ata që ju kanë në dorë veprimtarinë artistike, që aplikojnë projekte në bordet që drejtojnë vetë, e presin firmë për veten në letrat që vulosin vetë; sa pak a aspak dëgjova (përveç rasteve sporadike personale që as mbështetje prej kolegëve nuk gjetën) për të njëjtit njerëz që janë prej kohësh brenda e të tjerë që prej vitesh kanë mbetur jashtë…Sa pak a aspak dëgjova për raportet e varësisë që parashikohen të ndodhin midis Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë…

Sa keq u ndjeva me mungesën tuaj të solidaritetit me artistë të tjerë, ata të Teatrit Kombëtar Të Operas dhe Baletit, të cilët prej kohësh janë “jabanxhinj” në salla të tjera për të çuar deri në fund kalendarin e tyre artistik dhe e trajtuat Teatrin Kombëtar si të jetë juaji. Nuk është vetëm i juaji! Dhe këtu s’dua fare t’i hyj diskutimit që janë institucione të shtetit dhe nëse shteti nuk i ndërron destinacionin dhe i bën salla ëorkshop-esh parukierie, por i vë në dispozicion të aktiviteteve artistike, ka të drejtë ta bëjë.

Por dua të shpreh keqardhjen time për dualizimin tuaj në raport me kauzën që është më e madhe se secili prej jush. Kush e mori iniciativën për takim në sallën e Teatrit Kombëtar? Kush e mbështeti? Kush e bëri me dije në emër të të gjithëve? Pse pati dy takime në të njëjtën kohë në dy mjedise të ndryshme? Cilët ishin ata që prisnin ministren në Teatër dhe cilët ishin ata që i shkuan ministres në mjediset e Ministrisë së Kulturës? Cilat ishin pikat ku do ta mbështesnit diskutimin tuaj publik? Ku i botuat? Ku i publikuat? Askund! Veç lart e poshtë, në mënyrë individuale e secili. Epo mos prisni t’ju mbështesë kush si invidualitete! Ju s’keni ende unanimitet midis jush.

Dhe unë, si spektatore, gazetare e qytetare jam e fyer që debatin për artin, për të drejtat e artistit, për kushtet në të cilat duhet të punojë një artist, për buxhetet publike me të cilat mbështeten këto shfaqje, për pavarësisë e krijimtarisë artistike, për cilësinë artistike të krijimtarisë, të degradojë në diskutim për  bllokimin e “haleve” dhe prokurimin publik që duhet për zhbllokimin e tyre.  

Nuk jam e aftë të diskutoj për arkitekturën e projektet inxhinierike dhe nuk i hyj dot debatit që nuk e njoh, sepse përveç të tjerash, jam autore e një artikulli me titull “Të njohësh limitet” e unë të mitë i njoh shumë mirë.  Unë kam nevojë të ndjek një teatër meritokratik, funksional dhe jo në bazë interesash, kompromisesh e kulisash të ulëta ku Maliqi bën ligjin. Kam veç një lutje për atistët…ju lutem mbesni artistë! Veç kështu do t’ju shihnim si shpirtra të lirë që veç pushteti i emocioneve përballë publikut mund t’ju “skllavëronte”. Çdo lloj pushteti tjetër do t’ju skllavëronte pa thonjëza.

Do të doja shumë që artistët të ishin bërë bashkë kur shkoi dëm Cirku, do kisha dashur shumë që artistët të ishin bërë bashkë kur shkoi për lesh Kinostudioja… dua shumë të di ku ishin atëherë artistët…

Ju dua shumë të gjithëve e do t’ju ndjek në çdo sallë të mundshme ku do të interpretoni…edhe sikur poshtë këmbëve të kalit të Skënderbeut të vendosni shfaqje, unë sërish do të jem aty duke ju ndjekur me admirim, në të nxehtë e në të ftohtë e shpresoj që me disa prej jush të shihemi në fundvit me në një premierë të re që do t’i shtohet kalendarit të kryeqytetit, sepse dashurinë për ju dhe teatrin, këtë vit kam vendosur ta shpreh jo vetëm me ato biletat me çmimin e linjës Kombinat-Kinostudio që blej çdo javë…

Komento
Shperndaje